VMRO-DPMNE dhe BDI plotësuan pikat e marrëveshjes
VMRO-DPMNE dhe BDI kanë plotësuar tri pikat e marrëveshjes për formimin e koalicionit, me votimin e propozimit për interpretimin autentik të Ligjit për amnisti.
Mbyllja e rasteve të Hagës, votimi i ndryshimit të ligjeve për përdorimin e gjuhëve dhe përdorimin e simboleve kombëtare të bashkësive etnike, gjegjësisht asaj shqiptare, ishin tri kërkesat e BDI-së që ishin vënë si parakusht që të marrin dritë jeshile para votimit të qeverisë së re.
Ndryshimet e Ligjit për përdorimin e gjuhëve mundësojnë që ministrat dhe funksionarët e tjerë shqiptarë të përdorin gjuhën shqipe në komunikimet në parlament.
Ndryshimet e Ligjit për simbolet kombëtare parashikon përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar në komunat me mbi 50 për qind të popullsisë shqiptare, në të gjitha institucionet komunale dhe qeveritare të këtyre komunave.
Por, sa i përket flamurit kombëtar ai duhet të jetë në format më të vogël se sa ai shtetëror.
Propozimi i miratuar për interpretimin autentik të Ligjit për amnisti mbyll përfundimisht të gjitha rastet e ngritura nga gjykatat e vendit që kanë të bëjnë me dyshimet për krime lufte gjatë konfliktit të vitit 2001 dhe që ngarkojnë ish-UÇK-në.
Me votimin e këtij propozimi, i jepet fund procedimit të katër rasteve, në mesin e të cilëve ishte edhe rasti i akuzës së ngritur kundër ish-udhëheqësisë së UÇK-së.