Shamku: Vota e 8 majit, hakmarrja për këtë regjim
Opozita vazhdoi dje të sulmojë kandidatin e mazhorancës për kryebashkiak të Tiranës, Lulzim Basha. Në një komunikim me median, deputetja Ledi Shamku u shpreh se ky kandidat, dy herë i kërkuar nga drejtësia për vjedhjen e 200 milionë eurove e për vrasjen e katër shqiptarëve të pafajshëm më 21 janar. “Luli i Saliut, që firmosi shitjen e detit kur ishte ministër e që bridhte nëpër botë me shtatë pasaporta, tani ka dalë të blejë vota me miell, njësoj si Saliu vaktit. Deri dje, Saliu bridhte me thasë me miell në kurriz në fshatrat e thella të këtij vendi të varfër, kurse sot, Luli i Saliut del sërish po me miell. T’i vijë turp, e t’i vijë shume turp që i fyen në këtë farë feje tiranasit, duke u rrekur t’u blejë nderin me këtë qese. Tiranasit nuk kanë jetuar kurrë lëmoshë, as në kohë të Enverit e as në kohë të Saliut të Enverit”, tha Shamku. Tiranasit, vijoi ajo, kanë jetuar gjithnjë falë punës së vet të ndershme, po Luli i Saliut nuk i njeh tiranasit sepse në Tiranë ai ka jetuar si turist me 7 pasaporta ose si ministër i oborrit. “Luli i Saliut e ka të kotë, nëse shpreson se kryeqytetasit do t’i japin atij votën për një kile miell e një pako makarona. Mbarë shqiptarët e dinë mirë se vota është hakmarrja e tyre më e mirë për këtë regjim të Lulit e Saliut, që ka vjedhur e ka vrarë për të mbushur xhepat ndërkohë që shqiptarët janë zhytur në varfëri e papunësi”, insistoi Shamku. Më 8 maj banorët e kryeqytetit, u shpreh deputetja socialiste, do t’i japin Saliut dhe Lulit të Saliut atë që meritojnë: humbjen e thellë në Tiranë dhe disfatën në mbarë Shqipërinë, pasi e vetmja rrugë më 8 maj është Edi Rama dhe Partia Socialiste.