E Diel, 1 Nëntor 2026

Idrizi eshtjen came vetem kombi yne mund ta zgjidhe

"Çështja çame është një çështje komplekse, por mbi të gjitha është një çështje që vetëm kombi ynë mund t'a zgjidhë. Ajo është një çështje ndërkombëtare sepse lidhet me marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe fqinjve, për këtë arsye ajo nuk mund të trajtohet thjesht”, jështu deklaroi Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, gjatë ceremonisë së çeljes së Javës Çame.

Sipas tij, "problemi çam sot është mjaft i madh dhe PDIU ka kërkuar nga institucionet ndërkombëtare dhe nga drejtuesit më të lartë shqiptarë zgjidhje për problemin e çamëve".

Sipas Idrizit, një problem është edhe refuzimi për kalimin e kufirit për në Greqi të shumë shqiptarëve me origjinë nga Çamëria. "Për këtë po krijojmë një databaze me të gjithë emrat e atyre që u është refuzuar kalimi i kufirit dhe shumë shpejt do të përgatisim një dosje", tha Idrizi në fjalën e tij gjatë ceremonisë përkujtimore për viktimat e tragjedisë çame.

Sipas tij, parësore në zgjidhjen e çështjes çame është rruga politike dhe për këtë hapi i parë ishte krijimi i një partie politike.

Sipas PDIU, Java Çame do të vijojë me disa aktivitete, ku nesër në Bulevardin “Dëshmoret e Kombit” do të çelet ekspozita fotografike para Kuvendit të Shqipërisë. Triptiku prezanton fotografi historike të shqiptarëve të Çamërisë, përpara Luftës së Dytë Botërore, vuajtjet e tyre, figurat e shquara dhe pamje gjeografike të Çamërisë sot.

Të mërkurën, Shoqata Çamëria dhe PDIU çelin konkursin për rehabilitimin e varrezave të Kllogjerit në Komunen Xarrë, të Sarandës, ku më 27 qershor të vitit 1944 mijra banorë të Çamërisë humbën jetën gjatë dëbimit nga shtëpitë e tyre.

Të enjten, jashtë sallës së Parlamentit qindra të rinj të Klubit të Patriotëve të Rinj dhe shoqatës Çamëria, si dhe dashamirës të çështjes çame do të protestojnë në një tubim paqësor, me pankarta në duar për të drejtat e mohuara të kësaj popullsie.

Të shtunën do të zhvillohet pelegrinazhi në kujtim të atyre që humbën jetën gjatë spastrimit etnik dhe genocidit të popullsisë shqiptare të Çamërisë. Gjithashtu dot ë zhvillohen edhe homazhe në Varrezat e Kllogjerit.

Po të shtunën, në Sarandë, do të zhvillohet Festivali i Muzikës dhe Valles Çame, në përkujtim të traditave më të mira të kësaj treve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›