E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daria Bignardi dhe Alfonso Signorini flasin me Rudina Xhungën për emisionin Shqip në Top Channel

Daria Bignardi i drejtohet lexuesit shqiptar me një letër

Të dashur lexues shqiptarë,
emocionohem kur mendoj se mbas pak ditësh, disa prej jush do të lexojnë historinë e familjes sime.
është historia e një familjeje shumë tipike italiane, jo fort e arsyeshme, e ndjeshme, e përzemërt, por ndonjëherë edhe e rrëmujshme, siç janë ndonjëherë familjet.
Di që në Shqipëri, vlerat e familjes janë ende të rëndësishme, ashtu siç janë edhe për mua dhe shpresoj që reflektimet e mia mbi jetën tonë dhe, mbi të gjitha, mbi vdekjen e prindërve, të jenë të vlefshme edhe për ju dhe që historia ime t’ju emocionojë. Shumë lexues italianë më kanë shkruar se janë zbavitur dhe mallëngjyer kur kanë lexuar librin tim dhe shpresoj që kjo të ndodhë edhe me ju. Ndoshta do të vij në Tiranë për të prezantuar librin tim dhe do të më pëlqente shumë që ndokush prej jush të më tregonte se çfarë ka ndierë kur e ka lexuar atë, sepse unë shkruaj para së gjithash për këtë: për të ndarë së bashku me lexuesit rrëfimin tim.
Shpresoj të shihemi shpejt.

Daria Bignardi

Intervistë me Daria Bignardi-n

Daria Bignardi: Jam bishë, egoiste dhe pak prepotente

- Këtë libër e mbarova vetëm para dy orësh, këtu në Milano dhe do të doja ta kisha shkruar unë. Shumë urime!

- Faleminderit! është një kompliment shumë i bukur.

- Do të doja ta kisha shkruar, sepse është një himn edhe për nënën time. çfarë do të kishte thënë nëna juaj, nëse do ta kishte lexuar?

- Eh, sa herë e kam pyetur veten për këtë! Mendoj se do të kishte përfunduar duke u zemëruar. Në një çast do të ishte zemëruar shumë. Po si i tregon gjithë ato gjëra të miat?! Historitë?! Gjithë të metat e mia?! Dhe pastaj thua se unë jam aq e ankthshme! Pastaj do t’i ishte bërë qejfi, sepse do të ishte ndier protagoniste. Ajo, sidoqoftë, ishte një grua që do të kishte dashur të ishte protagoniste. Për shumë arsye. Sepse ishte e vitit 1923. Ishte martuar sapo kishte përfunduar lufta. Ishte mësuese e zonja dhe bëri ato sakrifica që kishin bërë të gjithë ata që gjatë luftës ishin 20-25 vjeç dhe pastaj iu desh të kujdesej për të bijat. Por, në fakt, ajo do të kishte dashur të ishte një intelektuale e madhe, një latiniste e madhe dhe përkundrazi, pastaj punoi thjesht si mësuese. Kështu që mendoj se nga njëra anë do të ishte nxehur, por nga ana tjetër do të kishte qenë e kënaqur.

- Ndërkohë ju e ndani këtë libër, në radhë të parë, me Donatelën, motrën tuaj. Të vjen për të qeshur kur ju flisni dhe nuk flisni, shkruani dhe nuk shkruani për atë që bënit me motrën tuaj dhe mua më kujtohet koha kur luaja njësoj me motrën e vogël...

- Edhe sot, ime motër më dërgoi një mesazh, sepse ne vazhdojmë ende të flasim me këtë leksik, edhe sot kur unë jam 48 vjeçe, ime motër 58. Ajo u martua kur isha 14 vjeçe, kështu që nuk kemi jetuar për shumë kohë bashkë. Por kemi qenë gjithnjë shumë të bashkuara kundër nënës sonë, duke e dashur jashtëzakonisht shumë. Por të vetëdijshme për karakterin e saj të tmerrshëm, për çuditëritë e saj, për këtë ankthin e saj obsesiv, që na bënte pak skllave të karakterit të saj të vështirë. Kështu që ishim shumë të bashkuara kundër saj, por talleshim edhe shumë me të. Dhe na dukej shumë qesharake kjo familje dhe kjo figurë e nënës sime. Dhe flisnim me këtë zhargon familjar, ose në familje, në zhargon. Dhe ne përfituam jashtëzakonisht shumë. Sot, ajo më shkroi një mesazh duke më thënë: “Nuk jam Donatela, jam tigri”, që ishte gjëja që ajo më shkruante kur isha fëmijë dhe më tmerronte. Edhe sot, kur hyj papritur në një dhomë, bëj një kërcim, sepse kur isha 5-6 vjeçe, nëna ime më linte me motrën 10 vjeçe më të madhe, me qëllim që të ndihesha më e qetë dhe përkundrazi më tmerronte në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Por natyrisht, sot ne qeshim me të gjitha këto dhe jemi shumë bashkëpunuese. Të tilla kemi qenë edhe kur vdiq nëna, në dhimbje dhe në ndarjen e dhimbjes, gjë që të ndihmon shumë.

