E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Brenda 2010-s KE heq vizat me Shqipërinë



Qeveria shqiptare është e bindur se brenda vitit të ardhshëm Komisioni Evropian do të marrë vendimin për heqjen e vizave për vendin tonë. Kjo, për faktin se kushti kryesor, ai i pajisjes së qytetarëve me pasaportat biometrike, po ecën me ritmet e duhura. Kryeministri Sali Berisha u bëri dje apel shqiptarëve që t’i marrin ato, me qëllim lëvizjen sa më të shpejtë dhe pa viza në zonën “Shengen”. Z. Berisha premtoi se brenda vitit të parë të këtij mandati do të merret vendimi për heqjen e vizave. Kjo, pasi procesi po ecën me ritme të shpejta. Gjatë mbledhjes së djeshme të Komitetit Ndërministror për Integrimin, Berisha evidentoi se aktualisht janë printuar mbi 190 mijë pasaporta biometrike, aplikimet shkojnë në 201 mijë dhe janë tërhequr rreth 150 mijë pasaporta biometrike nga qytetarët. Këto deklarata janë bërë në pritje të raportit të dytë të progresit nga të dërguarit e Komisionit Evropian. Ata do të kenë takime të zgjeruara me agjencitë, ndërsa Kryeministri Berisha theksoi që klima është pozitive dhe shumë miq të Shqipërisë, përfshi dhe Parlamentin Evropian, kanë inkurajuar Komisionin. Komiteti Ndërministror i Integrimit dje shqyrtoi gjithë dokumentin bazë mbi të cilin do të bazohet vlerësimi i heqjes së vizave. Kryeministri Sali Berisha një ditë para mbërritjes së delegacionit të KE-së në Tiranë, pohoi se klima në Bruksel për këtë çështje është pozitive, çka sjell edhe përmbushjen e premtimit të kësaj mazhorance, lëvizje pa viza brenda vitit të parë të këtij mandati. Një ndër kushtet kryesore të Bashkimit Evropian për heqjen e vizave me Shqipërinë është pajisja e qytetarëve me pasaporta biometrike dhe për momentin më shume se 15% e popullsisë zotëron këtë dokument identifikimi. Kryeministri Berisha vuri në dukje se "pasaporta biometrike janë printuar mbi 190 mijë, aplikimet shkojnë në 201 mijë, janë tërhequr një numër rreth 150 mijë nga qytetarët që i kanë të gatshme”. Z. Berisha u bëri thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të cilët për qëllime të ndryshme duhet të udhëtojnë jashtë shtetit, t’i marrin këto pasaporta, në mënyrë që Shqipëria të realizojë numrin më të lartë të mundshëm të pajisjes së pasaportave biometrike. Sipas tij, heqja e vizave dhe lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë përbën një nga arritjet më madhore të shqiptarëve, e pritur në shekuj. “Ndaj, - shtoi ai, - përmbushja e çdo detyrimi që rrjedh nga ky proces, është detyrë e të gjitha detyrave tona”. Berisha evidentoi se qeveria, agjencitë që varen prej saj dhe institucione të tjera, në funksion të kërkesave të Komisionit Evropian për heqjen e vizave janë të detyruara të programojnë të gjitha burimet për të zbatuar masat e kërkuara. “Klima është pozitive. Ka vlerësim real për arritjet, por ka edhe çështje që duhet të zgjidhen”, - u shpreh z. Berisha. Kreu i qeverisë theksoi se "shumë miq të Shqipërisë, përfshirë dhe në Parlamentin Evropian, kanë inkurajuar Komisionin Evropian për liberalizimin e vizave me Shqipërinë", - ndërsa shprehu bindjen se edhe vetë Komisioni e ka vullnetin e plotë për këtë çështje. "Ka qenë çështja e pasaportave biometrike, por edhe çështja e zgjedhjeve. Në periudhë zgjedhore vendimet e mëdha nuk merren, pasi ato do të ndikonin në procesin zgjedhor. Sigurisht, është e drejtë që të ketë një neutralitet", - theksoi Kryeministri Berisha.

Austria, Raunig: Vizat, edhe me mbështetjen tonë

Austria është një partner shumë i rëndësishëm i Shqipërisë gjatë procesit të liberalizimit të vizave dhe integrimit të plotë në BE. Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, takoi dje ambasadorin e Austrisë në Tiranë, z. Florian Raunig, me të cilin diskutoi për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe në mënyrë të veçantë atë të liberalizimit të vizave. Ambasadori Raunig vlerësoi gjithashtu “marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve” dhe rikonfirmoi “angazhimin e palës austriake për t’i thelluar akoma më shumë ato”. “Në këtë kuadër, - vijoi më tej Ambasadori Raunig, - vizita e ardhshme e ministrit të Jashtëm austriak, z. Michael Spindelegger, në Tiranë, është një tjetër fakt që tregon rëndësinë që Austria i kushton forcimit të këtyre marrëdhënieve”.

Vizita e ministrit të Jashtëm austriak në Tiranë u konfirmua për datën 8 tetor 2009.

Pazios: Greqia, mbështetje pa rezerva për vizat dhe BE-në

Greqia do të vazhdojë të mbështesë pa rezerva Shqipërinë për liberalizimin e vizave dhe integrimin e saj evropian, ashtu siç e dëshmoi edhe gjatë anëtarësimit në NATO. Nga ana e saj qeveria jonë konfirmon vullnetin shqiptar për dinamizmin e kontaktit më të lartë mes dy vendeve, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve në Greqi. Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, priti dje në një takim kortezie ambasadorin e Greqisë në Tiranë, z. Nikolas Pazios. Në fokus të bisedës së zhvilluar ishte bashkëpunimi dypalësh, procesi i liberalizimit të vizave dhe aplikimi i Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Të dyja palët konfirmuan vlerësimin se mes të dyja vendeve tona ka një nivel të shkëlqyer të marrëdhënieve të bashkëpunimit në të gjitha fushat, dëshmi kjo e vullnetit politik mes të dyja qeverive dhe bazë solide për të vijuar në thellimin e tyre në të ardhmen. Z. Meta i ka vlerësuar marrëdhëniet me Greqinë si parësore dhe strategjike edhe në këndvështrimin rajonal, ku të dyja vendet kanë një përqasje të njëjtë lidhur me perspektivën e vetme evropiane të rajonit si premisë që synon paqen, zhvillimin dhe begatinë e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›