Idrizi: Greqia nuk e ndal dot integrimin në BE

Shpëtim Idrizi
Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka reaguar sot lidhur me deklarimet e minisrisë së Jashtme greke për emërimin e dy zyrtarëve të saj në qeverinë shqiptare. Idrizi i ka quajtur deklarimet e zëdhenesit, Gregori Dhelavekuras, si përpjekje për të ndërhyrë në punët e brendshme të Shqipërisë, si dhe kërcënim ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
Kërkesat legjitime të komunitetit çam, janë të frymëzuara drejtpërsëdrejti nga parimet evropiane më të çmuara, sikurse është, e drejta e pronës, e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe riatdhesimit të Shqiptarëve të Çamërisë në trojet e tyre. Nuk duhet harruar një fakt historik që në vitin e mbrapshtë 1913, që Çamëria u aneksua nga Greqia, ashtu sikurse Kosova u aneksua nga Serbia.Greqia nuk duhet të bjerë pre e rudimenteve shoviniste greke- thuhet në deklaratë.
Një sjellje e tillë e shantazhimit të Shqipërisë, me procesin e integrimit, vetëm e vetëm për të përmbushur oreksin e pangopur nacionalist të qarqeve të caktuara në Greqi, nuk ka asnjë gjë të përbashkët me politikën zyrtare të Bashkimit Evropian dhe me vlerat e larta që Brukseli do të përhapë në Ballkan, thuhet më tej në deklaratën e PDIU-së, duke shtuar se, qëndrimet e PDIU nuk bihen kurrsesi ndesh me frymën integruese të Shqipërisë, përkundrazi, në programin e partisë sonë integrimi në Bashkimin Evropian dhe, thellimi i marrëdhënieve me vendet e Aleancës së Atlantikut, janë prioritete thelbësore.
Athina zyrtare u shpreh pak ditë më parë, e shqetësuar pas vendimit të fundit të qeverisë shqiptare për të bërë pjesë të saj edhe Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet.