E Shtunë, 31 Tetor 2026

Idrizi: Të bashkëpunojmë për bashkimin kombëtar

 Qindra kalimtarë dhe patriotë u bashkuan për të festuar së bashku me PDIU ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, duke kremtuar 99 vjetorin e ngritjes së flamurit në Vlorë. Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, z. Shpëtim Idrizi përshëndeti të pranishmit me thirrjen që të ngremë gjatë gjithë vitit flamurin kombëtar dhe për ngritjen e një panteoni për të gjithë rilindasit.

“PDIU për katër vite rresht ka organizuar thirrjen e madhe që çdo shtëpi shqiptare të ketë një flamur. Sot gjithë Shqipëria, Kosova, Çamëria janë veshur kuq e Zi. Unë bëj thirrje që gjatë gjithë vitit deri në përvjetorin e 100 të pavarësisë të valëvitet flamuri kuq e zi pa rreshtur në çdo shtëpi shqiptari”, tha z. Idrizi.

Ai theksoi nevojën që në qendër të Tiranës të ngrihet një panteon për të respektuar rilindasit tanë. "Nuk mund të kemi vëllezërit Frashëri nga liqeni, Skënderbeun në Lezhë, Ismail Qemalin në Vlorë. Sot është një ditë ku duhet të vlerësojmë dhe të nderojmë ata burra dhe gra që e bënë Shqipërinë të lirë siç është sot. Unë i bëj thirrje forcave politike dhe qeverisë shqiptare të ngrejë memorialin e të gjithë shqiptarëve, të mos lejojmë që rilindasit të jenë të shpërndarë. Në zemër të Tiranës të qëndrojë panteoni i shqiptarëve dhe ne të respektojmë të gjithë shqiptarët. Prandaj në emër të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet propozoj ngritjen e panteonit ku të vendosen eshtrat e të gjithë rilindasve tanë në qendër të kryeqytetit, në një vend pelegrinazhi nga të gjithë ne”, ka theksuar Idrizi.

Idrizi e përfundoi fjalën e tij me një thirrje dhe urim për bashkim kombëtar. "Të gjitha forcat politike duhet të bashkëveprojnë sot në mënyrë që të arrihet që të bashkohen të gjitha trojet shqiptare nga Presheva në Prevezë dhe shqiptarët të jetojnë në një shtet aty ku i ka vendosur Zoti" - tha z. Idrizi.

Në të njëjtën kohë, të rinjtë e Klubit të Patriotëve të Rinj dhuruan për të gjithë të pranishmit dhe kalimtarët mijra flamuj, me qëllim vendosjen e tyre nëpër shtëpitë e tyre. Kartolina urimi për pavarësinë dhe stema iu dhuruan të gjithë kalitmarëve të rastit. Më shumë se 5 mijë flamuj u shpërndanë vetëm në Tiranë.

                                                                                             2011-11-28 16:13
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›