Igumenicë, kapet makina me 10 kg hashash, tentonte Italinë

Sërish drogë shqiptare në Igumenicë. Pak pasi kishte kaluar kufirin shqiptaro-grek, një shqiptar 27-vjeç, është kapur në Igumenicë, me 10 kg hashash, gati për ta trafikuar në Itali. Policia greke bën me dije se droga është sekuestruar në një makinë, që drejtohej nga një 27-vjeçar shqiptar. Ai është kapur në portin e Igumenicës, pak orë pasi kishte kaluar kufirin shqiptaro-grek. Droga, u gjet e paketuar në 10 pako të mbështjella me letër natriban dhe e shpërndarë në vende të fshehta të makinës.
Sipas policisë, droga do të trafikohej në Ankona, me një nga linjat e trageteve. Ndërkohë, mësohet se makina rezulton e vjedhur dhe prandaj shqiptari, veç akuzës së "trafikimit ndërkombëtar të drogës", do të akuzohet dhe për "vjedhje makinash". Deri në datën 24 dhjetor 2011, në Igumenicë dhe Korfuz, janë kapur rreth 3 ton 850 kg "cannabis sativa" e cila vinte nga Shqipëria.
Janë arrestuar rreth 43 shtetas, nga të cilët 23 shqiptarë, 15 shtetas grekë, 2 policë të Korfuzit dhe 2 të huaj. Shumë nga shqiptarët e arrestuar janë banorë të rrethit të Sarandës, të cilët në një rast kanë bashkëpunuar me dy policët e Korfuzit.