- Në libër shihet që ju nuk keni probleme me moshën. I keni zgjidhur ato?

- Ky, në fakt, ishte edhe një zakon i babait tim. Nëna ime zemërohej shumë. Praktikisht ai ishte dhjetë vjet më i madh se ajo. Po pse u thua që të gjithëve se sa vjeç je? Pastaj njerëzit do të mendojnë se unë kam moshën tënde! Nuk është e vërtetë. Unë jam 10 vjeçe më e vogël. është një zakon i ne Binjardëve. Pak ngaqë e dimë që tregojmë më pak dhe pak ngaqë ne na duket një fitore që kemi mbërritur deri këtu. Unë isha 20 vjeçe në vitet ‘80, që ishin vite pak të zymta, pak të errëta. Kam pasur edhe një rini pak të trallisur, të vështirë, edhe sepse kisha këto marrëdhënie të vështira me nënën time. M’u desh të ngrija krye. Ishte e gjitha një arritje. Domethënë jeta ka qenë e gjitha një arritje dhe një luftë e vogël. Atëherë, nëse lufton shumë, pastaj je edhe i kënaqur. Dhe me një fjalë, mbërrita deri këtu. Pas dy vitesh mbush 50.

- Dhe nuk e keni humbur shkëlqimin e syve. Si ia keni dalë?

- Nuk e di. Nuk e di nëse më shkëlqejnë sytë. Por ndoshta keni të drejtë. A e dini që ndihem, në lidhje me moshën, sikur jam ende 12 vjeçe. Mua më kujtohet këndvështrimi që kisha në moshën 12-vjeçare për botën, për familjen time. Mendoj se që nga mosha 12-vjeçare kam dashur ta tregoj historinë e familjes sime, sepse qysh atëherë më bënte të qeshja, të vuaja. Mendoj se qysh atëherë kisha një shikim pak prej shkrimtareje. I shikoja, i vëzhgoja, do të kisha dashur t’i tregoja. Kisha kthjelltësinë se kisha të bëja edhe me dëshirën për të treguar.

- Ju e keni jetuar jetën si një vëzhguese apo si një personazh?

- Nuk e di. Prej 15 vjetësh punoj në televizion, por ende nuk e kam kuptuar pse-në. Sepse më ndodhi rastësisht. Fillova të punoj si gazetare, madje disi vonë. Isha 27 vjeçe. Dhe pastaj, në moshën 37-vjeçare, fillova të bëj televizion në një program të Grigorit. Titullohej “Emri yt”. Që atëherë kam bërë programe të tjera. Bëra “Big Brother”-in e parë. Pastaj u gjenda në mes të një rrëmuje, që s’do ta kisha përfytyruar kurrë, sepse edhe unë jam mjaft e druajtur, e përmbajtur. Në fakt, thonë se u vetëzgjodha. Sidoqoftë, nuk besoj. Pak e vëzhguar, po. Sidoqoftë, personazh jo, por duke ndjekur atë që doja të thosha, protagoniste e mikeshës sime po, sepse siç thoshte nëna ime “jam bishë, egoiste dhe pak prepotente”.

- Por është një njeri që e do këtë egoiste dhe ky është Luka. Atij ia keni kushtuar këtë libër?

- Edhe atij. Ia kam kushtuar motrës sime, fëmijëve të mi dhe atij. Përndryshe, kushedi se çfarë do të kishte bërë! Jo, kjo është një batutë. Siç shkruaj në fund: E falënderoj që më do, edhe pse jam bishë, egoiste, siç thoshte nëna ime. Nëna ime e ndante botën më dysh: nga njëra anë ishin njerëzit shpirtmirë, që ishin Biankët, familja e saj e origjinës, nga ana tjetër ishin Binjardët, bisha dhe egoistë. Domethënë se ajo nuk i shikonte punët tepër hollë. Ose i bardhë, ose i zi. Ajo ishte një emiliano-romanjole e vërtetë. A e di që thuhet se emilianët janë “italianët jugorë” të Veriut? Janë të rrëmbyer. Dhe ajo ishte shumë e rrëmbyer. Nuk ishte aspak e arsyeshme. Ishte shumë, shumë e rrëmbyer.

