E Shtunë, 31 Tetor 2026

Idrizi: Arsyet pse ika nga Edi Rama



Është shkëputur përfundimisht nga PS-ja, ndërsa lë të hapur mundësinë e afrimit me koalicionin që drejton Sali Berisha. Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri formuan dje Partinë për Drejtësi e Unitet, duke u pozicionuar si forca e katërt politike në vend. Grupi nismëtar i kësaj partie, i drejtuar nga Idrizi, shpalli krijimin e plotë të kësaj partie. Deputeti Idrizi shpalosi para mediave një program të gjerë prej më se 8 faqesh, ku ai dha arsyet e kësaj nisme të re politike. Kjo parti ka si synim vetëm çështjen kombëtare, duke qenë e hapur ndaj kujtdo, madje edhe ndaj partisë tjetër çame, PDI-së. Në një intervistë për “standard”, ish-deputeti i PS-së jep arsyet e krijimit të PDU-së. Idrizi flet për platformën e kësaj partie, largimin nga PS-ja si dhe bashkëpunim e kësaj force me faktorët e tjerë politikë. Z. Idrizi shprehet i hapur për bashkëpunim me qeverinë “Berisha” dhe i gatshëm të hyjë në Kuvend pas ikjes nga PS-ja.

Intervistoi: Erald Kapri

Z. Idrizi, pse e krijuat Partinë për Drejtësi e Unitet menjëherë pas zgjedhjeve?

Krijimi i partisë ishte një nevojë më e madhe, më e fortë se ne. Prej kohësh kemi vënë re se të militosh në një parti të madhe dhe të mbrosh kauza kombëtare, është diçka shpesh e vështirë. Partitë në pushtet e kanë të vështirë të ekspozohen në mbrojtje të tilla, sepse thuajse gjithmonë kanë frikë se mos kjo do të kushtëzojë firmën apo ratifikimin e x marrëveshjeje për NATO-n apo BE-në. Ato në opozitë kanë frikë se kjo do të pengojë ardhjen në pushtet. Ne rreshtuam në një deklaratë për shtyp një sërë arsyesh pse duhet kjo parti, kështu që jemi të qartë për një pjesë të pyetjes.

Pse pas zgjedhjeve?

Ne shpresuam se mund të luftonim së bashku brenda PDI-së, por në pamundësi për ta bërë këtë, na u duk më e mirë një parti e re. Sot partitë janë shndërruar në instrumente jo aq shumë ideologjike, të nevojshme për të arritur e mbrojtur interesa të caktuara grupore apo kombëtare. Sot, ndarja midis të majtës dhe të djathtës nuk është aq e fortë sa dikur, kështu që i morëm në sy rreziqet e përfoljes, skrupujt e vjetër të ndryshimit të flamujve apo ekipeve dhe thamë: Nëse ndërron flamurin e një partie për flamurin kombëtar, flamurin kryesor të kësaj partie, ia vlen të sakrifikosh.

Po të kishte fituar Partia Socialiste, do ta krijonit partinë e re?

Do ta krijonim në të gjitha rastet. Një parti si jona në kushtet e Kodit Elektoral ekzistues, kur partitë e mëdha nuk krijojnë dot shumica qeverisëse të forta, mund të imponojë me forcë arritjen e objektivave për të cilët folëm. Në rrethana të tjera, mbase nuk do ta kishim këtë mundësi. Ne duam që të arrijmë shumë shpejt disa suksese të para dhe pastaj të zgjerojmë mbështetjen rreth partisë dhe jini të bindur se do ta bëjmë. Kemi fiksuar një axhendë hapash politikë dhe diplomatikë, brenda dhe jashtë vendit që do t’ju habisin: Vërtet kaq e lehtë qenka të arrihet diçka në mbrojtje të interesave kombëtare? Po, - është përgjigja jonë dhe ne do ta dëftojmë me vepra këtë.

A ju duket e moralshme kjo zgjedhje? Keni qenë ndër studentët e Dhjetorit, i lidhur me Partinë Demokratike, pastaj me PS-në e Nanos, u përfshitë në institucione dhe në kryesinë e partisë kryesore të majtë. Tani po drejtoni një parti të re të djathtë...

