E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu: Schengen-iballkanik tregonmaturinë tonë

PRIZREN- Ka përfunduar sot pasdite takimi i përbashkët i katër presidentëve të vendeve të rajonit të mbledhur në Prevallë të Prizrenit. Lëvizja e lirë ka qenë kryefjala e këtij Samiti.
Në konferencën për shtyp të mbajtur në përfundim të takimit, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka deklaruar se lëvizja e lirë është një proces shumë i rëndësishëm për të gjithë rajonin dhe ka nënvizuar se tashmë mes vendeve të Ballkanit janë vendosur marrëdhënie të sinqerta.
“Tema kryesore është ajo që lidhet me proceset tona që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë. Jemi afër realizimit të projektit të paraqitur më parë, atë të Schengen-it ballkanik, që shërben për të treguar maturinë tonë”, ka deklaruar Sejdiu, Top Channel.
Kreu i shtetit kosovar ka vlerësuar gjithashtu si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin mes vendeve të rajonit, si dhe sundimin e ligjit përmes luftës kundër krimit të organizuar.

Edhe presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov, përveçse ka vlerësuar rëndësinë e lëvizjes së lirë, e ka vënë theksin të progresi i arritur mes vendeve të rajonit që nga samiti i Vlorës, si dhe tek zgjidhja e kontestit të kufirit mes Maqedonisë dhe Kosovës, e cila sipas tij ka një rëndësi kyçe.

Ivanov është shprehur se Shkupi ka nënshkruar 7 marrëveshje bilaterale me Prishtinën dhe së shpejti do të nënshkruajë edhe pesë të tjera.
Një tjetër pikë e prekur prej tij ka qenë edhe infrastruktura, për të cilën presidentët ranë dakord që të rrisin bashkëpunimin dhe investimet.

Në përfundim, fjala i ka takuar presidentit malazez Filip Vujanoviq, i cili ka theksuar se lëvizja e lirë është kyçe për integrimin. “Për temën kryesore, atë të lëvizjes së njerëzve, të katër vendet kanë themeluar një minischengen dhe kjo është thelbësore për integrimin evropian”, ka deklaruar Vujanoviq. Ai ka shtuar se efektet pozitive të filluara me samitin rajonal të Vlorës po ndihen në Prizren, ku janë thelluar marrëdhëniet mes katër vendeve.
Një tjetër pikë e rëndësishme e prekur nga të katër presidentët ishte rritja e përpjekjeve në luftën kundër krimit të organizuar rajonal.
(m.a/koha/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›