Fyle, vizitë në Shkup e Prishtinë. Zëdhënësi: Tiranën? Do e shqyrtojmë
Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, pritet të vizitojë së shpejti Shkupin dhe Prishtinën, por sërish nuk ka në plan për të vizituar Tiranën. Zëdhënësi i Fyles, Peter Stano, i pyetur për këtë çështje nga Top Channel, thotë se komisionari të paktën një herë në vit duhet ta vizitojë Tiranën. Po se kur, nuk dihet. Planet e tij të udhëtimit hartohen në atë mënyrë që të paktën komisioneri ti vizitojë një herë në vit vendet nën portofolin e tij. E njëjta gjë vlen për Shqipërinë, për të cilën ne po planifikojmë një udhëtim të komisionerit, por data e saktë nuk është vendosur ende. Siç e thatë, këtë muaj ai do të vizitojë Shkupin dhe Prishtinën. Po punohet për planifikimin e axhendës së tij për muajt e ardhshëm dhe kur të jetë koha më e mundshme, në varësi të barrës së punës, por dhe kur të jetë e rëndësishme për axhendën mes BE-së dhe Shqipërisë, atëherë do të jetë e sigurt se komisioneri do ta vizitojë Shqipërinë, pasi është një prej vendeve në varësinë e tij dhe ai përpiqet ti vizitojë këto vende të paktën një herë në vit, tha Stano.