KE: Buxheti i Kosovës për viti 2011, i rrezikuar

Komisioni Evropian ka theksuar rëndësinë e disiplinës fiskale si parakusht për mjedis të stabilizuar makroekonomik dhe investime në Kosovë.
Komisioni ka shprehur brengën për “rrezikun që rrethon buxhetin e vitit 2011 dhe financimin e deficitit”.
Në një deklaratë për mediat të Komisionit Evropian,thuhet se përfaqësuesit e Komisionit kërkuan nga “autoritetet të ndëmarrin masa paraprake të konsolidimit”.
Në deklaratë thuhet se autoritetet kosovare kanë shpjeguar hollësisht programin ekonomik të miratuar së fundi nga Qeveria dhe planin shoqërues të veprimit.
“Komisioni theksoi nevojën për marrjen e masave të cilat duhet të vlerësohen kundrejt efekteve të mundshme negative anësore dhe të analizohet si duhet ndikimi i tyre fiskal”, ka qenë kërkesa e Komisionit Evropian.
Takimi ishte pjesë e dialogut të rregullt në kuadër të Dialogut të Procesit të Stabilizim-Asocimit.
Në takim është diskutuar edhe për zhvillimin makroekonomik në Kosovë, politikat fiskale dhe financiare, privatizimi i ndërmarrjeve publike, sistemi statistikor dhe menaxhimi financiar dhe kontrolli i fondeve publike.
“Shërbimi i Komisioni mirëpriti regjistrimin e rregullt që është bërë në muajin prill dhe kërkoi nga Kosova të përmirësojë mbledhjen e të dhënave statistikore për qëllime socio-ekonomike, pasi që ato janë të domosdoshme për politikbërje”, thuhet në komunikatën për media të Komisionit Evropian.