Idrizi: Në thelbin e programit tonë, zhvillimi ekonomik
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet vijoi fushatën e saj zgjedhore në Kavajë dhe në Shijak. Kryetari Shpëtim Idrizi theksoi se vota për këtë parti është një votë për çështjen kombëtare, që nis nga padrejtësitë historike të kombit shqiptar e deri tek nevojat e tanishme të qytetarëve tanë. Idrizi tha se zhvillimi ekonomik i Shqipërisë dhe shqiptarëve është thelbi i programit të PDIU-së dhe se ky zhvillim realizohet vetëm nëpërmjet bashkimit ekonomik të Shqipërisë dhe Kosovës. “Në këto zgjedhje do të kemi mundësi të tregojmë se shqiptarët janë të bashkuar, për të çuar në vend amanetin e të parëve, duke rregulluar padrejtësitë historike, të bëra ndaj kombit shqiptar prej vitit 1913. Por ne jemi edhe partia e patriotizmit modern shqiptar, e patriotizmit pragmatik. Sepse që kombi ynë të jetë i fortë duhet që mirëqenia e qytetarëve shqiptarë të jetë e lartë. Në thelbin e programit tonë është zhvillimi ekonomik, që vjen vetëm nëpërmjet bashkimit ekonomik të Shqipërisë dhe Kosovës, duke krijuar një treg shumë herë më të madh, që rrit pagat dhe privilegjet e të gjithë shqiptarëve”, nënvizoi Idrizi. Kryetari i PDIU-së deklaroi se kjo parti konkurron në të gjithë vendin, nga Vermoshi në Konispol, për të çuar përpara axhendën kombëtare. Ndërkaq, u bëri thirrje kavajasve që të votojnë PDIU-në, si partia kombëtare shqiptare. “Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet garon në këto zgjedhje me 4500 burra dhe gra patriotë për anëtar të këshillave komunalë dhe bashkiak në të gjithë territorin e vendit, nga Vermoshi në Konispol. Unë ju ftoj të gjithëve që të votoni për Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, partinë që të bën krenar që je shqiptar”, tha Idrizi.