E Diel, 1 Nëntor 2026

Samit i vështirë

Takimi i nivelit të lartë ku pritet të marrin pjesë shtetet anëtare të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor që do të mbahet më 1 qershor në Sarajevë, nën kryesimin e presidencës spanjolle ka për synim që të sigurojë pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve relevantë rajonalë.

Sipas EU Observer, në përpjekje për të bërë këtë zyrtarë drejtorët politikë të vendeve të Bashkimit Europian do të takohen në Vjenë përpara se të mbahet konferenca për të zgjidhur dy çështjet kryesore si do të prezantohet Kosova në atë takim dhe se cili do të jetë mesazhi që do të përçojë “deklarata e Sarajevës”.

Nga kjo edhe varet suksesi i këtij takimi. Organizatorët janë duke bërë përpjekje që të evitojnë skenarin e Brdos ku konferenca u bojkotua nga Presidenti i Serbisë dhe nga liderët europianë.

Madje, sipas diplomatëve , Spanja me dëshirë do të kishte hequr dorë nga organizimi I konferencës nëse kjo do të ishte e mundur për shkak të vështirësive të organizimit.
Spanja nuk njeh pavarësinë e Kosovës e nëse fton pjesëmarrësit në bazë të qëndrimit të saj nacional rreth Kosovës, ekziston mundësia që kosovarët të mos shkojnë fare ndërsa disa vende të dërgojnë diplomat të profilit të ulët në konferencë.

Fillimisht ky takim ishte menduar si një takim në nivel të liderëve të shteteve sikur samiti I Zagrebit në vitin 2000 në të cilën është konfirmuar perspektiva europiane për të gjitha vendet e rajonit.

Një zyrtar spanjoll ka deklaruar se akoma është herët se si do të ftohen pjesëmarrësit në këtë konferencë duke thënë se ka disa precedente rreth pjesëmarrjes në konferenca të tilla.

Sipas disa diplomatëve europianë një ide inventive është që të ftohen dy delegacione nga Kosova : Një nga Qeveria e Prishtinës dhe një nga administrata e UNMIK’ut.

“Ata që e njohin Kosovën do ta shohin Kosovën atje. Ata që nuk e njohin do ta shohin UNMIK’un”. Sipas këtij zyrtari delegacionet e UNMIK’ut dhe Kosovës do të uleshin afër njëri tjetrit por jo së bashku.

Diplomatët europianë tashmë janë koshient se Bashkimi Europian ka menaxhuar në mënyrë të keqe Konferencën e Brdos, pasi Presidenca spanjolle dhe Herman Van Rompuy kanë hequr dorë në momentin e fundit nga pjesëmarrja.

Përmbajtja e “ Deklaratës e Sarajevës” do të ishte më pak problematike . Dy nikoqirët Ministri I Jashtëm spanjoll Moratinos dhe kolegu I tij Italian Franco Fratini I cili është bashkëorganizator kanë vënë caqe modeste për këtë samit duke thënë se nuk ka nevojë që të përsëriten zotimet e BE’së për Ballkanin Perëndimor.

Kjo deklaratë po ashtu pritet që të përfshijë edhe një paragraf ku përfshihen synimet për secilin shtetet në Ballkanin Perëndimor në plan afatshkurtër.

Sipas pikëpamjes spanjolle kjo do të nënkuptonte : kompletimin e negociatave për anëtarësim me Kroacinë, hapjen e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë sa më shpejtë që është e mundur.

Përgatitjen e opinionit nga e ana Komisionit Europian në një kohë të duhur rreth aplikimit për anëtarësim në BE nga Shqipëria dhe Mali i Zi, përshpejtimin e procesit për t’ia dhënë Serbisë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.

Ndihmë për Bosnjën dhe Hercegovinën për të përparuar në kursin e saj europian si dhe për përmbushjen e kritereve për heqjen e vizave.

Ndërsa kur bëhet fjalë për Kosovën potencohet ndihma për zhvillimin ekonomik dhe socio-politik si dhe perspektiva e saj europiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›