E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Fyerjet e Berishës nuk do t’i harroj kollaj

TIRANE-Presidenti i Republikës, Bamir Topi i ftuar dje në emisionin “Tonight” të gazetares, Ilva Tare në “Ora News” tha në mënyrë të qartë se sa kohë ushtron detyrën e kreut të shtetit nuk do të merret me krijimin e partisë së re. Por sipas tij pas përfundimit të mandatit presidencial në korrik të 2012-ës, të gjitha opsionet janë të hapura. Ai mohoi mundësinë e pajtimit me kryeministrin Berisha duke i kujtuar sulmet e ashpra për ngjarjen e 21 janarit të cilat tha se nuk do t’i harrojë kollaj. Presidenti u ndal edhe tek negociatat mes dy qeverive Shqipërisë dhe Greqisë për paktin detar duke bërë të qartë se nëse shmanget nga ky proces, kjo marrëveshje nuk do të marrë miratimin e tij.
Berisha e quajti të ‘Premten e Bardhë’ zgjedhjen tuaj në krye të shtetit. Vazhdon të jetë një e premte e bardhë?
Ka qenë vetëm një ofertë dhe më është bërë vet nga Kryetari i PD-së Sali Berisha. Gjithmonë i kam quajtur të premten të bardha pavarësisht se mund të ketë dhe të premte të zeza. Unë i kam të gjitha ditët e bardha.
Ku ishte pika e thyerjes me PD-në, me Topallin dhe Berishën?
Kam pasur një komunikim institucional vazhdimisht dhe asnjëherë nuk kam mundur të gjejë se ku është pika e thyerjes. Por mesa duket momenti i ndryshimeve kushtetuese në 2008, ishte momenti kur filloi një ftohje, kur mazhoranca dhe opozita iu futën një ndryshimi në Kushtetutë pa u konsultuar me Presidentin. Ishte e drejta e tyre që erdhi dhe u realizua brenda një nate. Kjo solli sfumim të kompetencave të presidentit dhe kundërfirmosjes së dekreteve të presidentit. Kjo sigurisht sjell një lloj ftohje.
Ju vjen keq që PD-ja ku keni kontribuar ju ka sulmuar?
Sigurisht që ka keqardhje por secili shfaqet para publikut dhe në debate të tilla kaq të rëndësishme që nuk do t’i konsideroja personale, aktorët politikë duhet të kenë mësuar se vendi ka nevojë që të rregulloje etikën e komunikimit. Kjo nuk do të thotë që ky vend nuk mund të bëhet me qytetari.
Nuk ju pashë tek festimet e PD-së, për çfarë arsye?
Natyrisht kam pasur ftesë por mesa mbaj mend, atë ditë jam kthyer nga një udhëtim i gjatë jashtë vendit në Itali.
Kush ka ndryshuar, Berisha apo ju?
Në mjedisin parizien të asaj periudhe ku Volteri ishte një nga zërat më kritikë, i ftuar në ekspozitën e një piktori i cili kishte marrëdhënie të vështira me Volterin, i çuditur nga ftesa dhe me idenë se mund të rregulloheshin filloi të vlerësonte veprën e piktorit. Por harroi se po binte në kurth. Ai i tha Volterit: “Me vjen keq dhe ai filloi ta shajë”. Por Volteri tha: “Zotëri jeni i gabuar edhe unë dhe ti kemi ndryshuar..”. Duhet kuptuar se politika e vërtetë është dinamike, e vështirë por duhet të jetë koherente, e ftohtë dhe u takon të gjithë aktorëve që tu japin përgjigje.
Pra ju nuk keni ndryshuar, kanë ndryshuar Berisha dhe Rama?
Kësaj pyetje duhet t’i përgjigjen ata. Unë nuk ka fyer asnjëherë kundërshtarët. Në fund të fundit debatet nuk janë për aktorët. Brenda 20 viteve ka një metamorfozë.
Pse ka munguar bashkëpunimi mes tre institucioneve, Presidencës, Kryeministrisë dhe Parlamentit?
Nuk është përgjigje që mund të jepet në mënyrë të shpejtë dhe të thatë. Gjithmonë kam qenë në atë pozicion që institucionet duhet të funksionojnë sepse duhet kuptuar qartë se kur vjen nga një parti politike, ndryshon jo vetëm filozofia por edhe ushtrimi i detyrës pavarësisht se politik mund të shohë trupa politike.
