Igli Tare: Roma-Lacio, si Shqipëri-Greqi

Ish-kapiteni kuqezi mendon se janë të paktë lojtarët që kanë privilegjin të luajnë në një sfidë të tillë. Madje, ai shkon më tej, duke e krahasuar derbin e kryeqytetit italian me ndeshjet ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.
“A mendoj se derbi është një ndeshje e veçantë? Mendoj se derbi ndërmjet Lacios dhe Romës është një kampionat më vete. Gjatë një sezoni luhen dy ndeshje që kanë histori të ndryshme. Në këto sfida nuk mjaftojnë vetëm vlerat teknike, por duhet zemër dhe kurajë për të fituar. Mbi të gjitha në një moment të tillë, kur Roma është një skuadër ‘e plagosur’. Duhet të hyjmë në fushë si ushtarë”, deklaroi Tare.
Më tej edhe krahasimi me “derbin e nxehtë” të Ballkanit: “Në ekipin tonë ka disa lojtarë që nuk kanë luajtur asnjëherë në këtë sfidë, për ta është diçka e re. Personalisht e cilësoj një eksperiencë fantastike, një sfidë që të dhuron emocione, të cilat vetëm pak futbollistë të privilegjuar i përjetojnë. Roma-Lacio, e krahasoj me sfidën ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë”.
Në klasifikimin e Serisë A, lacialët kanë grumbulluar 14 pikë më shumë se verdhekuqtë e Spaletit, por Tare shton: “Në letër Roma duket e favorizuar. Përpara se të fillonte kampionati, askush nuk fliste për ne, nuk na shihnin si rivalë. Gjithçka që kemi fituar deri më tani e kemi merituar me paraqitjet në fushën e lojës, shtoi më tej 35-vjeçari. Jam i bindur se do të jetë një ndeshje e vështirë, por nuk duhet të lejojmë që fati i ndeshjes të vendoset nga episodet; duhet të jemi shumë të përqendruar. Ata që do të zbresin në fushë do të japin maksimumin”.
Në fund edhe dy fjalë për skemën që mund të përdorë trajneri Delio Rosi dhe për lojtarët më të rrezikshëm të Romës. “Ekzistojnë mjaft hipoteza rreth skemës.
Gjëja më e rëndësishme është që lojtarët të japin maksimumin. Gjithsesi, mendoj se sulmi me tre lojtarë është i mundshëm, përfundoi Tare. Nga lojtarët e Romës, më shumë i trembet Totit. Mungesa e tij ka ndikuar në rezultatet e skuadrës, megjithatë mendoj se do bëjë të pamundurën që të dielën të luajë. Duhet kujdes edhe ndaj Vuçiniç”.