E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turizmi shqiptar, një leksion që vjen nga jugu i Italisë

Sugjerohet ndershmëri në klasifikimin e hoteleve, modifikim i sistemit të promocionit

“Zhvillimi i një turizmi të qëndrueshëm dhe të suksesshëm gjatë gjithë vitit në Shqipëri, kërkon ndryshimin pikësëpari të infrastrukturës së mentalitetit të shqiptarëve”. Kjo është sentenca e vlerësimeve dhe këshillave për turizmin në Shqipëri, të ekspertëve italianë në këtë fushë. Duke drejtuar turin e një grupi gazetarësh dhe studentësh në sektorin e turizmit, në jug të Italisë, rektori i Universitetit Europian të Turizmit profesor Salvatore Messina, thekson se Shqipëria ka resurse të jashtëzakonshme të turizmit kulturor, ndërthurur në mënyrë organike me bukuritë e jashtëzakonshme të natyrës. Por, sipas tij, shumë vlera po braktisen, madje po shkatërrohen për hir të interesave të ngushta të disa individëve, duke mos menduar se turizmi është një pasuri unike kombëtare në funksion të së ardhmes së brezave që vijnë. E ndërsa diskutimet dhe leksionet e gjata vijojnë, udhëtimi drejt zonës Paestum, një destinacion turistik natyror (me bregdet tërheqës dhe me ekosistem shumë të ruajtur,) por dhe arkeologjik, shfaqen para nesh ndërtime të shumta, të reja e moderne, port të vendosur me strategji dhe zhvillim racional të turizmit familjar dhe atij të hotelerisë. Qytetërimi antik i këtij rajoni, përfaqësuar nga parku arkeologjik i Paestum, daton në shekullin VII para erës sonë dhe numëron rreth 600 mijë turistë çdo vit. Parku arkeologjik i Paestum dhe Parku natyror i Cilento-s dhe i Vallo di Diano janë të regjistruar në listën e pasurisë botërore të UNESCO-s. Pushtuar nga Lucani (Lukani) aty nga fundi i shekullit V para erës sonë, në shekullin III, zona e Paestum u shndërrua në një tempull plot shkëlqim, në të cilin gjejmë Bazilikën e Heres, Tempullin e Neptunit ose Poseidonit dhe Tempullin e Hirit. Bazilika është një nga tempujt më të hershëm të tempujve të Paestumit. Krahasuar me Parkun e njohur të Butrintit, ky i fundit edhe pse po vizitohet çdo ditë e më tepër, lë për të dëshiruar në aspektin e menaxhimit modern të ambientit antik. Gjelbërimi i Paestumit dukej sikur kishte lindur bashkë me të dhe që dora e ashpër e njerëzimit i kishte rezistuar tundimit për ta shkatërruar. Vizitat e radhës në Akropoli, Torre del Greko, e më tej në Bari, Pallatin Vargas në fshatin Vatolla, Taranto dhe lokalitetet e tjera, na përcillnin qartazi mesazhin: turizmi kulturor, mbështetur kryesisht në turizmin arkeologjik, nuk mund të rezultojë efikas pa një menaxhim të logjikshëm të territorit, ndërtimeve turistike ndërthurur me cilësitë e shërbimit, zakoneve dhe traditave të komunitetit pritës. Në Torre Del Greko, autoritetet lokale, së bashku me ekspertë të turizmit në Itali, bëjnë një analizë të trendit të zhvillimit të turizmit në MESDHE e më gjerë. Përfundimi: Europa po devijon nga shijet turistike të banorëve të kontinenteve të tjera dhe të vetë shtetasve të saj. Thënë më qartë, edhe vetë europianët nuk po synojnë më të shohin me kërshëri Firencen, Romën, Athinën, por Shangain, Tajlandën, pse jo Vietnamin, Maçu Piçun, si destinacione enigmatike me shumë surpriza dhe “mirëseardhje ndryshe”. Profesor Messina, me keqardhje pohon zhvendosjen e Italisë nga vendi i tretë, në të pestin në tregun ndërkombëtar të turizmit, duke shpjeguar dhe arsyet e kësaj. Ekspertët italianë, në shpjegimin që i bëjnë hartimit dhe zbatimit të politikave në zhvillimin e turizmit, theksojnë se Shqipëria është në kohë të mësojë nga gabimet e bëra në Itali e më tej në këtë sektor. Arkeologia e njohur, profesoresha Marina Cipriani, në qytetin e Kapacios të rajonit të Paestumit, shprehet për gazetarët shqiptarë: “Do të doja t’ju tërhiqja vëmendjen vetëm në një pikë. Ne kemi bërë edhe gabime për të mbërritur këtu ku jemi. Kemi harxhuar madje edhe shumë fonde. Ju keni një fat të mirë. Mundohuni të mos i përsërisni ato dhe të përthithni më të mirën e mundshme për të arritur një menaxhim të përsosur”.
Sipas ekspertëve italianë, duhet filluar me përafrimin e legjislacionit turistik, ndershmëri në klasifikimin e hoteleve, modifikim të sistemit të promocionit, përmirësim të sinjalistikës turistike, investim në burimet njerëzore, përdorim sa më të mirë të fondeve europiane, menaxhim të pasurive kulturore dhe natyrore si burim i nevojshëm për një turizëm vjetor, krijim të partneritetit midis administratës publike dhe asaj private për menaxhimin sa më efektiv të shërbimeve publike. Sipas prof.Salvatore Messina, sfida e Shqipërisë dhe shqiptarëve është thithja e sa më shumë turistëve gjatë gjithë vitit, jo vetëm në verë, kur turistët me zor gjejnë një dhomë hoteli. “Për të bërë turizëm, nevojitet bashkëpunimi i shumë institucioneve, pasi turizmi nis nga agjencitë turistike, për të vijuar më tej tek operatorët turistikë, shoferët, recepsionistët e hoteleve, kamerierët etj.”, thotë ai. Ajo që u theksua me forcë gjatë këtij takimi për gazetarët shqiptarë, nga specialistët italianë, ishte promovimi i vlerave turistike të vendit që përfaqësojnë. Sipas tyre, megjithëse kriza botërore ka ndikimin e saj në rënien e fluksit të turistëve, turizmi duhet të shihet si një nga fushat me përparësi për vetë të ardhurat që përfiton dhe vlerat social-kulturore që ai përcjell.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›