- Po si ia ka bërë një vajzë si ajo... po lexoj pak nga çfarë keni shkruar “... një vajzë e thellë, e zgjuar, vibruese nga emocionet në kufirin e ëndrrës, plot shpresa, e dashuruar pas letërsisë. Një grua e bukur që nuk ka më kohë për të studiuar dhe për të ëndërruar. Shkaku: fëmijët dhe puna”. Si mund të bëhet?

- është një mundim i madh. Ishte e zënë me punë. Nëna s’mundi dot t’i bënte të gjitha, sepse ajo ishte martuar në 1945-n. Lindi vajzën e parë në 1950-n. Ishin kohë të tjera. Im atë, që ishte i vitit 1914, me pamjen dhe moshën e gjyshit tënd ma merr mendja, ishte vërtet i një brezi tjetër. Nuk është se burrat atëherë të ndihmonin, kështu që puna, fëmijët... Duhej të bëje si të bëje. Kurse sot, po. Pjesa më e madhe e burrave, mendoj se... edhe sepse e kanë kuptuar se është bukur t’u gëzohesh fëmijëve, mendoj. Kështu që... domethënë jo të gjithë, natyrisht, por mendoj se i pranojnë më shumë detyrat e familjes. Megjithatë është një lodhje e madhe. Mundohen jashtëzakonisht shumë.

- Si i bëhet ta ndani kohën mes udhëtimeve, punës, librave dhe fëmijëve?

- Jo, për sa u përket udhëtimeve jo. Në libër përmend disa udhëtime që kam bërë në rini, si gjithë të rinjtë që organizojnë udhëtime. Por në fakt, jeta ime është shumë… unë them se bëj një jetë ushtarake. Mbase njerëzit mendojnë: “Ah! Ajo punon në televizion! Kushedi se ç’jetë bën!”. Në fakt, në mëngjes, çoj fëmijët në shkollë, shkoj në redaksi, kthehem në shtëpi, përgatis darkën, vë fëmijët në gjumë, shkruaj pak dhe shkoj të fle. Kjo është jeta ime pa tre muaj në vit. Pastaj bëj pushime të gjata. E bukura e televizionit është se bën pushime të gjata, sepse ti e di që në verë, televizionin e shikojnë më pak. Dhe atëherë rishkruaj shumë. Nuk është se bëj këtë jetë. Si të gjithë, midis moshës 20 dhe 30-vjeçare, kam udhëtuar, kam jetuar në Londër, kam punuar si shitëse në Londër për një vit kur isha 20 vjeçe. Si të gjithë të rinjtë, kërkoja vendin tim në botë. Pastaj u ktheva në Milano në moshën 23-vjeçare. Ishin vitet ‘80. Asokohe gjendej ende punë. Tani është me të vërtetë shumë më e vështirë. Dhe atëherë edhe një vajzë nga Ferrara, si unë, me nënën mësuese dhe babanë përfaqësues tregtar, që nuk njeh askënd, mund të vijë në Milano, mund të gjejë punë, mund të fillojë të punojë si gazetare, madje mund të fillojë të bëjë televizion. Me siguri unë kam ndërtuar shumë gjëra, ndonëse më ngjan se gjëja që doja të bëja që prej shumë kohësh, ishte pikërisht të shkruaja këtë libër.

- Në fund, e shkruat. Ndërkohë, unë mezi po pres që ky libër të përkthehet në shqip dhe t’ia dhuroj nënës sime për Krishtlindje.

- Do ta presë mirë?

- Po.

- Sepse nënat janë edhe kritike, përveç deklaratave të dashurisë.

- Stafi juaj po më bën shenja ta përfundojmë këtë intervistë...

- Sa keq! Ishte bukur të flisja me ju.

- Dhe ishte shumë bukur të bëja këtë intervistë me ju. Faleminderit!

Intervistë me Alfonso Signorini-n

Në Itali i drejtohen Signor Signorini. Gazetar, drejtor i dy revistave ndër më të njohurat, “Chi” dhe “TV Sorrisi e Canzoni”, gjithashtu personazh televiziv i kudondodhur në programet më popullore italiane.

Signorini është edhe shkrimtar. është sidomos shkrimtar. Autor i dy librave për dy diva, Chanel e Callas.

