Idrizi çel fushatën në Durrës: Maskarada e Greqisë me toponimet duhet të marrë fund
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet zhvilloi një miting madhështor në qytetin e Durrësit, ku kryetari i PDIU-së zoti Shpëtim Idrizi ka prezantuar kandidatin për deputet të Qarkut të Durrësit, zotin Ilir Tahiri.
Në fillim të fjalës së tij, zoti Idrizi është ndalur tek problemi i toponimeve me Greqinë, pas një vendimi të marr së fundimi nga shteti fqinj për lejimin e personave që kanë lindur në Greqi, që të udhëtojnë drejtë Shqipërisë për të votuar.
Greqia paska marrë një vendim që për një afat 20 ditor, të lejojë kalimin e atyre që kanë lindur në Greqi, në kufi pavarësisht problemit të toponimeve. Ne i bëjmë apel Ministrisë së Jashtme që të ndërhyj për të mbyllur këtë çështje njëherë e mirë. Greqia të ndalojë diskriminimin e shqiptarëve dhe të harrojë ëndrrat me Vorioepir. Kush është Greqia që një ditë e ka problem çështjen e toponimeve e një ditë nuk e paska. Kjo maskaradë duhet të marrë fund. Ndaj votoni të vetmit që ngrenë zërin për këtë problem. Votoni numrin 50, votoni alternativën kombëtare, Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet. deklaroi Idrizi.
Idrizi është ndalur edhe tek vlerat kulturore dhe historike të qytetit të Durrësit.
Durrësi është porti më i rëndësishëm në vend, lidhet me Italinë dhe Slloveninë me anë të trageteve të linjave. Ka qenë qendër e rëndësishme portuale, administrative, ekonomike, tregtare, politike, që në shekujt më të hershëm, e kurdoherë ka qenë i pranishem në historinë e Pellgut të Mesdheut, veçanërisht në detin Adriatik. Të kthehet në pikën kryesore të gjithë turistëve, sepse Durrësi veç detit ka dhe një trashëgimi të jashtëzakonshme kulturore, historike dhe arkeologjike. Është një nga qytetet më të vjetër të Shqipërisë. Ka vlera historike, arkeologjike, etnografike, natyrore e urbanistike të jashtëzakonshme. Ne besojmë se për të forcuar ndjenjën e patriotizmit shqiptar, për të promovuar turizmin dhe kulturën tonë, për të përcjellë në brezat e ardhshme krenarinë kombëtare, për të njësuar kombin shqiptar dhe për të arritur një zhvillim më të madh ekonomik, shteti shqiptar duhet të përqëndrohet në ruajtjen, promovimin dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore -tha ai.
Duke u ndalur tek rëndësia strategjike e Durrësit, kreu i PDIU-së theksoi se ky qytet mishëron më së miri programin për Komunuellthin Ekonomik Shqiptar.
Durrësi është edhe pikënisja e korridorit 8, si dhe kryqëzim i linjave më të rëndësishme të autorrugëve, ku më e rëndësishmja është linja Durrës – Kukës – Morinë e cila lidh Shqipërinë me Kosovën duke shkurtuar largësinë e udhëtimit. Është një nga qyetetet që mishëron më së miri programin tonë për Komunuellthin Ekonomik Shqiptar. PDIU është partia e bashkimit ekonomik kombëtar. Ne besojmë se për të realizuar objektivin për zgjidhjen e çështjes kombëtare, për të pasur një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, për të arritur norma zhvillimi dyshifrore dhe mirëqënie për kombin shqiptar, Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës dhe shqiptarët në vendet fqinje duhet të kenë ekonomi komplementare dhe jo konkurruese mbylli fjalën e tij Shpëtim Idrizi.
Ndërkaq kandidati për deputet i PDIU-së për Qarkun e Durrësit, zoti Ilir Tahiri ka shprehur bindjen se qyteti i Durrësit më datë 23 qershor do zgjedh çështjen kombëtare përpara konflikteve dhe sharjeve politike.