E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha pranon propozimin e Ramës për pajisjen me karta identiteti të shtetasve pa pasaporta

>I menjëhershëm ka qenë reagimi i Berishës përsa i përket kërkesës së bërë nga kreu i opozitës Edi Rama për pajisjen me karta identiteti të shtetasve që nuk kanë pasaportë. Lidhur me këtë propozim të opozitës për marrjen e një vendimi nga Këshilli i Ministrave për afatin e përdorimit të pasaportave ekzistuese, Kryeministri tha se do të autorizojë Ministrinë e Brendshme që të vendosë menjëherë kontaktet për diskutimin e këtij propozimi. 
  Në këtë kontekst, Kryeministri tha se qeveria dhe mazhoranca janë të hapur ndaj çdo lloj propozimi që opozita gjykon dhe që i shërben transparencës dhe kompletimit më të mirë të procesit zgjedhor. Ne duam që çdo forcë politike të gjejë veten e vet në këtë proces. Nuk kemi asgjë përjashtuese në këtë proces, tha Kryeministri.     
Gjithashtu duke vlerësuar se çështja më kryesore e kësaj periudhe dhe të gjithë këtyre muajve janë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, Kryeministri u kërkoi deputetëve të mazhorancës që të ulen me opozitën për ngritjen e një komisioni me kredibilitetin më të lartë.  Gjithashtu Kryeministri Berisha ftoi opozitën të ushtrojë të gjithë kontrollin që dëshiron mbi përgatitjen e procesit zgjedhor duke e konsideruar kontrollin e saj si kontribut të madh në këtë drejtim. Qëllimi ynë është të zhvillojmë një proces zgjedhor dinjitoz, u shpreh Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›