Ikja e Muhos, anëtarët e opozitës bojkotojnë mbledhjen
Tensioni i Kuvendit transmetohet në KQZ, Biba: Kjo, një ditë e zezë
Ndërsa Kuvendi ishte në ankth për votimin ose jo të shkarkimit të anëtarit të KQZ-së, disa metra më tutje mbahej mbledhja e këtij institucioni. Tensioni për çështjen Muho është ndier dhe në mes të anëtarëve të KQZ-së. Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba në mbledhjen e djeshme e quajti si ditë të zezë, marrjen e vendimit për lirimin nga detyra të anëtarit të LSI-së dhe futjes në rend dite në Kuvend të zëvendësimit të tij. Sipas Bibës, kjo lëvizje bëhet pasi politika nuk e do të pavarur KQZ. Politika nuk na do të pavarur dhe duke na parë si politikë, e hoqi kolegun si të ishte përfaqësues politik. Jam shumë i tronditur nga ngjarja,dje ndërsa sot është një ditë akoma më e zezë. Uroj që disa nga deputetët e PD të gjejnë guximin të mos e votojnë, është dhunim i ndarjes së pushteteve, ngjarje shumë e rëndë, deklaroi Biba. Anëtarja Albana Shtylla deklaroi se në këtë mënyrë po bëhet pis KQZ dhe anëtarët e saj. Politika duhet të rrijë larg KQZ dhe këtë e keni thënë në fjalime të bukura. Ju lutem bëjeni, ka theksuar ajo.
Ndërsa kryetarja e KQZ-së, Lefterije Lleshi, bëri thirrje që të mos vazhdonte debati politik, pasi kjo është në kundërshtim me rregullat. Përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti i ka cilësuar si politike deklaratat e Bibës dhe Shtyllës. Kuvendi është institucioni legjitim, ka institucione të tjera nëse partitë që ju kanë sjellë, nuk janë dakord, le të shkojnë. Juve nuk ju lejohen deklaratat politike, tha ai. Anëtarët e KQZ-së, Biba, Shtylla dhe Jani u larguan më pas nga mbledhja. Kjo solli dhe mosvazhdimin e mbledhjes për shkak të mungesës së kuorumit. Në mbledhjen e djeshme nuk mori pjesë anëtari i LSI-së në KQZ, Ilirjan Muho. Tre anëtarët e KQZ-së, Biba, Jani dhe Shtylla kanë mbajtur një deklaratë publike për median ku theksojnë se duke vendosur mbarimin e mandatit të një prej anëtarëve të KQZ vetëm mbi arsye politike, shumica e bindur në Kuvend e mbyti foshnjën e pavarësisë institucionale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që në muajt e parë të jetës. Ky është një ogur i zi për zgjedhjet e 23 qershorit të këtij viti. Politizimi i dhunshëm i KQZ shkatërron çfarëdolloj premise besimi të qytetarëve te zgjedhjet dhe se parimi i votës së lirë e të ndershme do të respektohet.
Ikja e Muhos, anëtarët e opozitës bojkotojnë mbledhjen burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email