Rama: 7 projektet e Tiranës që sjellin 200 mijë vende pune
“Në datën 8 maj do të votoni për të vetmen rrugë, vota për rrugën që pret frikën”. Me këtë thirrje i është drejtuar dje simpatizantëve dhe mbështetësve të opozitës, Edi Rama, gjatë mitingut elektoral të mbajtur në Bashkinë e Vorës. Duke prezantuar kandidatin Bashkim Haxhiu që garon në logon e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Rama insistoi se vota më 8 maj do të bëjë dallimin se kush është qeverisja më e denjë, ndërsa çdo qytetar të përdorë fuqinë që i jep demokracia. Kreu opozitar nuk ka lëne pas dhe akuzat ndaj shefit të qeverisë ndërsa ka shtuar se Berisha kërcënon me bukën e gojës për të imponuar votën. “Në datën 8 maj, do t’i themi Berishës, kurrë më”, tha Rama. Në cilësinë e kandidatit për mandatin e katërt në Bashkinë e Tiranës, Rama prezantoi po dje edhe programin e bashkisë për punësimin dhe zhvillim të kryeqytetit. Në vlerësimin e Ramës mungojnë politikat për të luftuar papunësinë, ashtu sikundër luftohet në të vërtetë. “Politikanët tradicionalë bëjnë premtime të papërmbajtshme për të ulur e ulur kontributet. Sot të gjithë njerëzit e zakonshëm, ata që jetojnë me një rrogë, mësues, infermierë, policë e nënpunës në të gjithë sektorët shtetërorë paguajnë shumë më tepër taksa se sa paguanin 6 vjet më parë, kur Saliu u premtoi horizontin e parajsës ekonomike e sot po i çon përditë e më shpejt drejt një ferri ekonomik, dhe jo vetëm paguajnë shumë më tepër detyrime në formë kontributesh financiare për shtetin, por blejnë shumë me pak se sa 6 vite më parë”, këmbënguli Rama. Biznesi i ka paguar Bashkisë së Tiranës tre taksa, sot i paguan 2, sqaroi kreu socialist, sipas të cilit në këto 6 vite biznesit i është rritur barra sepse i janë shtuar taksat që i ka rritur Saliu, që paturpësisht duke përfiton nga kanalet e informimit të njerëzve, me cinizëm e përçmim ndaj njerëzve. Më tej kryebashkiaku Rama se Bashkia e Tiranës nuk është vetëm kryetari, por një institucion, një program që ofron shërbimet më të mira për qytetarin. “Sot kemi një program zhvillimi më shumë të bazuar në një plan strategjik me komponentët e veta, urban, social dhe ekonomik. 7 projekte të mëdha të Tiranës europiane dhe me vazhdimin e punës së nisur krijojmë mundësi për 200 mijë vende pune. E dimë ekzaktësisht se ku janë këto 200 mijë vende pune dhe si mund të realizohen ato. Duke larguar Saliun, Shqipëria do të kthehet në punë dhe do përgjysmojmë shifrën për 1 milion të papunësh në harkun e një mandati e gjysmë qeveri”, deklaroi Rama. Duke u ndalur sërish te situata e biznesit, kreu socialist u shpreh se një biznes i paguan katër herë më shumë qeverisë sesa i paguan bashkisë. “Në momentin e parë që do të jemi në qeveri, gjithçka që Saliu i ka shtuar biznesit do t’i heqim. Pasi blenë kasën fiskale tani shtohet një tullë në ndërtesën fiskale të Saliut. Është taksa për mirëmbajtjen e kasës. Fatura e mirëmbajtjes së kasës do të mbërrijë pas zgjedhjeve dhe në një vit është 25 për qind më shumë për të mirëmbajtur kasën sesa për të pastruar Tiranën”, nënvizoi Rama.