Biznesi: Zhvlerësimi i lekut, spekulativ, të ndërhyjë Banka e Shqipërisë
Dobësimi i lekut, për rrjedhojë forcimi i monedhave të huaja, euros dhe tanimë dhe dollarit, sipas komuniteti të biznesit nuk ka arsye të qëndrueshme për të pasur këtë raport mes tyre. Sipas biznesit prodhues në vend, zhvlerësimi i lekut në këtë nivel ka më shumë bazë psikologjike dhe spekulative, ndaj kërkon menjëherë nga Banka e Shqipërisë të ndërmarrë ndërhyrje ligjore për këtë situatë.
Komuniteti i biznesit prodhues, i grupuar pranë Konfindustrisë, shpreh shqetësimin e tij lidhur me kahjen e dukshme zhvleftësuese të ditëve të fundit të monedhës kombëtare, lekut, kundrejt euros e dollarit dhe i kërkon Bankës së Shqipërisë të ndërhyjë pa vonesë në të gjitha rastet kur gjykohet se ndeshemi me arsye subjektive të natyrës psikologjike dhe spekulative. Përafrimi me shpejtësi i normës së këmbimit të lekut me euron në shkallën mesatare të këmbimit prej 140 lekë/euro do të thotë se po arrijmë në zhvleftësim vjetor të ndjeshëm prej afër 15%. Konfindustria gjykon se zhvleftësimi i vazhdueshëm i lekut në ditët e fundit nuk ka arsye të qëndrueshme për të ndodhur. Kështu, viti mjaft i mirë energjitik në vazhdim ka balancuar rënien e të ardhurave të emigrantëve, ndërsa rënia e ndjeshme e çmimeve të importeve bazë, si karburantet, hekuri, drithërat etj. ka zvogëluar ndjeshëm pasojat e rënies së eksporteve shqiptare, kur dihet se deficiti tregtar i vendit është historikisht mjaft i thellë në favor të importeve. Sa më sipër tregon se zhvleftësimi i lekut u nënshtrohet më tepër shkaqeve psikologjike dhe spekuluese, që e bëjnë të detyrueshme ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë. Njëkohësisht kërkohet nga ekzekutivi shqiptar t’i përmbahet me rreptësi ruajtjes së parametrave të deficitit buxhetor të planifikuar, duke treguar kujdes në sigurimin e të ardhurave dhe në realizimin e shpenzimeve në grafikun kohor të përcaktuar. Konfindustria, mbështetur në të dhënat e vazhdueshme të ardhura pranë saj, vlerëson se vazhdimi i zhvleftësimit të shpejtë të lekut do të ketë pasoja të rënda dhe të drejtpërdrejta sidomos në industritë që nuk kanë cikël të mbyllur përpunimi në vend dhe lëndët e para të të cilëve sigurohen në tregjet ndërkombëtare si p.sh. industria mekanike, industria e përpunimit të mishit, industria e përpunimit të grurit etj.. Më të mbrojtur nga zhvleftësimi i monedhës kombëtare janë sektorët industrialë, që punojnë me cikël të mbyllur si p.sh. industria e përpunimit të qumështit. Zhvleftësimi i lekut prek ndjeshëm importin e teknologjisë, makinerive dhe pajisjeve industriale, që do të japë ndikim negativ në afatgjatë në prodhimin vendor dhe që zeron ndikimin pozitiv në shkurajimin e importeve të prodhimeve të gatshme, që ndodh objektivisht në rastin e mësipërm. Norma e fitimit në industritë e mësipërme gjatë gjithë vitit 2009 është ulur ndjeshëm për të mos prekur çmimet e shitjes dhe për të qenë konkurrues me prodhimet e importit, por vlerësohet se veprimi i mësipërm nuk mund të vazhdojë për një kohë të gjatë në rast se zhvleftësimi i monedhës kombëtare vazhdon.