Ka zgjedhur të shkruajë për njerëz që do. Dhe i tregon me dashuri. Me detaje, me pasion. I rrëfen, i rishpik. I frymon. Kur e pyet pse Onasis zgjodhi Xhekin dhe jo Callas, qesh. Sepse ai ka zgjedhur Callas. Do ta zgjidhte edhe 1000 herë të tjera. Siç do zgjidhte Chanel-in. Këto ikona të suksesit dhe vetmisë. Shumë të brishta, shumë krenare.

Moda shkon, stili mbetet. Chanel ishte një leksion stili deri në frymën e fundit. E papërsëritshme. Si parfumi i saj numër 5.

Të tillë e tregon Alfonso Signorini, gruan që ai do të donte, në “Chanel, një jetë si në përrallë”.

Alfonso Signorini: “Fol për orientimin tënd seksual”

- Mirëdita zoti Sinjorini! është kënaqësi t’ju takoj në zyrën tuaj, faleminderit!

- Kënaqësia është e imja, faleminderit! Dhe u uroj mirëseardhjen të gjithë miqve nga Shqipëria. Kam një mik shumë të dashur që është shqiptar. Ka ardhur nga Shqipëria para pesë vjetësh, është inxhinier. Ishim njohur në Rumani para rreth dhjetë vjetësh. Dhe që atëherë kemi mbetur miq. Më bëhet qejfi që ai ka krijuar një familje këtu në Itali. I jam bërë nun fëmijës së tij të lindur nga martesa me një italiane dhe kështu që Shqipëria bën pjesë edhe në jetën time.

- Atëherë, duhet t’i themi se ju po jepni intervistë për një televizion shqiptar.

- Ia thashë, ia thashë. Dhe në fakt, ishte shumë kureshtar.

- Ndërkohë në Shqipëri ju njohin. Më folën shumë për ju në kohën që përgatisja pyetjet. Dhe mbrëmë, një vajzë që jeton këtu, më tha: “Ashtu? Ti do të intervistosh zotin Sinjorini?”. Dhe filloi të tregonte kaq shumë gjëra...

- Mua më bëhet qejfi që televizioni italian ndiqet nga shqiptarët. Di që është shumë i ndjekur, sidomos “Big Brother”-i, por edhe “Verissimo”, si dhe shumë programe të tjera që transmeton “Canale 5”. Kështu që më bëhet qejfi që hyj në shtëpitë, përveçse të italianëve, edhe të shqiptarëve.

- Po, çdo të hënë, me “Grande Fratello”. Edhe emisioni im, ndërkohë, është po të hënave...

- Atëherë, qenkemi konkurrentë!

- Po, po, jemi konkurrentë. Si shkon, ndërkohë, spektakli sivjet?

- Spektaklin sivjet e nisëm mirë. është një edicion i veçantë, sepse bëhen dhjetë vjet të “Grande Fratello”-s këtu. Në Itali, për dhjetë vjet, është një program që u ka bërë ballë të gjithëve dhe po arrin një rekord shikuesish. Vjet arritëm të bënim 10-11 milionë teleshikues, madje duke arritur në çastet e pikut 48 për qind të teleshikuesve, pra një shifër të rëndësishme.

- Shumë interesante. A ekziston edhe këtu gazetaria serioze, joserioze? Për shembull, a u fyet ju kur dëgjuat Mentanën të fliste për kategori të lartë, duke iu referuar emisionit të tij “Matrix” dhe për kategori të ulët, duke iu referuar spektaklit “Grande Fratello”?

- Po, le të themi se drejtoj dy të përjavshme në Itali. Njëra është një revistë shumë e rëndësishme, shumë e ndjekur, që është “Chi?” dhe vendoset në sektorin e atyre gazetave të traditës së madhe europiane si “Gala”, “Hola!”, domethënë revista që hyjnë në familjet e personazheve, ku personazhet rrëfehen në intimitetin e tyre. Dhe tjetra është revista më e rëndësishme televizive italiane, “TV Sorrisi & Canzoni”, që merret ndër të tjera edhe me “Grande Fratello” dhe që është revista më e përhapur dhe e lexuar në Itali, që lexohet nga miliona italianë çdo javë.

- Kështu që i bëni të gjitha llojet e gazetarisë, apo jo?

- Gazetaria bën pjesë në jetën time, bën pjesë në ADN-në time, kështu që me siguri e dua më shumë gazetarinë se televizionin, kjo është e sigurt. Sepse televizioni është pak një oaz ku unë shkoj të them atë që mendoj dhe më duhet të them se me mjaft sukses, sepse e di që publiku më do dhe është shumë i dhënë pas meje. Ajo që ma bën më shumë qejfin është kur më ndalojnë rrugës dhe më thonë: “Po a e dini që ju thoni gjithnjë atë që do të doja të thosha edhe unë, por mbase s’arrij dot ta them, s’jam në gjendje”. E gjithë kjo më kënaq shumë, sepse do të thotë se arrij të them një mirëkuptim popullor, që ajo çka mbart me vete nga përvoja ime familjare, nga jeta ime. Por profesioni im më i rëndësishëm, ai që më shpërblen më shumë, është që drejtoj dy gazeta.

