E Shtunë, 31 Tetor 2026

Idrizi: Qeveria ti imponojë Greqisë pranimin e çështjes çame

Partia për Drejtësi dhe Unitet deklaroi votën kundër marrëveshjes së nënshkruar nga qeveria shqiptare dhe ajo greke për varrezat e ushtarëve grekë që pushtuan jugun e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kryetari i kësaj partie, Shpëtim Idrizi, deklaroi se të gjitha dokumentet historike tregojnë se ajo ishte një ushtri pushtuese, që u soll si e tillë në territorin shqiptar. Në emër të PDU-së ai i kërkoi qeverisë shqiptare që të mos heshtë më për çështjen çame dhe për të drejtat e çamëve ortodoksë. Ne sot kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare dhe qeveria shqiptare që ti imponojë Greqisë, një shtet anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian, pranim publik të fajit prej Greqisë, shtetit shkaktar të këtij gjenocidi; restaurimin e së drejtës së pronësisë; dëmshpërblime për familjarët e viktimave të pafajshme të këtij gjenocidi, - tha Idrizi. Ai kërkoi gjithashtu mundësi për anëtarët e komunitetit çam për të vizituar tokat dhe varret e të parëve, ngritjen e lapidarëve apo monumenteve që nderojnë të vdekurit dhe të vrarët e asaj periudhe dhe heqje e memorialëve të atyre që shkaktuan masakrat mbi popullsinë shqiptare çame si dhe amendim të ligjeve të vitit 1970-1980 në ato nene, që ndalojnë ish-shtetasit grekë me kombësi shqiptare të rikthehen. Partia për Drejtësi dhe Unitet është e bindur se marrëdhëniet e mira fqinjësore midis Shqipërisë dhe Greqisë kalojnë nga një zgjidhje e drejtë e problemit çam, - përfundoi Idrizi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›