Të qendrës për saktësi, megjithëse këto konvencionet i majtë, i djathtë në kushtet tona e kanë humbur vlerën e tyre historike apo ideologjike. Ne jemi një parti e interesit kombëtar, e cila nuk njeh ngjyra partiake. Por, nëse duam, mund ta quajmë të qendrës dhe atëherë, ky kalim imi, kjo etapë në karrierën time, që mund ta quaj etapë të pjekurisë, të vetëdijësimit për vokacionin tim, etapë ku marrin fund dyshimet se ç’di dhe ç’dua të bëj më shumë, mbaroi. Unë u ktheva në një familje politike ku hyra për herë të parë, ndërsa u përfshiva në Lëvizjen e Dhjetorit dhe nga ku dola për t’u rikthyer përsëri. Po rikthehem më i pjekur, me një barrë eksperiencë.

ǒdo thotë moral? Është një bashkësi rregullash që disiplinojnë sjelljen njerëzore duke i bërë njerëzit më të mirë. A nuk ju duket e mirë, pra e moralshme t’i shërbesh interesit kombëtar, pa kushtëzimet që liderët e partive të mëdha shpesh i vënë vetes dhe partive të tyre? Ne jemi të ndërgjegjshëm, madje se këta liderë dhe e kanë dëmtuar interesin kombëtar në raste të caktuara. E kanë dëmtuar me vetëdije atë. Në emër të atyre që i kanë shpallur objektiva të integrimit apo të karrierës së tyre personale.

Çfarë raporti do të ketë kjo parti me partinë tjetër të çamëve?

Ne do të bashkëpunojmë me të gjitha partitë e spektrit kombëtar, pra dhe me partinë PDI, sepse për ne ylli polar i veprimit dhe mendimit tonë politik është çështja kombëtare.

Meqë thoni se nuk do të jetë parti vetëm e çamëve, a do të ketë deputetë të tjerë që do t’ju bashkohen, zoti Idrizi?

E di që në Parlament ka shumë deputetë që mendojnë si ne dhe që e kanë të hapur derën. Por, dikush kërkon si unë, t’i hyjë vetë detit në këmbë dhe ta shtyjë varkën me duar derisa ajo të dalë në det të hapur dhe pastaj të marrë timonin për ta drejtuar; dikush i bashkohet varkës, kur e sheh se ajo është e fortë përballë dallgëve dhe e ka drejtimin e sigurt.

Mos vallë dhe çamët i ka përfshirë sëmundja e partive që arrijnë pushtetin?

Duken disa ngjashmëri, por nuk është e vërtetë kjo që thoni ju. Po të ishte e vërtetë, ne do ta kishim bërë partinë më parë dhe do të ishim që më herët pjesë e negociatave për vende të nivelit të lartë në qeverinë “Berisha”. Do të kishim plotësisht të drejtë të pretendonim prej qeverisjes së djathtë shumë më shumë se ndonjë subjekt tjetër. Ne nuk e bëmë këtë. Ne thjesht vlerësuam se mbrojtja e interesave kombëtarë në kushtet e sotme, kombëtare dhe ndërkombëtare, me Kodin e ri, bëhej më mirë me një parti të re. Të hapur dhe jodogmatike, një parti e tipit lëvizje. Të hapur për bashkëpunim djathtas dhe majtas, me cilindo faktor në favor të këtyre interesave.

Çfarë qëndrimi do të mbani ndaj qeverisë së djathtë të Kryeministrit Berisha?

Panorama pluraliste shqiptare ka pasur parti, ku anëtarët, drejtuesit e saj janë qoftë me prejardhje apo me bindje të majta, qoftë dhe me bindje të djathta, por që janë bashkuar në emër të një blloku interesash përfaqësues të bashkësive që ata i përkasin. A nuk kanë qenë të suksesshme shpesh ato duke u imponuar partive të mëdha pika të caktuara të programit? Në pikëpamje taktike ne do të mësojmë nga të gjithë: nga partitë e mëdha, por dhe nga të voglat, nga ato brenda dhe jashtë vendit.