- Ndërkohë, në gazetat tuaja, ka shumë gossip. A ka të bëjë gossip-i me thashethemet?

- “Chi”, kur e trashëgova, kur e mora në dorë, ishte një revistë gossip-i. Sot, nuk është më e tillë, në kuptimin që nëse do të duhej ta përkufizoja “Chi”, do ta përkufizoja një revistë lajmesh femërore. Domethënë është një revistë që tregon histori. Sigurisht që në brendësi të saj ka edhe histori gossip-i. Gossip-i, siç e quaj shpesh unë, mund të jetë një çelës leximi i shoqërisë sonë, i zakoneve tona. Nëpërmjet tij mund të kuptojmë se ku po shkojmë. Ndërsa thashethemi është ajo gazeta tek parukieri që shfletohet, por është diçka më mjerane dhe sinqerisht nuk më intereson. Le të themi se në vija të përgjithshme nuk më pëlqen shumë t’i shikoj personazhet nga vrima e çelësit. Më pëlqen që të jenë personazhet ata që të rrëfehen në mënyrë të vetvetishme si njerëz. Sigurisht, nëse duke parë nga vrima e çelësit del një scoop interesant, atëherë futem me kokë, sepse kjo bën pjesë pak në punën time.

- Ndërkohë, le të flasim pak për librat. Mbërritën disi me vonesë në jetën tuaj profesionale, apo ishin prej kohësh?

- Jo, të shkruaj libra më ka pëlqyer gjithnjë. Ajo çka më mungon absolutisht më shumë duke punuar si drejtor, është se nuk kam më mundësi të shkruaj shumë, sepse adhuroj të shkruaj. Pikërisht duke u bërë drejtor, duhet të organizoj punën e gazetarëve të tjerë. Kështu që shkrimi papritur më mungoi. Për këtë arsye fillova të shkruaj libra, për të plotësuar këtë nevojë të shkrimit, këtë fazë të shkrimit. Shkruaj natën, sepse për fat të keq nuk kam shumë kohë që të mund t’i kushtohem kësaj veprimtarie, edhe sepse qetësia përreth e favorizon shumë përqendrimin tim. është e vërtetë, kam shkruar libra në një moshë më të pjekur. Kurse në fillim i jam kushtuar shkrimit gazetaresk, por në fakt kam adhuruar gjithnjë të shkruaj. Dhe librat që kam bërë, janë fryt i viteve të tëra meditimi, kërkimesh, punësh që mbase vetëm më vonë u afruan dhe u konkretizuan në libër. Por ndoshta kam filluar të shkruaj libra që kur isha i vogël.

- Kur filluat të interesoheshit për “Chanel”-in?

- “Chanel”-in kam filluar ta kem në kokë, sepse zakonisht një libër merr formë nëpërmjet protagonistëve të tij, apo jo? Në fillim “Callas”-i, pastaj “Chanel”-i. Fillova të mendoj për “Chanel”-in rreth dhjetë më parë, kur praktikisht fillova të ndiqja fatin e “Maison”-it, kur e mori në dorë Karl Lagerfeld, dhe atëherë fillova të interesohesha për këtë grua, sepse më bënte kureshtar jeta e saj, fakti që ajo nuk kishte dalë pothuajse kurrë nga shtëpia e saj në rrugën “Cambon” në Paris. Atëherë, thosha me vete: “Kushedi ç’jetë duhet të ketë bërë kjo zonjë, me pamje disi të shëmtuar, ndonëse shumë elegante, që u kërkonte që të gjithëve ta thërrisnin “mademoiselle”. Dhe atëherë, fillova të përpija libra që kishin të bënin me të. Fillova të lexoja letrat private që gjeja nëpër arkiva. Dikur kisha shkuar në Biaric të bëja llixha dhe drejtori i llixhave “Marne” më kishte thënë: “Shikoni, se ju që e doni shumë modën, ne në bibliotekë kemi një fond të letrave të Chanel-it, që sipas meje është interesante që ju të mund ta njihnit”. Dhe atëherë, mes një seance talasoterapie dhe tjetrës, shkova në bibliotekë të lexoja këto letra. Dhe zbulova gjëra të mrekullueshme, që më pas shërbyen si skelet të librit “Chanel”.

