E Shtunë, 31 Tetor 2026

Idrizi thirrje ndërkombëtarëve për çamërinë

Me mijëra persona nga të gjitha trevat shqiptare morën pjesë në këtë përkujtimore, ku me flamuj kombëtar në duar nisën marshimin drejt pikës së kalimit kufitar të “Qaf- Botës”.

Gjatë fjalës së tij, deputeti i PDU-së, Z. Dashamir Tahiri deklaroi përpara mijëra pjesëmarrësve se pas një viti ky aktivitet do të zhvillohet në Gumenicë. “ Motra dhe vëllezër, unë ju deklaroi se pas një viti ne të gjithë bashkë do jemi duke festuar në Gumenicë si të parët tanë”.

Në këtë përkujtimore përshëndetën dhe një sërë figurash të njohura nga trevat shqiptare. Deputetja e Parlamentit të Kosovës dhe shkrimtarja e njohur, Znj. Flora Brovina, deklaroi se çamët nuk janë vetëm në çështjen e tyre por kanë mbështetjen e të gjithë popullit shqiptar ku do që ndodhet. Kryetari i PDU-së, Idrizi falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në këtë aktivitet duke shprehur se tashmë kauza e tyre është gjithnjë e më pranë realizimit.

“Ne, dy deputet çam, djemtë tuaj, jemi këtu për t’ju garantuar që, ne do punojmë pa u lodhur deri në arritjen e dhënies së Drejtësisë për çështjen çame” – deklaroi Idrizi, duke shtuar se “gjej rastin këtu që t’ju garantoj se zëri ynë, që ju keni filluar ta dëgjoni nëpër media dhe në Parlament, do të bëhet çdo ditë e më i fuqishëm deri në plotësimin e kërkesave tona legjitime”.

Idrizi iu drejtua nga Qaf-Bota bashkësisë ndërkombëtare dhe Qeverisë Shqiptare që t’i imponojë Greqisë, një shteti anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian:
- Pranimin publik të fajit prej Greqisë, shtetit shkaktar të këtij geoncidi dhe kërkimin e një falje;
- Dëmshpërblimin për familjarët e viktimave të pafajshme të këtij genocidi;
- Mundësi për anëtarët e Komunitetit tonë për të vizituar tokat dhe varret e të parëve;
- Ngritja e lapidarëve apo monumenteve që nderojnë të vdekurit dhe të vrarët e asaj periudhe dhe heqje e memorialeve të atyre që shkaktuan masakrat mbi popullsinë shqiptare çame;
- Restaurimin e së drejtës së pronësisë;
- Amendimin e ligjeve të vitit 1970-1980 në ato nene që ndalojnë ish-shtetasit grekë me kombësi shqiptare të rikthehen. Këto nene bien në kundërshtim me Europen Convention of Human Rights apo Deklaratën Universale të të drejtave të njeriut të OKB dhe Konventën Europiane të të drejtave të njeriut, që ndalojnë çdo lloj diskriminimi mbi bazën e kombësisë;
-Realizim të së drejtës së rikthimit në tokat e tyre të të gjithë atyre që e duan një gjë të tillë duke rifituar statusin e para Luftës së dytë botërore;
-Ndalimin e diskriminimit të vëllezërve çamë ortodoksë, që jetojnë në trojet e tyre në Greqi dhe dhënien e të gjithë të grejtave si për çdo minoritet tjetër në përputhje me Konventën Ndërkombëtare për Minoritetet.

Në fund të fjalës së tij, Kryetari i PDU-së, Shpëtim Idrizi i bëri një thirrje publike Tahir Muhedinit, që të bashkohen në NJë. “Unë nga kjo tribunë e të gjithë Shqiptarëve, i bëj një thirrje publike dhe Tahir Muhedinit, në emër të gjakut e amanetit të të parëve, të vi e të bashkohet me NE, e bashkë me ne ta çojmë përpara këtë çështje”, mbylli deklaratën e tij, Idrizi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›