E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilaçet e rimbursueshme, ja 11 barnat e përfshira në listën e re

SHKRUAN: Jonida Tashi 02-06-2011 11:01

Miratohet lista e re e barnave të rimbursueshme për vitin 2011, në të cilën janë shtuar vetëm 11 alternativa të reja, nga 24 që propozoi Ministria e Shëndetësisë. Pas procedurave të publikimit, që nënkupton hyrjen në fuqi të vendimit pas botimit në “Fletoren Zyrtare”, lista e re e barnave do të jetë e gatshme për pacientët në nevojë që përfitojnë nga rimbursimi i barnave që mbulohen nga ISKSH, ku prioritet do të jenë të sëmurët kronikë. Vendimi për miratimin e listës së re është marrë dje nga Këshilli i Ministrave, në të cilin është përcaktuar edhe masa e mbulimit të çmimit të tyre. Ndërkaq, pas daljes së këtij vendimit, ISKSH ka sqaruar se cilat janë barnat e reja që janë shtuar në listë dhe për çfarë sëmundjesh do të përdoren ato. “Lista e re e barnave të rimbursueshme është pasuruar me 11 alternativa të reja, nga të cilat disa formëdoza barnash që trajtojnë sëmundje kronike, duke krijuar kështu mundësinë e një dozimi më të mirë dhe më efikas për pacientët. Këto barna të reja përdoren për mjekimin e anemisë, te të sëmurët me veshka, për diabetikët, të sëmurët e pneumologjisë, kardiologjisë, okulistikës etj. Në total, lista e barnave të rimbursueshme 2011 përmban 420 barna nga 409 që kishte në vitin 2010 (ose 236 principe active)”, - u shpreh drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana. Sipas ISKSH-së, barnat dhe kombinimet e barnave ekzistuese të listës që janë përfshirë në listën e re 2011, janë kombinime barnash me përdorim kryesisht në nefrologji (anemia në pacientë me IRK), endokrinologji, pneumologji dhe kardiologji, okulistikë, parazitologji, duke realizuar mundësi më të mira të mjekimit për sëmundjet respiratore, kardiake, ato të syve, diabetit etj. Bazuar në konsumin e barnave të rimbursueshme të vitit të kaluar, rritjes natyrale të sëmundshmërisë si dhe rritjen e vazhdueshme të ndjeshmërisë ndaj skemës, efekti financiar i kësaj liste pritet të shkojë në 7250 milionë lekë të reja deri në fund të vitit, duke përfshirë këtu edhe rimbursimin e TVSH-së mbi barnat, i cili i mbartet i gjithi nga ISKSH. “ISKSH do të marrë përsipër edhe mbulimin e TVSH-së 10% për barnat e rimbursueshme, duke mos cenuar në asnjë rast pacientët. Theksojmë se ISKSH është e vendosur të intensifikojë kontrollet, duke bërë një monitorim të rreptë në të gjithë vendin, në mënyrë që të sigurojë qëndrueshmërinë e skemës dhe të minimizojë në maksimum abuzimet”, - u shpreh drejtoresha e ISKSH-së. Sipas vendimit të qeverisë, “Për miratimin e listës së barnave, që rimbursohen nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, dhe të masës së mbulimit të çmimit të tyre”, masa e mbulimit të çmimeve të barnave të listës së barnave që rimbursohen, sipas klasifikimit ATC, do të jetë në masën 50% deri në 100%, sipas grupeve terapeutike dhe barnave përkatëse. Ndërkaq, qeveria ka miratuar edhe marzhet e diferencuara të tregtimit, përkatësisht në masën 12% për tregtimin me shumicë, dhe 29%, për tregtimin me pakicë, për barnat e listës së barnave të rimbursueshme, si dhe marzhet e diferencuara të tregtimit me shumicë e pakicë të disa barnave të listës. Në fund të vendimit qeveria ka përcaktuar që efektet financiare të përballohen nga buxheti i vitit 2011, miratuar për Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, si dhe të ardhurat tepër, realizuar gjatë vitit 2010 nga ky institut. Po ashtu ISKSH duhet të përcaktojë kufizimet në përdorimin, sasinë dhe kohëzgjatjen e trajtimit me barnat e kësaj liste. Një vit më parë, lista e barnave të rimbursueshme u miratua në datën 24 shkurt, ndërkohë që në të u shtuan 17 alternativa të reja.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›