Ikën dhe Sekretari për Kulturën në AK: Partia u bë nga AK në LK (Partia e Lekëve të Kreshnikut)
Tashmë partia i ka mbetur vetëm Kreshnik Spahiut. Në fakt ka mbetur vetëm Kreshniku në parti.
Nga Aleanca Kuq e Zi është larguar edhe Mystehak Xhemali, Sekretar për Kulturën dhe Artin në AK.
Ai ishte ngarkuar për organizimin e degës së Fierit. Në letrën e dorëheqjes, ai thotë se nga partia është larguar truri dhe shtylla kurrizore e AK. Sipas tij, edhe pse është kërkuar një analizë për këtë rrjedhje, Kreshnik Spahiu ka deklaruar se nuk ka nevojë për komente e analiza.
Kjo përbën shkelje të zhvillimit normal të demokracisë së brendshme në parti, përbën devijim nga përgjegjësia e kryetarit të AK, i cili u shmanget kështu ballafaqimeve për çështje të rëndësishme parimore, thotë Xhemali.
Sipas tij, hartimi i listave për kandidatë ka qenë një skandal më vete pasi haptas u kërkuan shuma marramendëse për kandidatët, sidomos në qarkun e fierit.
Akoma më keq e tejet tronditëse kanë qenë deklaratat e herëpashershme të kreut të AK se po të merrte mandatin e deputetit, do ta shiste atë tepër shtrenjtë. Kjo, miqtë e mi, ishte e turpshme dhe neveritëse, shprehet Xhemali, duke shtuar se AK është shndërruar në LK, ose Partia e Lekëve të Kreshnikut./ep