E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërhiqet PDK

Partia e Hashim Thaçit nuk i riktheu të martën në rivotim dy rekomandimet me të cilat bllokohet dialogu me Serbinë. Deputeti Arsim Bajrami tha se çështja e të pagjeturve nuk duhet të politizohet. E, opozita, zmbrapsjen e PDK’së e konsideroi si fitore të saj.

Nuk ishte mungesa e kuorumit në seancën e së martës në Kuvend, ishte arsyeja e dështimit të Partisë së Hashim Thaçit për të rikthyer në votim dy rekomandimet me të cilat bllokohet dialogu me Serbinë.

Kësaj radhe, deputetët e PDK’së u zmbrapsën vetë. E, këtë thonë se e bënë në emër të fatit të personave të pagjetur dhe familjarëve të tyre.

Deputeti Arsim Bajrami ishte ai i cili të martën u bëri thirrje kolegëve të tij që të ndalin debatin që është krijuar në media ditëve të fundit për fatin e të pagjeturve. Për më tepër, kërkoi nga ata që të mos e politizojnë një çështje të rëndë si kjo.

“Të mos jetë objekt i përplasjeve në mes të partive politike, sepse kjo çështje është thellësitë fondamentale, çështje shtetërore. Propozoj që ne ta ndalim këtë debat, debat që nganjëherë më së paku u bënë nder të pagjeturve. Kjo çështje është një plagë e rëndë. Fati të pagjeturve dhe zbardhja e fatit të tyre është një detyrim, është detyrim i shtetëror dhe kushtetues i të gjitha institucioneve të Kosovës”, ka thënë Bajrami gjatë seancës të së martës.

Por, u zotua edhe për një angazhim të tij personal.

“Në parlamentet serioze, në demokracitë parlamentare, proceset e votimit janë procese shumë transparente dhe profesionale. Dhe angazhohem që udhëheqja e parlamentit mos të hedhë në votim gjëra kontradiktore, por t’i studiojë ato mirë, në mënyrë që mos të bjerë parlamentin në një situatë çfarë kemi qenë. Unë angazhohem që ne të mos diskutojmë për këtë çështje, sepse kjo çështje mbetet detyrim shtetëror i Republikës së Kosovës dhe ne ta vazhdojmë seancën pa përplasje”, u shpreh eksperti i së drejtës kushtetuese, Bajrami.

Ndërkohë që, me propozimin e tij, u pajtuan 68 deputetët e pranishëm në seancë. Mirëpo, disa opozitarë nuk hezituan ta shndërrojnë në fitore të tyre zmbrapsjen e PDK’së.

“Mendojmë që vendosmëria e opozitës ia ka ndalur hovin PDK’së në tentimin që e kanë bërë disa herë duke i shkelur procedurat të parapara me rregullore të Kuvendit”, ka thënë Shefi i Grupit parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri pas përfundimit të seancës.

“Është e habitshme që dje të këtë mosharmonizim, ndërsa sot të jetë gjithçka në rregull, kështu që ky ka qenë një blof dhe një tentim i vazhdueshëm i PDK’së që ta nëpërkëmbë punën e Kuvendit”, shtoi ai.

E, ajo që ende nuk dihet, është nëse Qeveria do të bllokojë apo jo bisedimet me Beogradin. Kjo nuk preferohet nga bashkësia ndërkombëtare, mirëpo parlamenti ka votuar javën e kaluar pro bllokut.

Pavarësisht kësaj, Beqiri u shpreh skeptik sa i përket respektimit të vendimeve nga ana e Ekzekutivit, ndonëse pohoi se është obligim ligjor.

“Çdo rezolutë e Kuvendit e obligon këtë qeveri, e cila fatkeqësisht nuk e respekton qëndrimin dhe vendimin e Kuvendit. Se si do të ecet më tutje, ne jemi këtu për të parë, por realisht rekomandimet e miratuara nga Kuvendi janë obligative”, u shpreh Beqiri.

Zëvendësshefi i Qeverisë, Hajredin Kuqi ndërkaq pati përgjigje në skepticizmin e opozitarëve.

“Natyrisht do ta marrim vendimin, do ta shqyrtojmë se si është puna e rekomandimit, por jemi të bindur se edhe Kuvendi, edhe të gjithë e mendojmë zgjidhjen me të mirë për Kosovën”, ka thënë Kuçi.

Sidoqoftë, Zëvendëskryeministri nuk ishte në gjendje të pohojë edhe ndonjë bllokim eventual të dialogut me Serbinë.

“Momentalisht jemi të fokusuar që të implementohen marrëveshjet e arritura deri më tani, por besoj që edhe mocioni i miratuar në Kuvend por edhe të tjerë e kanë validitetin e vet, por jo në kuptimin e kushtëzimit të asaj që është në të mirë për vendin tonë”, iu përgjigj ai mediave.

Megjithëkëtë, PDK’ja veç pati një nismë për të rivotuar rekomandimet e dala nga debati i së enjtes. Javën e kaluar, kjo ishte e pamundur për shkak të mungesës së kuorumit, meqë opozita ka lëshuar sallën duke lënë vetëm 36 deputetë të pushtetit në Kuvend.

Rekomandimet e votuara të enjten e kaluar e kanë bllokuar dialogun me Serbinë, ngaqë kërkohet nga Qeveria të kushtëzojë vazhdimin e takimeve me Serbinë me gjetjen e 1780 personave të pagjetur. Por, zyrtarët ligjorë të Kuvendit kanë thënë se secila çështje mund të rikthehet në Kuvend dhe nëse ka vota, ajo mund të kalojë ose të bjerë poshtë.

Rregullorja e punës nuk e ndalon rivotimin, porse paraprakisht duhet të jenë prezentë shumica e deputetëve për të bërë kuorumin.

Në Nenin 44 të Rregullores së Punë së Kuvendit, pika e dhjetë thuhet se, “interpelanca për çështje të njëjtë nuk mund të parashtrohet më shumë se dy herë gjatë një viti kalendarik”. Por, aty nuk ndalohet rivotimi i rekomandimeve.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë kur partitë në pushtet kanë votuar “gabimisht”, pasi e njëjta kishte ndodhur edhe me rastin e mocionit të Lëvizjes Vetëvendosje për reciprocitet të plotë me Serbinë.

Në atë kohë, partitë në pushtet janë detyruar të rikthejnë çështjen në Kuvend dhe të votojnë një mocion të ri për të zhvleftësuar të vjetrin.

Aktualisht partitë në pushtet kanë 67 deputetë, ndërsa opozita 53.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›