Komiteti për Stabilizim-Asociimin pranë PE-së, plotësohet lista
Gjatë seancës së djeshme plenar, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, lexoi listën e plotë të deputetëve që bëjnë pjesë në Komitetin për Stabilizim-Asociimin pranë PE-së. Gjatë takimit me Presidentin për Komisionin për Ballkanin në PE, Eduart Kukan, dhe përfaqësues të tjerë u ra dakord të niset lista e plotësuar edhe me emrat e deputetëve socialistë, të Komitetit për Stabilizim-Asociimin pranë Parlamentit Evropian. Si Parlament plotësojmë detyrimin tonë për plotësimin e Komitetit të Stabilizim-Asociimit në Parlamentin Evropian, - tha kryetarja e Kuvendit. Në këtë komitet janë deputetët demokratë Fatos Beja, Viktor Gumi, Jemin Gjana, Mesila Doda, Aldo Bumçi, Albana Vokshi dhe socialistët Arta Dade, Ermelinda Meksi, Valentina Leskaj, Arben Malaj, Ditmir Bushati, Taulant Balla, Sajmir Tahiri dhe Ilir Beqja. Ndërkohë që Arenca Trashani, Gerti Bogdani, Sherefedin Shehu, Mimi Kodheli dhe Ledi Shamku janë emrat zëvendësues. Po dje, Kuvendi miratoi dhe ligjin Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e Konferencës së Hagës, Për marrjen e provave jashtë shtetit në çështjet civile ose tregtare, Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8752, datë 26.3.2001 Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës dhe ligjin Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10.119, datë 23.4.2009 Për planifikimin e territorit.