Nuk e mohojmë se duke qenë parti që në themelim të vet ka një grup intelektualësh dhe qytetarësh me origjinë çame, kjo parti do të ketë më shumë vokacion të djathtë, por ne sigurisht do ta zgjerojmë spektrin krahinor të partisë, duke shkuar madje dhe jashtë Shqipërisë. Për shkak se është parti kombëtare, ajo nuk ka megjithatë një ideologji të caktuar, diçka që është dhe karakteristikë e kohës sonë, kur partitë ideologjike po zhduken. E pra, si parti kombëtare ne do të mbështesim apo do të mbështetemi tek ato parti që do të na ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve tona historike. Kjo e bën imponuese bashkëpunimin me çdo parti që është në pushtet. Por, kujdes: askush nuk ka prej nesh një çek të bardhë që mund ta mbushin si të duan. Çdo bashkëpunim yni do të ketë karakter rreptësisht programor. Ne nuk jemi një parti klasike që përfaqëson grupe shoqërore apo ideologjike të caktuara dhe që synon ardhjen në pushtet për interesa të ngushta. Po sigurisht, ne e dimë që objektivat kombëtarë duhet të shoqërohen me përfaqësim adekuat në ekzekutiv dhe në të gjitha nivelet e qeverisjes. Ashtu siç ne do të bashkëpunojmë dhe me opozitën për çështje të caktuara dhe jini të sigurt për një gjë: ne do të jemi gardianë të interesit tonë kombëtar! Ne s’kemi problem të shkelim rregullat e sjelljes së mirë politike për të denoncuar apo kritikuar cenimin më të vogël të këtij interesi, duke u distancuar dhe nga aleatët rast pas rasti.

Po marrëdhëniet me Ramën? Ju jeni zgjedhur në listat e Partisë Socialiste... ǒqëndrim mbani në përplasjet e brendshme të Ramës me kundërshtarët e tij?

Është e vërtetë se në një pikëpamje, me këtë sistem zgjedhor, pra me proporcionalin, ti dukesh se je zgjedhur ekskluzivisht prej siglës partiake që ke përfaqësuar, po ky është vetëm një shikim i ngushtë. Individët e përfshirë në listat e proporcionalit, veçanërisht kur nuk janë anonimë, u japin këtyre listave, i japin vota të mbështetësve ekskluzivisht të tyre.

Unë jam thirrur të përfaqësoj PS-në, në Vlorë, pikërisht prej kreut të saj, Edi Rama. Ishte diçka e paparashikuar për mua që isha deri atëherë drejtues i partisë në Tiranë. M’u tha tekstualisht: “Të kemi zgjedhur aty, sepse ti do të thithësh votat e elektoratit çam në segmentin Vlorë-Sarandë”. E bëra këtë në mënyrën më të mirë dhe me sukses. Po pse më votuan çamët mua? Sepse, siç e dini, besoj, unë krejt i shkëputur nga partia ku bëja pjesë, kam folur më shumë se askush për çështjen çame dhe i kam përfaqësuar më mirë se askush, edhe i vetëm komunitetin tim. Madje, e kisha menduar edhe më parë të shkëputesha. Këto qëndrime kanë pasur dhe kosto politike, por unë i kam përballuar. Në këtë kuptim, unë s’kam tradhtuar askënd. Përkundrazi, jam koherent me votuesit e mi...

Ju thoni se jeni parti e interesave kombëtare. Të dyja partitë e mëdha, siç thoni dhe ju, kanë bërë koncesione me interesat kombëtare. Pse ne duhet të besojmë se ju nuk do të bëni koncesione? Dhe në fund të fundit, partitë e mëdha i japin tonin politikës. Si do t’i impononi ju ato të ndryshojnë qëndrim?

Keni të drejtë. Të dyja partitë e mëdha, pa asnjë përjashtim, kanë bërë koncesione me interesat kombëtare. Diçka tragjike, që ato e kanë bërë dhe sepse ato s’kanë pasur asnjë presion cilësor nga faktorë politikë apo të shoqërisë civile. Çfarë lloj presioni? Presion të atij tipi që do ta vinte në dyshim ta zëmë qëndrimin në pushtet, nëpërmjet heqjes së mbështetjes me vota. D.m.th., kur një parti e koalicionit qeveritar tërhiqet në rast të adoptimit prej shumicës apo kreut të saj të një qëndrimi që bie ndesh me interesin kombëtar. Ne nuk do të mbështesim askënd pa kushte. Në këtë kuptim, ne do të jemi sa në shumicë, aq dhe në opozitë.

