E Shtunë, 31 Tetor 2026

UET, dhurata për shtëpinë e fëmijës në Shkodër

Studentë dhe pedagogë të UET krijojnë një ditë ndryshe për 50 fëmijët jetimë

Me rastin e festave të fundvitit, një grup studentësh të ekselencës në Universitetin Europian të Tiranës bashkë me pedagogët, zëvendësrektoren, Nevila Xhindi dhe rektorin Tonin Gjuraj ndanë dhurata për të vegjlit e shtëpisë së fëmijës në Shkodër. Vizita në shtëpinë e fëmijës në këtë qytet bëri që ata të kalonin një paradite krejt të pazakontë duke luajtur, kënduar e kërcyer me fëmijët e duke u dhuruar atyre jo vetëm lodra, por edhe disa çaste ngrohtësie. Kukulla barbi, spidermanë, supermanë, shtëpi kukullash, makina, motorë e shumë e shumë lodra të tjera të dhuruara nga UET bënë që 50 fëmijëve t’u shkëlqenin sytë nga gëzimi foshnjor për lodrat. UET është një prej institucioneve arsimore me ndjeshmëri të lartë sociale e qytetare, i cili që prej themelimit të tij ka përqafuar gjithnjë nisma në ndihmë të njerëzve në nevojë, me donacione, kontribute, fushata sensibilizuese, por edhe me dhënien e bursave për studentët e shkëlqyer, bursa sociale për shtresat në nevojë, komunitetet e ndryshme si romë apo egjiptiane dhe për fëmijët e policëve të rënë në detyrë etj. Kësaj here drejtuesit e UET vlerësuan që kontributin e tyre ta çonin edhe përtej kryeqytetit, duke shpërndarë ndihma e dhurata edhe në rrethe. Rektori i UET, Tonin Gjuraj, pasi i uroi fëmijët për festat e fundvitit u shpreh: “Ky duhet të jetë një apel për institucionet qeveritare e joqeveritare, për shoqërinë civile e për të gjithë shoqërinë që të kenë më tepër vëmendje ndaj këtyre fëmijëve, ndaj kësaj kategorie që ka nevojë për ne dhe ne kemi nevojë për ta që të integrohen”. Ndërsa, drejtoresha e shtëpisë së fëmijës, Eva Luli, duke falenderuar UET-in për gatishmërinë që tregoi duke sjellë këto dhurata, u shpreh se “gëzimi më i madh për ta nuk janë vetëm dhuratat, por edhe pjesëmarrja, sepse përfaqësuesit e UET erdhën me një grup studentësh, të cilët luajtën, kënduan dhe kaluan një ditë shumë të bukur dhe kjo është një mbështetje dhe kënaqësi shumë e madhe për ta”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›