- Cili është problemi i kësaj gruaje?

- Ishte një grua e pavendosur. Para së gjithash ishte një grua që kishte vuajtur shumë gjatë fëmijërisë, ashtu edhe si Kallasi, si të gjitha gratë e mëdha, që në vegjëli kanë përjetuar trauma të vërteta. Pothuajse duke luftuar kundër varfërisë. është një lajtmotiv i jetës se cilido që në vegjëli ka jetuar në kushte të rënda, të një varfërie të skajshme, ka vetëm një dëshirë të madhe shpëtimi, revanshi mbi jetën. Rrallëherë personazhet e mëdha të historisë kanë lindur të pasur, pikërisht sepse nëse ti lind i pasur, nuk e ke brenda vetes dëshirën për shpërblim, për të dalë në pah, për t’iu imponuar vëmendjes së të tjerëve. Dhe kështu, edhe Chanel-i lindi e varfër nga një baba tregtar, cigan, endacak, që ndër të tjera la gjurmë të thella tek ajo, sepse ishte një baba që dehej shpesh, mungonte shpesh në familjen e tij, sepse vërtitej me karrocë nëpër tregjet franceze për t’u kthyer në shtëpi dy-tri herë në vit i bërë xurxull. E linte të shoqen shtatzënë dhe nisej përsëri. Pra, një figurë jashtëzakonisht mjerave, që la gjurmë të thella në shpirtin e Chanel-it, që në fakt me meshkujt nuk arriti dot pothuajse kurrë të vendoste marrëdhënie dashurore të qëndrueshme. Pra, një grua që nga një fëmijëri, një adoleshencë të jetuar në mënjanim, u përpoq të vetafirmohej me energji të madhe, sepse ishte një fitimtare, sepse ishte një grua jashtëzakonisht këmbëngulëse, e fortë. Për këtë arsye më magjepsi. Femra, thjesht nga fakti se është femër, duhet të lodhet dhjetë herë më shumë në krahasim me një mashkull, sepse është kështu, është e kotë që ta fshehim.

- Ah, ju e dini këtë?!

- Sigurisht që e di. Nëse nuk do ta dija, ose do të shtiresha sikur nuk e di, do të isha një shtinjak. Dhe sidoqoftë, për shkak të faktit që ishte femër, iu desh të lodhej tri herë më shumë, ma bën jashtëzakonisht intriguese. Kështu që të vjen dëshira ta njohësh më mirë. Prandaj bëra një libër për të.

- Një libër i bukur, në fakt.

- Këtë nuk më takon mua ta them.

- Unë nuk e kam lexuar ende “Callas”-in, por do të doja t’ju pyesja: pse vallë këto lloj grash? Pse ju interesojnë? çfarë kanë, përveç asaj fëmijërie të vështirë?

- Callas-i ka një personalitet krejtësisht të ndryshëm nga ai i Chanel-it dhe të ndryshme janë edhe shkrimet. Në fakt, më është dashur ta modifikoj shkrimin sipas personazheve. Callas-i ishte një grua tejet melodramatike, shumë pasionante, shumë dramatike në tonet e saj, në jetën e saj. Në fund, vdiq nga dashuria, vdiq skllave e një burri si Onasisi që e keqtrajtonte dhe ajo ishte një nga gratë e para të planetit, një yll absolut dhe megjithatë përpara këtij njeriu ishte krejtësisht e pambrojtur, e dobët, pikërisht skllave e dashurisë së saj. Dhe për ta treguar Callas-in, lypsej të bëhej me tone të denja për traditën më të mirë letrare, domethënë, pothuajse me tone dramatike, pasionante, të pasionuara. Kurse Chanel-i ishte një grua më eshtake, më e thatë në ndjenja, më pak e prirë ndaj mallëngjimit, lotëve, zemërimit. Ishte një grua që e fshihte gjithçka në një dimension të brendshëm, për ta shpërthyer pastaj në skandale të pabesueshme. Kështu që jo vetëm ishin që të dyja gra me karakter shumë të fortë që ishin lodhur me të vërtetë për t’u imponuar, por në fund ia dolën mbanë. Ja, ky lloj grash më magjeps, me siguri. Edhe në jetë, jo vetëm në letërsi.

- Po ku janë në jetë sot këto lloj grash?

