Kosova nuk trajnon guerilët nga Siria

Çitaku pohoi se në Kosovë ka pasur vizita nga përfaqësues të lëvizjeve opozitare, jo vetëm siriane, por dhe të vendeve të tjera, ku ka pasur shkëmbim përvojash, por mohoi që Kosova po trajnon kryengritësit sirianë.
“Ajo çka ka ndodhur në fakt kanë qenë disa vizita nga përfaqësues të lëvizjeve opozitare, jo vetëm siriane, por dhe të vendeve tjera dhe ka pasur shkëmbim të përvojave. Nuk ka fjalë që UÇK është guerilja më e suksesshme në historinë e re botërore dhe përvojat e saj qoftë në luftë për liri, qoftë në transformime të suksesshme mund të merren si leksione për të tjerët. Por, në asnjë formë, nuk kemi këtu ndonjë kamp stërvitor për ushtarët guerilë sirianë”, tha ajo, siç transmeton Kosovapress.
Çitaku më tej pohoi se Kosova ka prezencë shumë të fuqishme të NATO-s dhe EULEX-it dhe gjëra të tilla assesi s’do të mund të ndodhnin, pa një koordinim me faktorin ndërkombëtar.
Ndërsa, Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, dje në një konferencë për Media, pas seancës së Këshillit të Sigurimit, tha se Prishtina është duke u dhënë vetëm mbështetje politike opozitës siriane, e cila tash e 14 muaj lufton kundër forcave të Assadit.
"Ne jemi nder shtetet e para në Evropë që kemi mbështetur opozitën në Libi si dhe shtete tjera, sepse ne dikur kemi luftuar për të njëjtat aspirata dhe vlera. Të njëjtën qasje e kemi edhe ndaj Sirisë dhe kemi kontakt diplomatike me opozitës siriane”, tha Hoxhaj, siç transmeton agjencia “Reuters”.
I pyetur nëse Kosova është duke ndërtuar qendra trajnimi për rebelet sirian, Hoxhaj tha: "Jo, në asnjë mënyrë”.
Churkin, shteti i së cilit është një mbështetës i madh i regjimit të Assadit dhe që ka kundërshtuar sanksionet kundër Sirisë, e ka shfaq frikën e Moskës që Kosova është duke iu dhënë Sirisë më shumë se këshilla politike.
Ai ka pohuar se nëse këto raporte janë të vërteta, prania e luftëtarëve sirianë në Kosovë do të minojë përpjekjet ndërkombëtare për të rivendosur paqen në Siri.
Në fakt, Kosova dhe ish-Ushtria e saj Çlirimtare merren shembull nga vendet që përjetuan Pranverën Arabe. Periudha e pasçlirimit u ka interesuar revolucionarëve libianë. Një grup prej 29 personash për një javë janë trajnuar në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.