E Shtunë, 31 Tetor 2026

Privatizimi i HECE-ve, çahet maxhoranca

SHKRUAN: Sabina Veizaj 02-06-2011 10:56

Çahet maxhoranca për shitjen e hidrocentraleve. U miratua me 10 vota pro të maxhorancës, por pa votën e deputetit demokrat Sherefedin Shehu, projektligji për “Krijimin e Shoqërive “HEC, Ulëz- Shkopet sh.a, Hec Tiranë, Lanabregas sh.a, dhe Hec Bistrica 1 dhe Bistrica 2sha. Dhe përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërive HEC Ulëz – Shkopet sh.a dhe HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2 sh.a” dje në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë dhe Financave. Një debat i nxehtë mes deputetëve të maxhorancës përshkoi dje diskutimet për projektligjin e mësipërm, të propozuar nga Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës. Deputeti Sherefedin Shehu e kundërshtoi këtë projektligj, duke kërkuar që t’i kthehej qeverisë për t’u riparë. Sipas tij, ky projektligj nuk merr parasysh pronësinë e titujve për zonat e përmbytura. Në të njëjtën kohë, deputeti Shehu kërkoi që në projektligj të specifikohej qartë dhënia me koncension dhe jo shitja e hidrocentraleve të mësipërm dhe, sipas tij, meqenëse Ministria e Energjetikës synon ndarjen nga KESH dhe formimin e këtyre shoqërive aksionere, pse nuk e bënë vetë, por kërkon mbrojtjen me ligj dhe e sjellë në komision. Ai vërejti se kuadri ligjor ka probleme teknike. Në këtë mënyrë, deputeti Shehu, deputeti i opozitës Harasani etj, hodhën hije dyshimi mbi këtë projektligj duke iu referuar mundësisë së shitjes së hidrocentraleve. “Është nonsens ekonomik. Bota e ka provuar. Liberalizimi i plotë është liberalizimi i tregut dhe nuk fillon liberalizimi me shitjen. Kam frikë mos ndodh si me CEZ, që u bënë procedurat e tani nuk po i kërkon llogari njeri për kontratën. Liberalizim do të thotë të respektohen rregullat e lojës. Kërkoni të zv. anëtarë e ERE-s se kanë tre muaj që janë shkarkuar dhe vazhdojnë punën. Reforma më e mirë 10 vitet e fundit është ndarja e sektorit energjetik; Transmetim, Prodhim, shpërndarje. Në ligj duhet të ndalohet se po kthehemi mbrapa. Një kompani që prodhon të marrë shpërndarjen???”- u shpreh deputeti Harasani. Sipas Harasanit, projektligji bie në kundërshtim me deklaratat e Kryeministrit, që do të ketë sa më shumë vepra publike strategjike. Nga ana e tij, deputeti Hida kërkoi që privatizimi të bëhet me ofertë publike dhe të jepet me koncension vetëm menaxhimi dhe mirëmbajtja. Gjithashtu, ai kërkoi që nenit 9 t’i shtohej që 50% e fitimit nga privatizimi të shkojnë për ristrukturimin e borxhit. Debati u fokusua gjithashtu edhe te çmimi të cilin do të paguajë investitori strategjik, i cili sipas projektligjit do të jetë i favorizuar, ndërsa deputetët kërkuan që edhe ky lloj investitori të përballet me çmimin e tregut. Ndërsa përfaqësuesi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës, Agim Bregasi, sqaroi se krijimi i shoqërive anonime bëhet me synim ndarjen nga KESH dhe liberalizimin e mëtejshëm të tregut. “Ndarjet nuk janë të rastësishme. Sistemi elektroenergjetik mbështetet në tre kaskada. Gjithë fuqia e zotëruar nga KESH është 1432 MË. Nuk është vendim i momentit. Ky privatizimi është për rritjen e shfrytëzimit të tyre dhe liberalizimin e mëtejshëm të tregut. Ngritja e tre shoqërive dhe privatizimi i tyre nuk bëhet formalisht. Neni 5 tregon se një mënyrë është transferimi i të drejtës së pronësisë së aksioneve dhe mënyra tjetër me koncension”, - u shpreh Bregasi. Ai tha se Qeveria do të kontraktojë një shoqëri konsulente, e cila do të vendosë se si do të veprohet, çmimin, etj. Sipas tij, koncensionet që kanë filluar janë të krahasueshëm me fuqinë që kërkohet të privatizohen. Projektligji në fjalë parashikon krijimin e tre shoqërive sh.a Ulez-Shkopet, Tiranë, LanaBregas, Bistricë 1 dhe Bistricë 2 dhe ndarjen e tyre nga KESH. Në fazën e parë nuk parashikohet privatizimi i Lanabregasi, i cili do t’i mbetet shtetit. Të katërt këto Hidrocentrale kanë një fitim prej 6 % shpenzime 2,9 %, që sipas Bregasit e arrijnë vlerën e tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›