E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Shitja e hidrocentraleve, vepër kriminale

Opozita kundërshton fort privatizimin e hidrocentraleve dhe deklaron se nuk do t’i njohë ato. Kreu i opozitës Edi Rama, dje në një konferencë për shtyp është shprehur se, opozita nuk do të njohë si të ligjshëm asnjë proces të kësaj natyre dhe “ashtu siç kemi thënë për të tjera procese të korruptuara, me sfond mafioz, themi edhe përsa i përket procesit të hapur për privatizimin e këtyre aseteve kombëtare. Do t'i zbrapsim edhe do t’ua kthejmë shqiptarëve, publikut”. Ai tha se do të duhet përpjekje titanike për të dalë nga ky qorrsokak ekonomik, në të cilin është futur ekonomia shqiptare.

“Lidhur me pagat, me shpenzimet operative apo për ndihmë ekonomike, janë marramendëse në funksion të një qëllimi të vetëm, të deformimit të procesit zgjedhor dhe të thellimit të gropës, ku ekonomia shqiptare po zhytet gjithnjë e më shumë, për faj të një pushteti që po e fut Shqipërinë në një qorrsokak, ku herët do të gjendemi të gjithë", tha Rama. Ai e ka cilësuar si një shthurje të ekonomisë, e cila ndodhet në një fazë të rrezikshme përmes të cilës, qeveria e kryeministrit Sali Berisha është duke i hapur shtegun abuzimit për pronat e shqiptarëve. Gjithashtu, Rama e krahasoi situatën aktuale ekonomike me atë të një bombe me sahat, koha e shpërthimit të së cilës sa vjen dhe afrohet, duke ia faturuar barrën e fajit keqqeverisjes aktuale të vendit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›