Laci, akuza për blerje ndeshjeje Apolonisë, cohet kamera filmike në FSH

Altin Latifi (Balkanweb.com)
Drejtuesit e Lacit kanë kërkuar nga Federata Shqiptare e Futbollit dhënien në tavolinë të rezultatit të ndeshjes me Apoloninë, duke pretenduar se klubi fierak ka blerë dy futbollistë të tyre për takimin që u luajt të dielën e kaluar. Për të provuar akuzat e tyre, krerët e klubit kurbinas kanë organizuar edhe një kamera të fshehtë, ku shihen dy lojtarë të këtij klubi dhe një person tjetër, që sipas tyre është i dërguar i administratorit të Apolonisë Endri Puka dhe që quhet Vladimir Cela. Madje, për këtë ekziston edhe një deklaratë e lëshuar nga Vladimir Cela, ku ai pranon se është dërguar për të blerë ndeshjen Laci-Apolonia.
Filmimi është prej afro 2 minutash dhe në të shihet njëri prej dy futbollistëve të Lacit, i cili numëron 15 mijë dollarët e dhënë nga Cela. Ky regjistrim i është paraqitur Federatës, e cila ka njoftuar nisjen e një hetimi nga ana e Komisionit Disiplinor. Shefi i Garave Shulku ka vënë në lëvizje për këtë cështje dy inspektorët që ndodhen pranë këtij Komisioni dhe që merren me problemin e shitjes së ndeshjeve.
Sipas shefit të klubit të Lacit, Pashk Laska, filmimi është kryer në një nga lokalet e Lacit të dielën në mëngjes, pak orë përpara fillimit të ndeshjes. Sipas tij, kontaktet mes përfaqësuesit të Apolonisë dhe lojtarëve të Lacit kanë nisur që ditën e mërkurë.
Takimi mes Lacit dhe Apolonisë përfundoi në barazim 1-1 dhe fierakët siguruan ngjitjen në Superligë. Ndeshjes iu dha një rëndësi e jashtëzakonshme, madje duke u drejtuar nga një treshe arbitrash italianë me kryesor Andrea Romeo. Kjo është hera e parë që një klub futbolli sjell filmime për të vërtetuar korrupsionin në futboll.