E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilegalët e veriut të ndarë rreth bisedimeve me Prishtinën

Strukturat paralele në veri të vendit janë të ndarë në mendimet e tyre rreth çështjes së bisedimeve me Prishtinën zyrtare për veriun.

Kryetari ilegal në veri të Mitrovicës, Kërstimir Pantiq ka thënë të mërkurën se qytetarët e veriut të Kosovës përmes referendumit të mbajtur më 15 shkurt i kanë thënë jo institucioneve shqiptare. Ai u shpreh skeptik rreth planit të paralajmëruar nga ana e Qeverisë së Kosovës për veriun, duke thënë se ky plan sikurse edhe planet e mëparshme nuk do të japin ndonjë rezultat.

“Serbët e veriut do të vazhdojnë të punojnë dhe të funksionojnë si institucione serbe”, ka thënë Pantiq, duke shtuar se me Prishtinën mund të bisedojnë vetëm përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë, ndërsa liderët lokalë mund të jenë pjesë e ekipit serb.

Në anën tjetër, Dragisha Milloviq, po ashtu kryetar ilegal i komunës së Zveçanit, u shpreh të mos jetë në dijeni për planin e paralajmëruar për shtator nga ana e Prishtinës, rreth çështjes së veriut.

Sipas tij, ai do të negociojë me përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, nëse për një gjë të tillë merr mandatin nga Kuvendi Komunal.

”Rreth të gjitha çështjeve paraprakisht duhet të merret vendim nga ana e Kuvendit Komunal, pastaj unë si kryetar do të përfaqësojë vendimet e këshilltarëve të këtij Kuvendi”, ka thënë Milloviq.

Ai theksoi se pas 17 marsit të vitit 2004 të gjithë serbët e fshatit Frashër janë shpërngulur dhe tani jetojnë në Zveçan.

“Për këtë temë jam i gatshëm të bisedojë me kryetarin e Mitrovicës jugore dhe me të gjithë ata të cilët mund të ndihmojnë që njerëzit të kthehen në fshatrat e tyre”, ka thënë Milloviq. (Kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›