E Diel, 1 Nëntor 2026

Albtelekom dhe Eagle festojnë 1 qershorin me fëmijët në Stamboll

ALBtelecom dhe Eagle Mobile feston 1 Qershorin në Stamboll bashkë me 10 nxënës me rezultate të shkëlqyera, të përzgjedhur nga shkolla të ndryshme të kryeqytetit. Grupi i fëmijëve është përzgjedhur nga familje në nevojë në bashkëpunim me Zonjën e Parë, Teuta Topi. ALBtelecom dhe Eagle Mobile për të dytin vit rresht mundësojnë festimin e “1 Qershorit” në Turqi sëbashku me drejtuesit më të lartë të Grupit Çalik. Grupi i fëmijëve është përcjellë në Aeroportin “Nënë Tereza” nga Drejtori i Përgjithshëm i ALBtelecom dhe Eagle Mobile Dr. Orhan COŞKUN (Xhoshkun) dhe Zonja e Parë Teuta TOPI. Zonja Topi tha se ALBtelecom dhe Eagle Mobile tashmë e kanë bërë traditë organizimin e një guide-tur në Stamboll për fëmijët me rezultate të mira në mësime dhe që vijnë nga familje me të ardhura minimale. Sipas saj, të dy kompanitë japin një mesazh domethënës për fëmijët, se çdo punë e mirë që bëhet shpërblehet. “Janë zgjedhur nxënës me rezultate të larta dhe me kushte jo të mira ekonomike, me qëllim përçimin e mesazhit të fëmijët e tjerë se me punë dhe dashuri për të ardhmen çdo gjë mund të sfidohet dhe çdo betejë mund të fitohet. Ju uroj gëzuar festën e 1 Qershorit, rezultate të larta në mësime dhe të vazhdojnë të përkushtohen në mësime”, u shpreh Zonja TOPI. Drejtori i Përgjithshëm i ALBtelecom dhe Eagle Mobile, Orhan COŞKUN, duke uruar festën të gjithë fëmijëve shqiptarë shtoi se të dy kompanitë ndihen krenare nëse do të ndikojnë sadopak në të ardhmen e fëmijëve. Më pas, 10 fëmijët kanë fluturuar drejt Stambollit, ku kanë vizituar qendrën e kompanisë prestigjioze Çalik Holding. Fëmijët janë pritur në një takim të veçantë nga Presidenti i kësaj kompanie z. Ahmet Çalık, i cili ka biseduar me ta rreth të ardhmes së tyre dhe tema të tjera me interes për moshën e fëmijëve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›