Rruga nacionale Ballsh-Greshicë, e shkatërruar
Një pjesë e segmentit kombëtar rrugor Ballsh-Tepelenë ka shkarë duke e kthyer këtë aks në të pakalueshëm. Kjo ka bërë që automjetet të devijojnë në një rrugë dytësore, e ndërtuar enkas për të mos paralizuar këtë aks rrugor nevralgjik për Jugun e Shqipërisë. Në këto kushte, Ndërmarrja e Mirëmbajtje Rruga ka bërë një ndërhyrje emergjente. Ajo ka hapur një rrugë tjetër, por kjo vetëm në njërin krah. Rruga tejet e ngushtë vështirëson jo vetëm lëvizjen, por herë pas here nga ngarkesa që ka shkakton edhe bllokimin e mjeteve, të cilat qëndrojnë shumë kohë derisa zhbllokohet ana tjetër e rrugës. Shkaku i shembjes së kësaj rruge ka ardhur si rezultat i rrëshqitjes së dheut nga shirat që kanë rënë me intensitet. Një pjesë e faqes së kodrës që ndodhet shumë afër kësaj rruge është shembur së bashku me aksin nacional, duke e bërë këtë segment rrugor të papërdorshëm për lëvizjet e mjeteve. Për të parë nga afër dëmin e shkaktuar, drejtues të pushtetit vendor, si prefekti i Fierit, Bujar Hasaj, dhe kryetari i qarkut, Luan Muçaj, kanë kryer një inspektim të shtunën. Ata janë shprehur se këtë situatë do t’ua bëjnë me dije institucioneve përkatëse në qeveri. E ndërsa rruga nacionale kërkon ndërhyrje urgjente nga qeveria, jo më larg se 200 metra një lagje e fshatit Greshicë është rrezikuar nga kjo rrëshqitje e dheut. Disa shtëpi janë braktisur. Banorët janë larguar, duke u sistemuar te të afërmit në Ballsh ose në qendër të Komunës Greshicë. Kabina elektrike është futur rreth një metër nën tokë, duke lënë pa drita gjithë lagjen, si dhe disa biznese të Komunës Greshicë. Kryetari i Komunës Greshicë, Baftjar Jazaj, u shpreh se për këtë situatë i është dërguar një letër qeverisë dhe deri tani nuk është marrë asnjë masë.
#