Pse ne nuk do të bëjmë koncesione? Sepse nëse do të ishim të pajisur me këtë lloj pragmatizmi, që mjerisht e ka gjithë klasa jonë politike, atëherë do të rrinim apo do të bëheshim pjesë e partive të mëdha. Nuk do të merrnim në sy të gjitha vështirësitë, rreziqet e krijimit të një subjekti të ri politik si PDU.

Unë sot jam rreth 40 vjeç. Kjo është sfida e jetës sime. Nuk kam kohë për të humbur, por për të fituar, duke bërë gjëra të vlefshme.

Cilët janë disa prej hapave të parë që ju do të hidhni si parti e re?

Do të zhvillojmë disa iniciativa politike, qoftë brenda vendit, qoftë jashtë, por bëni durim, nuk do t’i zbulojmë të gjitha që sot.

Pse Shqipëria duhet t’i prishë apo keqësojë marrëdhëniet me Greqinë, duke u marrë me çështjen çame apo duke hapur probleme të së kaluarës? Shqipëria ka mbi një milion emigrantë në Greqi...

Kush tha se do t’i prishë apo do t’i përkeqësojë? Ne jemi për marrëdhënie të mira me Greqinë në frymën e fqinjësisë së mirë dhe respektit reciprok. E theksojmë brenda këtyre parimeve, duke zgjidhur apo kapërcyer në formën më të mirë juridike problemet e historisë. Për fatin tonë të mirë, koniunktura ndërkombëtare rreth Shqipërisë nuk është më e njëjta, por po përmirësohet vazhdimisht. Mos mendoni që miqtë tanë grekë nuk e kuptojnë këtë. Përkundrazi, dhe kjo u duk nga deklarimi i fundit i kreut të PASOK-ut, Papandreu, në lidhje me njohjen e pavarësisë së Kosovës brenda 2011-s. Shqipëria nuk mund të trajtohet më si më parë, si në vitin 1997. Dhe, me që ra fjala, Shqipëria fliste me një gjuhë tjetër në vitin 1992, 1993, por nuk i prishi marrëdhëniet me Greqinë. Sigurisht, kur arrestoi grupin e minoritarëve, e teproi shumë, por deri atëherë marrëdhëniet ishin normale dhe mjaft të mira madje. Demokracia e Re ishte aleatja dhe mbështetësja kryesore e PD-së në pushtet.

Çështja e rezolutës. Dy partitë e mëdha refuzuan të miratonin një rezolutë për zgjidhjen e çështjes çame. A do ta rihapni ju sërish këtë çështje?

Po, ai ishte një moment i turpshëm i përkulshmërisë së klasës sonë politike. Në të vërtetë ai ka qenë një moment kur unë kam menduar se ç’mund të bëjë frika për pushtetin personal nën presionin e fqinjëve.

Ne do të zgjedhim të gjitha rrugët legale dhe parlamentare për të imponuar zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare, pra dhe të çështjes çame. Dokumente të tilla ne do t’i imponojmë në shumë rrugë, përfshi dhe atë referendare.

A do të bëni koalicion me qeverinë aktuale? Me ç’kushte? Çfarë postesh do t’i kërkoni asaj? Nga do të dallojë kjo parti nga partitë e tjera të vogla, të cilat duan poste në rast se fitojnë ndonjë mandat?

Ne do të negociojmë me të gjithë, por sigurisht mbi baza programatike. Bëni durim dhe do të mësoni shumë në të ardhmen. Do të legalizojmë partinë dhe pastaj do të ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm. Ylli polar është i qartë - asnjë interes kombëtar nuk do të neglizhohet dhe për këto interesa ne jemi mjaftueshëm të ditur për të imponuar kushtet më të përshtatshme.

A do të hyni në Parlament?

Unë jam i detyruar ta bëj një gjë të tillë. Një kurs i tillë politik si ky që kam zgjedhur, ma imponon këtë. Çdo minutë e kohës sonë është e çmuar për të punuar për objektivat kombëtare dhe përfshirja në institucione është rruga më e mirë për të shfrytëzuar kohën dhe mundësitë që të japin ato për kontakte, ekspertizë, ndikim politik etj., etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›