Ju jeni i pagueshmi?
Pse ju mendoni se po të kisha diçka gabim nuk do ta thosha. Unë ju thashë momentin më të rëndësishëm. Nëse dikush vjen nga grupi parlamentar tenton ta ndryshojë pozicionin e Presidentit, atëherë ky është momenti. Acarimi sjell gjendjen progresiste, sjell përkeqësimin e marrëdhënieve. Ndryshimet kushtuese ndryshuan në mënyrë të dukshme dhe mënyrën e sjelljes në partitë politike. Proporcionali ka një rritje të autoritet të kryetarit të partisë pa përmendur se kush është ky kryetar. Natyrisht secili kërkon të ketë sukses në fushat elektorale por kjo ka rritur frymën e elementëve të thjeshtë në parti, deputetët nuk kanë më me atë zërin e fortë që kanë pasur dikur. Ju e shikoni që një deputet që del kundër, përjashtohet.
E keni fjalën për z.Islami?
Unë po flas në parim. Po flas për atë që ka ndodhur dhe po ndodh në politikë.
Ka pasur një komunikim mes jush dhe z.Berisha për një post ministri dhe deputet në 2013?
Absolutisht nuk është e vërtetë. Kushdo që i hedh këto janë totalisht të pabesueshme. Gjërat i them siç janë dhe nuk kam frekuentuar kabinetet ku thuren biseda të tilla.
Po negociojnë për një mandat të dytë tuajin?
Absolutisht jo, nuk është e vërtetë.
Pra nuk keni negociuar me z.Berisha për zgjedhjet e 2013?
Nuk është e vërtetë. Nuk ka asnjë negociatë mes nesh.
Pas sulmeve ndaj jush për 21 janarit, ka shanse për t’u pajtuar me z.Berisha? A është pajtuar dhe me ish-kundërshtarin e tij z.Nano..
Nuk jam njeri që kam një mbiemër tjetër apo se kam më shumë se një mbiemër. Unë kam memorien e fortë dhe nuk harroj kollaj. Edhe në një bisedë tek e tek, jashtë publikut, jashtë kamerave, njeriu duhet të bëjë kujdes. Ka 77 lloje muskujsh që përbëjnë gjuhën. Struktura përcakton funksionin. Gjuha komandohet nga truri dhe në rast se arsyeja nuk është arsyeja dhe del me përcaktime shumë agresive, sigurisht që nuk harrohen. Këtu nuk bëhet fjalë për refleksion. Është refleksion institucional dhe të tjerët të gjykojnë mbi bazën e kësaj që po them.
Nuk menduar dorëheqjen në ato momente?
Absolutisht, jo. Do të kishte një moment tragjik nëse në ato momente presidenti do të jepte dorëheqjen. Presidenti duhet të qëndrojë fort për të ushtruar detyrimet kushtetuese.
Vartësi juaj në KLD Kreshnik Spahiu po merret me Aleancën kuq e zi. A është normale që të merret me politikë?
Fakti që ai është dhe vazhdon të jetë zëvendës i KLD besoj se deklaratat e tij kanë qenë korrekte. Ai ka thënë që nuk jam pjesë vërtetë plotësisht se gjithçka se ka qenë pjesë e thashethemnajave ashtu si unë ushtroj detyrën e presidentit. Ato akuza kanë qenë të qëllimshme.
A do të bëni amnisti për të burgosurit?
Kërkojani atyre që e kanë detyrim ligjor. Presidenti nuk ka çfarë të bëjë sepse nuk ka asnjë material në tavolinë. Ata që duhet ta sjellin janë përfaqësuesit e drejtësisë kërkesën për amnisti.
Si ju duket performanca e kryeprokurores Ina Rama?
Unë e kam propozuar dhe ajo është miratuar në Kuvend. Ajo ka marrë votat e nevojshme për kryeprokurore. Nuk jap nota në publik. Çdokush ka nevojë të rrisë performancën e vet.
Po për sa i përket rifillimit të negociatave mes Shqipërisë dhe Greqisë për ujërat detare? Do ta miratoni këtë marrëveshje?
Së pari, nuk kam asnjë informacion zyrtar që kanë filluar negociatat. Së dyti, nëse do të kishte kaluar ajo marrëveshje në parlament pa marrë plotfuqinë e presidentit, ju siguroj se nuk do ta kishte marrë miratimin e presidentit. Edhe nëse po negociohet tani pa dijeninë time, do të kthehet. Gjithsesi nuk e besoj se negociatat kanë filluar.
