Komunat, kundër firmave ndërtuese: Po shkelin rregullat teknike
Komunat Levan dhe Frakull, në territoret e të cilave kalojnë autostradat Levan–Vlorë dhe Levan-Tepelenë, akuzojnë firmat që po kryejnë punimet për shkatërrimin e tokave bujqësore. Një akuzë tjetër e bërë nga komunat ka qenë edhe bllokimi i kanaleve kullues dhe ujëmbledhës. Bëhet fjalë për veprat e artit të këtyre segmenteve të rëndësishme rrugore, që janë në ndërtim. Urat, mbikalimet dhe nënkalimet, sipas përfaqësuesve të komunave Levan dhe Frakull, kanë shkatërruar një pjesë të madhe të sipërfaqes së tokës bujqësore, e cila ka qenë e kategorisë së parë. Gjithashtu, këto vepra arti kanë bllokuar kanalet kulluese dhe ujëmbledhëse, duke shënuar shkatërrim të prodhimeve për dhjetëra fermerë.
Dëmet që u llogariten këtyre të fundit shkojnë në disa milionë lekë. Madje, Komuna Frakull rreth një muaj më parë gjobiti me 20 milionë lekë firmën e ndërtimit që po kryen punimet e autostradës Levan-Tepelenë. Gjoba ka pasur si objektiv dëmet e shkaktuara te tokat e fermerëve, argjinaturat e lumit Vjosë, si dhe te kanalet ujëmbledhës dhe kullues. “Firmat e ndërtimit veprojnë në mënyrë arbitrare dhe nuk respektojnë rregullat teknike për sa i përket zbutjes dhe eliminimit të dëmeve të mundshme në tokat përgjatë tyre”. Kështu i kanë komunikuar Prefekturës së Fierit përfaqësuesit e komunave Levan dhe Frakull. Kryetari i Komunës së Levanit, Agim Qejvani, është shprehur se ka njoftuar ministrin Sokol Olldashi. “Kam shkuar deri te ministri për ta bërë prezent shqetësimin e drejtë që kanë banorët e komunës sime. Nëse nuk ndërhyn as ministri dhe as institucioni që ai përfaqëson, do të na mbetet ne si përfaqësues të njësisë vendore të ndërhyjmë, duke bllokuar punimet deri në zhdëmtimin total”. Përmbytjet e këtij viti në një pjesë të madhe të tokave të Levanit kanë pasur si shkak pikërisht ndërhyrjet pa kriter të firmës që po kryen punimet në autostradën Levan-Vlorë dhe Levan-Tepelenë”, është shprehur Qejvani, kryetar i Komunës Levan. Në Komunën Frakull, një komision verifikimi i ngritur për dëmet e përmbytjeve ka klasifikuar se më shumë se 500 ha tokë është dëmtuar vetëm si pasojë e bllokimit të kanaleve nga veprat e artit të firmës së autostradës.
#