E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilia Terpini, Kineasti, rrëfen jetën tjetër në 70 vjetorin e tij

>Artisti që i reziston kohës, krijoi vlera të padiskutueshme në kinematografinë shqiptare     
Operatori Ilia Terpini është një nga emrat më të shquar të kinematografisë shqiptare, një sy i artë që krijoi vlera të padiskutueshme në artin shqiptar, dhe që me talentin e tij emocioni me mijëra shikues në mbarë vendin dhe jashtë tij. Dje për të nderuar këtë emër të kinematografisë shqiptare, i cili mbushte 70 vjeç, u mblodhën për ta uruar miq, shokë, kolegë dhe familjarë, të cilët mes një atmosfere festive kujtuan edhe njëherë ato kohë kur kineasti Terpini, xhironte anembanë Shqipërisë. Në këtë festë në përvjetorin e 70-të të lindjes, Ilia Terpini u konsiderua nga miqtë dhe kolegët e tij si: 70 vjeçari që nuk plaket kurrë.  Dhe këtë për këtë ai përgjigjet me humor: kanë të drejtë sepse unë sa herë më pyesin për moshën them jam 35 vjeç. Sa keq që sot e morën vesh të vërtetën. Por unë nuk ndalem, kam ende shumë punë për të bërë. Për Ilian, këto vite janë një jetë e tërë, e mbushur me kujtime. 70 vjet nuk janë shumë. Unë jam ende në gjendje për të punuar dhe do të vazhdoj më tej, u shpreh ai. Ai e konsideron filmin si një magji, nga i cili ai ka marrë dhe momentet më të bukura të jetës së tij. Filmi është magji dhe ai nuk të lë të shkëputesh asnjëherë. Unë nga të gjitha filmat që kam pasur njërin film e kam dashur më shumë se tjetri. Por tek filmi Në pyjet më borë ka jetë, mua më ra në dorë skenari i filmit Ballë për ballë, i cili ishte shumë interesant si temë me atdhe, me nëndetëse, me avion, me anije. Unë mendova që do të jetë fat i madh për operatorin që do të jetë caktuar për këtë film. Kur kthehem në Tiranë më thërret drejtori dhe më thotë, se ti je caktuar për filmin Ballë për ballë.Unë me kënaqësi e kam xhiruar atë film se ai i krijonte mundësi kamerës shumë të mirë, etj. Por dhe film tjetër që unë e kam pasur shumë për zemër është dhe filmi Dimri i Fundit, i cili u xhirua në minus 17 gradë në Dardhë të Korçës. Ne tërë ditën rrinim jashtë, dhe meqë ishim larg Tirane organizonim nga një mbrëmje kërcimi, që në atë kohës ishin pak të ndaluara, por kemi bërë gjëra të bukura. Margarita Xhepa thoshte se: kam kaq kohë artiste, por një gjë të tillë se kam parë. I nxirrnim njerëzit jashtë sallës i ngjeshnim në dëborë dhe bënim një rreth, dhe kërcenim në dëborë. Ishte me të vërtetë një gjë bukur, tregon nga kujtimet e tij kienasti Terpini. Ndërsa për fillimet e karrierës së tij ai tregon: Duke më rënë aparati në dorë që në moshë të vogël,gjatë luftës italo-greke, një aparat fotografik i vogël, që ia dhuroi italiani vëllait tim të madh në këmbim të një thëllëze, atij nuk i bëri shumë përshtypje. Unë isha i vogël dhe e mbaja bashkë me lodrat. Kur vajtja në shkollë të mesme në Korçë u lidha me fotografët, të cilët më mësuan se si ta përdor. Atë aparat  e përdora për pesë vjet, më pas mora aparat më të mirë dhe rashë në kontakt me operatorin e parë shqiptar Mandi Koçi, i cili kishte xhiruar filmin Tana. Ai më tërhoqi në Kinostudio dhe punova me të si asistent. Mora titullin operator dhe më pas punova me Viktor Gjikën dhe Dhimitër Anagnostin, që ishin dy regjisorë të mëdhenj. Duke vazhduar më pas me të gjithë regjisorët që ka pasur Kinostudio. Edhe pse në një moshë të thyer kineasti Ilia Terpini nuk rresht së punuari. Aktualisht, është duke përgatitur një film dokumentar mbi historinë e një vajze korçare e dashuruar me një ushtar francez, i cili është vrarë në luftë, xhirimet e të cilit pritet të mbarojnë në muajin qershor. Jeta me filmin nuk më ka lodhur asnjëherë, madje edhe tani që unë kam dalë në pension unë punova në disa televizione. Vazhdoj sërish të punoj, duke mos e ndier fare lodhjen. Po të kisha kur isha i ri këto aparatura, do të kisha bërë akoma më gjëra të bukura, tregon kineasti Terpini.  Ndërsa i biri, Zhani Terpini tregon: Për herë të parë babi im tregon moshën e vërtetë, gjithmonë kur merret në intervistë në televizione, në radio ose në shtyp ai thotë: që unë jam 30 vjeç, kurse sot është mosha e vërtetë. Duke pasur gjithmonë aparatin në shtëpi kamerën unë jam munduar që të bëj diçka për artin, por gjithmonë baza është babai im. Urojmë që të bëjë një film tjetër artistik. Nga jeta e tij me filmin, si të veçantë kujtoj udhëtimi që ka bërë babai im me 12 alpinistët më të mirë në Jezercë, duke xhiruar një film dokumentar. Ai ka vajtur në majë të malit me alpinistët duke xhiruar. Ky mund të jetë një nga kujtimet e tij më të bukura dhe më interesante. Në të gjithë filmat Ilia ka luftuar që mjeshtërinë e tij artistike, ta vejë në shërbim të spektatorit që ai të marrë maksimumin e emocioneve, nëpërmjet kompozimit të bukur të kuadrit, këndvështrimit  e kamerës, ngjyrave ,dritës etj. Ai ka dhënë gjithçka nga shpirti i tij krijues, për tiu futur sa më thellë botës shpirtërore të personazhit-aktor. Janë mbi tre dekada që Ilia Terpini sakrifikoi shpirtin dhe artin e tij. Edhe pse iku nga Albafilmi, në vitin 1993, kienasti Terpini nuk e ka lëshuar kurrë kamerën nga dora, dhe supi i tij vazhdon të jetë me kallo nga pesha e ngjarjeve dhe viteve. Ndër filmat e Artistit të Merituar përmendim: I teti në bronz, Mësonjëtorja, Dimri i fundit, Të paftuarit, Flutura në kabinën time, Kapedani, Kush vdes në këmbë, Gunat mbi tela, Ballë për ballë, Muri i gjallë, si dhe një numër i madh dokumentarësh.
 *****************************************
Kolegët për mjeshtrin Ilia Terpini:

Sajmir Kumbaro:
Ilia është një shok i mirë, një mik i të rinjve, një mjeshtër i kamerës dhe unë me të drejtë do ta quaja Autor i Fotografisë, se në të gjithë filmat e tij që ai ka xhiruar, ka nj copë shpirti nga ai. E meriton të jetë bashkautor në krijimtarinë kinematografike, ku kontributi i mjeshtrit të imazhit është i padukshëm. Ilia Terpini nuk do të plaket kurrë se ka një shpirt njëzetvjeçari.

Viktor Gjika:
 Në morinë e filmave të tij, ato shquhen për nivel të lartë artistik të zgjedhjes së atyre figurative, që ka të bëjë direkt me punën e operatorit. Filmat I teti në bronz, Kapedani, Dimri i fundit, Ballë për Ballë, Mësonjëtorja, Muri i gjallë etj, pa folur për shumë filma të tjerë dokumentarë, të cilët shquhen për punë frymëzuese dhe cilësore të operatorit Ilia Terpini

Margarita Xhepa:
Të flasësh për një artist të madh, operatorin shkëlqyer Ilia Terpini është një kënaqësi e veçantë. Fjalët për të nuk i kërkon dhe as nuk i mendon. Ai vjen nga një vend i artit siç është Korça. Me të kam mbresat më të bukura gjatë xhirimeve të filmave. Ai është modeli më i mirë si njeri dhe si artist.
Kujtim Gjonaj:
Ilia Terpini është një nga figurat  e shquara të kinematografisë sonë, që ka lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e saj. Si operator dhe si drejtor fotografie në filmat dokumentarë dhe artistike, Ilia Terpini ky artist i lindur, me një intutitë artistike ka krijuar shumë vepra që kanë hyrë në fondin e artë të filmit shqiptar. Kontributi i tij në vitet 90  e tani është po aq i larmishëm edhe i rëndësishëm, sa që na shfaqet njeriu i kompletuar e shumëplanësh.

Rajmonda Bulku:

Ila Terpini është një emër i njesuar me kinemanë shqiptare, jo vetëm për mua, por për të gjithë kienastët shqiptarë, aktorët, spektatorët. Ilia.. dhe menjëherë përfytyroj një burrë gazmor, gjithnjë në kërkim dhe lëvizje me kamerën në dorë drejt objektivit artistik. Vazhdoj ta ndesh kudo Ilian me temperamentin e një artisti që do të fiksojë në celuloid çdo gjë të bukur, të rëndësishme të veçantë. Ilia është gjithmonë pranë nesh, dhe të mos përmend Aurikën, gruan,shoqen, bashkëshorten  e pasionuar pas punës së burrit të saj, pas dashurisë së Ilias dhe pasionit të tij. Një çift i bukur, i dashuruar për mua dhe këdo.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›