- Sot ka shumë prej tyre. Mendoj se ekzistojnë në anonimatin e tyre shumë Chanel-e dhe shumë Callas-e. Shumë gra, të cilat për të mbijetuar dhe jetuar, janë heroina të përnjëmendta. Vetëm se mbase nuk dihet. Mua më shkon mendja te nënat që mbase rrisin 4-5 fëmijë në mjerim, mbase të braktisura nga burrat. Më shkon mendja te profesionistet, që mbase për të arritur t’ua shpjegojnë të tjerëve zgjuarsinë e tyre, profesionalizmin e tyre, duhen të shembin shumë paragjykime. Të gjitha këto gra janë heroina në jetën e tyre. Mbase nuk do të arrijnë dot kurrë të jenë protagoniste të romaneve të mëdhenj, por e rëndësishme është që secila të jetë protagoniste e jetës së saj. Kjo është themelore.

- Por ka edhe diçka. Grave të sotme, grave që shoh në kopertinat tuaja, si Maria de Filippi, Elisabetta Canalis apo Claudia Gerini, u mungon misteri. Flasin për gjithçka.

- U mungon divizmi, sepse divizmi ushqehet me mister. Dhe për fat të keq, sot më pyesin shpesh: si është e mundur që sot nuk ekzistojnë më divat e mëdha si Greta Garbo, si Marlen Ditrich, si Callas-i? Pse? Sepse, për fat të keq, apo të mirë, jetojmë në një botë ku jemi shumë të monitoruar, domethënë para telekamerave 24 orë në ditë. Ashtu si në “Big Brother”. Domethënë, ne e jetojmë jetën tonë si në një “reality show” të madh. Dhe jo natyrisht e fshin në sytë e atij që qëndron në shtëpi, duke parë 24 orë në ditë divat e tij, personazhet e zemrës, çdo formë divizmi, sepse divizmi ushqehet me heshtje, me urtësi, me mister. Mendoni pak, pyes veten, nëse Greta Garbon do ta kishim parë ndërsa nderte rrobat apo shkonte të bënte pazar në supermarkete, a do të ishte ende Greta Garbo në imagjinatën tonë? Unë s’besoj. Sot televizioni e ka vrarë divizmin. Më mirë apo më keq? Mund të diskutohet. Sipas meje, më keq.

- Sipas meje, më mirë, meqë këtë intervistë po e bëjmë nëpërmjet televizionit dhe meqë nëpërmjet saj do t’ju njohin në Shqipëri.

- Po, por unë nuk jam një div, ju lutem! As nuk dua të jem i tillë.

- Ju jeni një personazh shumë interesant dhe i hapur, që keni folur në mënyrë të hapur edhe për jetën private. Pse e keni bërë këtë?

- Para së gjithash, për një çështje ndershmërie kundrejt publikut që më ndjek. Si edhe kundrejt vetes. Për fat të mirë, nuk ka asgjë të keqe të flasësh për orientimin tënd seksual. Unë e kam bërë me transparencë të madhe këtë. Edhe sepse është pjekur koha për të folur për këtë, edhe për të ndihmuar, sepse mbase shumë njerëz e jetojnë homoseksualitetin e tyre në mënyrë të fshehtë, në mënyrë shpeshherë të dhimbshme, sepse nuk kanë guxim të flasin për këtë në familje, nuk kanë guxim t’ua thonë shokëve. Dhe kjo nuk u ndodh vetëm meshkujve, por edhe femrave, sepse homoseksualiteti është edhe femëror. është shumë i përhapur. Dhe mendoj se ta dëshmosh në mënyrë të ndershme, të drejtpërdrejtë me publikun jetën tënde, duke i shpjeguar se secilit prej nesh i është dashur të luftojë, edhe të vuajë, për të mbërritur në disa objektiva, mendoj se është e dobishme. Dhe pastaj, edhe për një marrëdhënie ndershmërie. Nuk kam asgjë për të fshehur, pikërisht sepse nuk ka asgjë të keqe.

- Pastaj e bën jetën më të lehtë, duke e pranuar seksualitetin tënd...

- Absolutisht po. Në marrëdhëniet njerëzore, absolutisht po. Njoh shumë njerëz të pavendosur nga kjo pikëpamje, që për çudi, që janë më të këqijtë, gjithë mllef. Pse duhet t’ia ndërlikojmë jetën vetes kështu?! është mjaftueshëm e vështirë të jetosh. Le të përpiqemi të mos e bëjmë edhe më të vështirë.

- Po, por nëna juaj a e mendon kështu?