Do të riktheheni në politikë? A do të krijoni partinë tuaj pas 2 muajsh?
Unë isha i qartë në komunikimin tim me gazetarët. Mbas një viti nuk do të jem më President. Ka gjithmonë nevojë për qarkullim elitash. Unë do të shprehesha ndryshe vetëm nëse do të votohesha nga populli. Për sa kohë të vendosin partitë politike le ta zgjidhin vetë një situatë të tillë.
Nuk keni dëshirë ?
Gjithmonë kam qenë inkurajues i rotacioneve. Në një vend si Shqipëria ku ende kalojmë një tranzicion, ka nevojë për një qarkullim elitar. Ka shembuj në botë. Kushtetuta amerikane parashikon dy mandate. Duke inkurajuar këtë rotacion, pavarësisht se mund të kishte opsione hipotetike, deklarova se dikush tjetër mund të vijë në vendin tim. Vetëm në një moment mund të votoja ndryshe, vetëm nëse votimi për presidentin do të ishte jo në vullnetin e politikës por në dorën e popullit. Në këtë rast do të hyja në garë. Por sa kohë e vendosin partitë le ta bëjnë sipas asaj formule që zgjedhin presidentin me një votim të fshehtë. E kam thënë dhe para zgjedhjeve të presidentit në 2007, opsioni që unë i referohem është zgjedhja e presidentit nga populli. Në disa vende ka rezultuar pozitiv.
T’i rikthemi partisë së re?
Rishprehem sërish, nuk dëshiroj që gjatë periudhës që jam President të denatyroj detyrën e presidentit. Për këtë jam votuar dhe deri në ditën e fundit të dorëzimit të detyrës.
Po kur të përfundoni mandatin?
Kjo është çështje tjetër. Opsionet janë të hapura. Unë do t’i rikthehem jetës politike. Do të jem në politike. Unë e di që ka një frymë që diskutohet, që përcillte. Nuk mund të bëj shurdhin. Por deri në korrik të 2012, do të jem në zbatim të detyrimeve kushtetutës, pas këtij momenti opsionet janë të hapura.
A mund të jetë fryma e re demokratike, emri i një partie?
Do të jetë në kohën e duhur. Ka një rregull në kompjuter, nëse nuk funksionon PINI, atëherë nuk mund të futesh. Thashë jam në detyrën e presidentit.
Çfarë bëhet me ish-mbështetësit tuaj?
Në respekt të miqësisë, besoj se të njëjtin pozicion kanë dhe miqtë e mi, asgjë nuk bazohet mbi bazën e interesit. Unë e di që kam miq shumë të mirë si brenda dhe jashtë politikës. Janë njerëz me të cilët kamë ndarë një vizion të njëjtë dhe vazhdoj të kem miqësi të pandarë me ta.
Mund të rikthehen ata në jetën politike?
U takon atyre. Është çështje e vullnetit të tyre.
Tashmë kemi një emër, atë të Fatos Nano për president. Jeni dakord me të?
Nuk mund të bëj komente nga ky pozicion që jam për asnjë kandidaturë. Nëse do të isha në politikë, në parlament kam qenë i hapur ku kam kundërshtuar hapur opsione të partisë sime. Por, nuk nisem nga mungesa e dëshirës për tu shprehur por për shkak të detyrës që mbaj.
Mund të na jepni një emër?
Nuk është person në kërkim presidenti i ardhshëm. Por mendoj se duhet të shkëputet nga politika dhe të jetë garant i kushtetutës.
Ju kurrë nuk i keni dalë Berishës përballë kur ishit në politikë por në Presidencë u bëtë një zë i fortë. A do të jeni ju që do ta rrëzoni atë nga pushteti?
Nuk është e saktë kjo. Unë vlerësoj të gjithë bashkëpunimin që kemi pasur gjatë kohës në PD. Kemi qenë pjesë e një filozofie politike, pjesë e përpjekjeve të jashtëzakonshme për të rikthyer PD-në në pushtet. Por nuk është mirë që të zhbëhen gjërat sipas interesave. Ka njerëz që nuk kanë qenë pjesë e këtyre përpjekjeve. Megjithatë ka një memorie historike. Për të ardhur disa rishtas për të thënë se ne nuk e njohim këtë kontribut.

(GazetaShqiptare/BakanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›