Iku një tjetër sezon i dështuar

Bledar KUKA
Presidentët, sponsorët, donatorët i shpenzuan milionat e radhës. Sezoni thuajse u mbyll, mbetet të zbulohet cili do të jetë fati i Lushnjes dhe Kastriotit sepse, sinqerisht, mendoj se Teuta do të qëndrojë në Superligë e Burreli do të detyrohet të kënaqet me të Parën. Arsyeja? Largësia relative nga kryeqyteti Tiranë që, ashtu si dielli në sistemin tonë planetar, është bërë qendra rreth së cilës rrotullohet gjithë Kategoria Superiore.
Fjala e burrit dhe e mikut
Dikur, në vitin 1922 apo 1923, një diplomat britanik në Tiranë shkruante gjithë entuziazëm sesi ish-ministri i brendshëm Ahmet Zogu dhe një nga ish-bajraktarët e Dibrës Elez Isufi, u morën vesh të lëshonin armët thjesht me një fjalë goje, një shtrëngim duarsh dhe një rrokje përqafe. Anglezit (apo britanikut) i dukej ky sistem më i mirë sesa dokumentet me firmë, vulë e noterizim të Mbretërisë së Bashkuar. Koha tregoi se mahnitja e tij ishte thjesht ekzotike dhe se pasardhësit e Zogut e të Isufit ecën drejt Britanisë së Madhe dhe jo e kundërta. C'lidhje ka kjo me futbollin tonë?
Në një nga kategoritë tona, javët e fundit në pjesën e sipërme të tabelës, u luajtëm sipas stilit Zog-Isuf, domethënë në bazë të miqësive, fjalës së burrit, por edhe të parave të thata hedhur në tavolinë. E kaluara vendosi jo pak. Një bos i njërit prej klubeve kryesore refuzoi dhjetëra milionë lekë të një bosi tjetër, thjesht për shkak të miqësisë me një tjetër bos që pretendonte të ngjitej një kategori më lart. "Nuk e bëj për para, por për miqësi", - ishte arsyetimi i këtij Zogu apo Elez Isufi të shekullit të 21-të. Makina e fatit ishte kurdisur në përsosmëri jo vetëm për një javë të kalendarit, por edhe për më tej, në mënyrë që jo vetëm një prej miqve, por të gjithë, të mbeteshin të kënaqur.
Korca duhej të ishte milionere
Dy sezone më parë një nga qytetet më të njohur shqiptarë, Korca, pa skuadrën e saj të binte nga Superiorja në të Parën, pas një finaleje plej ofi ndaj Teutës së Durrësit. Ishte maji i vitit 2006. Gojët e njerëzve (të liga apo të mira, nuk dihet) thanë e u shprehën se ai sezon i dështuar i kushtoi qytetit plot 750 milionë lekë të vjetra. Një specialist futbolli me emër tash së fundi kujton se Korca i ka nja 5 a 6 fusha futbolli në përmasa të rregullta, ndonëse në gjendje jo të mirë. "Të paktën nuk janë bërë pallate, - thotë ai dhe vazhdon: sikur me ato 750 milionë lekë të ishin rregulluar disa fusha në Korcë apo edhe në Pogradec, ekipet shqiptare nuk do të kishin nevojë të shkonin në Ohër, Strugë, Mavrovë të Maqedonisë e të paguanin 40 euro nata për lojtar në fazë përgatitore". Me të vërtetë, dy apo tri javë fazë përgatitore bëjnë 16 800 deri në 25 200 euro për një ekip të caktuar. Korca mund të mblidhte pa frikë 4-5 ekipe, në mos më shumë dhe të nxirrte nga 84 000 deri në 126 000 euro cdo verë. O burra, kryetar i bashkisë, bëj një preventiv dhe nis punën.
Milionerë pa "brekë"
Në më shumë se një klub të Kategorisë së Parë, pa diskutuar më poshtë, përballesh me bosë që hedhin miliona për trajnerin dhe shumë shpenzojnë edhe për lojtarët, ndërsa nuk kanë bazë materiale për të bërë stërvitje. Nuk ka topa, piketa etj. etj. gjëra që cdo trajner edhe fëmijësh do t'i kërkonte. Për ata që pretendojnë një kategori më lart, duhen të paktën 3-400 milionë lekë shpenzime dhe askush nga bosët nëpër klube nuk ka durim të presë një vit a dy, të bëjë nja dy fusha stërvitore dhe pastaj të synojë. Jo më kot i shquari Hysen Zmijani, në një intervistë për "Korrierin" thoshte se "unë nuk bëj dot intervistë si ti, nuk bëhem dot matematikan, pra secila punë do specialistin e vet". O burra presidentë, sponsorë, donatorë, mësoni nga Hysa dhe ndryshoni.