- Ah, me nënën time kam një marrëdhënie të mrekullueshme. Tani ajo është një grua shumë e moshuar që, ndër të tjera, ndihmohet nga një kujdestare bullgare, e cila tashmë bën pjesë në familje. Por nëna ime nuk e quan kujdestare, sepse thotë se është sekretarja e saj. Nuk dëshiron aspak ta përdorë këtë term, por është një grua që kur unë i tregova: “Shiko, mama! Unë jam gei!”... Unë mendova se kushedi nëna ime, tani! Ia thashë në kohën kur ishte 74 vjeçe, pra një grua shumë e moshuar. Tash me vete se kësaj do t’i bjerë të fikët. Kurse ajo më përqafoi dhe më tha: “Po pastaj? Shtëpia ime është gjithnjë e hapur. Ti je im bir. Unë të dua dhe do të të dua gjithnjë”. Domethënë, kjo më dha edhe shumë forcë.

- Po nëse ju do të kishit gjetur në jetën tuaj një grua si Callas do të kishit parapëlqyer…

- Do të isha dashuruar marrëzisht pas saj. Fati im është që nuk kam jetuar në kohën e Callas-it. Sepse nëse do të kisha jetuar në kohën kur ishte në botë një si puna e Callas-it, nuk do të kisha drejtuar dy revista dhe të bëja televizion. Do të isha vënë pas saj dhe nuk do ta kisha lëshuar më.

- ëndrra juaj erotike vazhdon të jetë Putini?

- ëndrra ime erotike? Unë përpiqem të mos kem ëndrra erotike, sepse përpiqem në jetën time t’i realizoj të gjitha. Kështu që dua të mbërrij në fund të jetës sime dhe t’i kem realizuar të gjitha ëndrrat e mia, të paktën ato erotike, që janë ato më të kapshmet, më të realizueshmet.

- Unë jua uroj, atëherë!

- Jo, jo, unë jam shkencor në këtë. Do t’i realizoj për së mbari, ju siguroj për këtë.

- Realizimi i ëndrrave erotike, ju ndihmon në punë?

- Po, po. Mund ta bësh mirë punën tënde. Unë kam pak kohë të lirë. Por kohën time të lirë, pikërisht, sepse është e çmuar, e ndaj vetëm me njerëzit me të cilët dua të rri. Prandaj nuk bëj jetë mondane, nuk do të më gjeni kurrë në darka mode. Nuk më interesojnë. Për fat të mirë, kam luksin t’i ndjek nga larg. U them “jo” të gjitha ftesave që më mbërrijnë, sepse koha ime e lirë është e imja dhe e ndaj me ata që më pëlqejnë mua. Nuk më pëlqen të qëndroj atje në fund të një dite pune duke bërë darka të mërzitshme, duke thënë “Ah, sa e këndshme je! Sa e bukur je!”. Po kujt i intereson?!

- çfarë bëni në kohën e lirë?

- E ndaj me miqtë, realizoj ëndrra erotike, shkoj nëpër restorante për të ngrënë dhe për të pirë, kështu... Kjo është jeta. Sepse kjo më jep energjinë për të qenë në orën tetë të mëngjesit këtu, duke bërë radio, duke drejtuar revista, duke bërë televizion në Romë, në Milano.

- A është e bukur jeta zoti Sinjorini?

- Po, është shumë e bukur. Jeta është me të vërtetë e bukur. Dhe shpeshherë them me vete: “O nëna ime! Sa bukur është të jetosh!”. Por edhe kur ka telashe. Sepse jeta nuk të jep kurrë, qoftë edhe dhimbje, pa mundur të nxjerrësh prej saj diçka të mirë. Kur vdiq im atë, me të cilin isha shumë i lidhur, sepse jam shumë i lidhur me familjen time, kuptova se edhe fundi i një njeriu që duam, ka një “pse” të tijën dhe na lë diçka të bukur. Një prej kujtimeve më të bukura në jetë, a e dini se kush është? Ditën e varrimit të babait tim, kur u gjendëm unë, nëna ime, halla ime duke ngrënë së bashku dhe ndjeva se ishte ajo dashuri familjare, ajo ngrohtësi e familjes sa unë thashë: “Edhe në një ditë të trishtë dhe të dhimbshme si kjo, ndoshta shërbeu për të na shtyrë ta duam njëri-tjetrin, për ta zbuluar këtë familje”. Ja, prandaj jeta është me të vërtetë e bukur, në të mirë dhe në të keqe. Kemi vetëm një jetë, për fat të keq. Shpresoj që të jetë edhe një tjetër përtej.

- Ju faleminderit që folëm për këtë jetën e këtushme! Faleminderit! Ishte shumë bukur të flisja me ju.

- Ju faleminderit juve! I përshëndes që të gjithë në Shqipëri.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›