E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi kërkon ndihmën e Portugalisë

Një delegacion i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga kryetari Jakup Krasniqi, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Portugali, është pritur në takime të ndara nga deputetë të partive qeveritare dhe opozitare në Portugali nga të cilët, Krasniqi, ka kërkuar që Portugalia ta shfrytëzojë autoritetin e saj, që edhe pesë shtetet tjera të BE-së ta marrin vendimin për njohjen e Republikës së Kosovës.

Kryetari Krasniqi dhe delegacioni që e shoqëron ai, është pritur mbrëmë në takime të veçanta nga deputetët e Parlamentit portugez: Teresa Anjihno dhe Joao Serpa Olvia nga Partia Popullore, Antonio Costa Rodrigues nga Partia Social Demokrate, parti këto në bllokun qeveritar, si dhe nga kryetarja e Partisë Socialiste, në opozitë, Maria de Belem Roseria.

Parlamentarët portugez vlerësuan se Kosova është duke ecur në rrugë të drejtë, ndërsa konfirmuan mbështetjen e shtetit të tyre edhe në të ardhmen. Mikpritësit u interesuan për situatën e sigurisë në vendin tonë, marrëdhëniet me Serbinë, si dhe zhvillimet në veri. Ata shprehën interesimin e tyre për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve”, thuhet në një komunikatë të Zyrës për Marrëdhënie me Publikun, të Kuvendit të Kosovës.

Sipas saj, Krasniqi ka falënderuar parlamentarët portugez për mikpritjen, për qëndrimin e Portugalisë ndaj Kosovës, mbështetjen ushtarake, si dhe njohjen e pavarësisë që në vitin e parë të shpalljes së saj.

Duke folur për njohjen ndërkombëtare të Kosovës, kryeparlamentari Krasniqi ka kërkuar nga deputetët portugezë që të ushtrojnë ndikimin e tyre që edhe pesë shtetet anëtare të BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë këtë, si dhe te shtete të tjera, mike të Portugalisë.

Takimet, të cilat u zhvilluan në frymë të hapur e miqësore, u konsideruan si mundësi për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërparlamentare ndërmjet Kosovës dhe Portugalisë.

Delegacioni parlamentar pritet të takohet edhe me personalitete të tjera të larta portugeze.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›