Leja e votimit, 60 qytetarë të tjerë i drejtohen gjykatës
Tiranë- Një ditë para përfundimit të afatit të përcaktuar në ligj, qytetarët që nuk kanë gjetur emrin në listën e votuesve kanë nxituar të kërkojnë nga Gjykata ushtrimin e të drejtës së votës. Në një ditë të vetme, në këtë gjykatë janë depozituar të paktën 60 kërkesa me objekt “leje për të votuar”, duke e çuar kështu në rreth 90 numrin e kërkesave që do të shqyrtohen nga kjo gjykatë. Sipas faqes zyrtare të Gjykatës së Tiranës, rezulton se deri tani janë plot 59 kërkesa nga banorë të kryeqytetit dhe zonat përreth të cilët kanë probleme me listat në qendrat e tyre të votimit. Për të përballuar fluksin e kërkesave që pritet të dyfishohen deri ditën e nesërme, gjykata ka caktuar një grup të posaçëm gjyqtarësh, që do të marrin në shqyrtim dhe do t’u japin zgjidhje të gjitha kërkesave para datës 8 Maj, kur do të mbahen edhe zgjedhjet për qeverisjen vendore në shkallë vendi. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme Gjykata e Tiranës kishte dhënë përgjigje për 8 nga 59 kërkesat e depozituara gjatë ditëve të fundit. Sipas të dhënave zyrtare, rezulton se nga tetë kërkesat e shqyrtuara, gjykata ka pranuar të pranojë vetëm dy prej tyre, si të bazuara në Kodin Zgjedhor. Gjykata ka vendosur të rrëzojë katër kërkesa, për persona që pretendojnë të votojnë në një qendër tjetër votimi, kur emri i tyre është regjistruar në një njësi vendore të ndryshme nga ajo që pretendohet të votohet. Gjykimi i dy prej kërkesave është pushuar nga Gjykata, pasi në një rast kërkuesi ka gjetur emrin në listat e një tjetër qendre votimi, ndërsa në rastin e dytë, kërkuesi nuk është paraqitur në seancë, edhe pse kishte dijeni për orën dhe ditën kur do të zhvillohej. Sipas një njoftimi të shpërndarë nga Gjykata e Tiranës pak ditë më parë, bëhet me dije se trupa gjyqësore e caktuar për shqyrtimin e këtyre kërkesave do të presë kërkesat e qytetarëve deri ditën e premte ora 24:00, afat ky i përcaktuar nga Kodi Zgjedhor.