E Shtunë, 31 Tetor 2026

Igli Tare, 45 minuta dhe dy gola në miqësoren e radhës

Albania-Sport - Kapiteni i Kombëtares kuqezi, Igli Tare, ka shënuar dy gola në miqësoren që skuadra e tij, Lacio, ka zhvilluar të mërkurën kundër amatorëve të Torri in Sabina, të cilën skuadra kreyqytetase e ka fituar me rezultatin 8-0. Në pjesën e parë, të fituar me rezultatin 3-0 nga bardhekaltërit e drejtuar nga trajneri Delio Rosi, Tare nuk ka qenë në formacion dhe golat mbajnë firmën e Maurit dhe Makinuas (dy gola).
Shtatlarti i sulmit kuqezi është futur në fushën e lojës me fillimin e pjesës së dytë, për maqedonasit Goran Pandev, me të cilin do të përballet në miqësoren e 7 shkurtit, që Shqipëria do të zhvillojë kundër Maqedonisë në Shkodër. Tare ka hapur rrjedhën e golave në 45 minutat e dyta, dhe, pasi Beleri, Manfredini dhe Baronio kanë sigluar me radhë nga një gol secili, është sërish bjondi shqiptar ai që vulos fitoren në shifrat 8-0 me golin e tij të dytë.
Vlen të theksohet fakti se, gjatë pjesës së dytë të ndeshjes, me skuadrën amatore të Torri in Sabinas kanë luajtur edhe dy lojtarët e Lacios, Simone Inzagi dhe Daniele Greco. Nesër paradite, skuadra e Tares do të zhvillojë seancën e fundit stërvitore, në përgatitje për sfidën e radhës në kampionat, vizitën që lacialët do t'i bëjë në "Tardini" Parmës. Lacio mban vendin e 6-të në renditje, me 27 pikë (plot 27 pikë pas Interit kryesues), ndërsa Parma është në zonën e ftohtë të rënies nga kategoria, me 15 pikë, dy pikë më tepër se Rexhina e vendit të parafundit dhe 6 pikë më tepër se Askoli i vendit të fundit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›