E Diel, 1 Nëntor 2026

Trezege titullar, Diego në dyshim

Juventusi do të përballet me Bajernin e Mynihut me një siguri, të bëjë gjithçka për të marrë tri pikët dhe me një dyshim: Diegon. Të dielën e kaluar fantazisti ka qenë plotësisht në hije dhe Ferrara, i vetëdijshëm se braziliani ende nuk është në formën optimale pas dëmtimit muskulor, mund ta lërë "pushim". Drejtuesi i stolit bardhezi do të paraqesë të njëjtin formacion si në mesjavë me Xhenoan, ku ndryshimi i vetëm është aktivizimi i David Trezegesë që prej minutës së parë në sulm, përkrah Vinçenco Iakuintës. Gjithsesi, vendimi përfundimtar do të merret përpara ndeshjes në "Alianz Arena". Natyrisht që do ishte e tepërt që 24-vjeçari Diego të vihej në bankën e të akuzuarit për lojën jo të mirë, duke pasur parasysh që ai qëndroi dy javë jashtë fushave. Kjo është arsyeja përse në Gjermani, Juventusi mund të luajë me skemën 4-1-3-2, ashtu si në "Marasi", ku Felipe Melo ndodhet përpara mbrojtjes, ndërsa mesfusha përbëhet nga Kamoranezi, Poulsen dhe Markizio. Ata do të kenë detyrën të mbështesin dyshen ofensive, ku "Trezegol" fitoi balotazhin me Amaurin. Sulmuesi brazilian vazhdon "agjërimin" përpara portës, ndërsa francezi ka shënuar tri gola në kampionat, pavarësisht se është aktivizuar pak minuta. Asnjë ndryshim në mbrojtje, ku në mungesë të Kanavaros, dyshja e qendrës do të përbëhet nga Legrotalie dhe Kielini, ndërsa nga krahët pritet të rreshtohen Groso e Zebina, me këtë të fundit që duket më i favorizuar se Grigera. Në stolin e rezervave, Del Piero pretendon të luajë më shumë se gjashtë minuta (si ndodhi me Bolonjën), ndërsa Salihamixhiç nuk arriti të rikuperohej në kohë për sfidën përballë skuadrës ku luajti për shumë vjet. Hera e fundit që Bajerni ka humbur një ndeshje të fazës së grupeve në shtëpi është regjistruar pesë vjet më parë: përballë bavarezëve luante pikërisht Juventusi. "Zonja e Vjetër" ka një ecuri pozitive me klubin gjerman, duke dalë fituese në katër nga pesë sfidat e fundit të luajtura në Ligën e Kampioneve, ndërsa ka humbur vetëm në vitin 2005. Të dyja skuadrat paraqiten në këtë sfidë pas rezultateve zhgënjyese në kampionat: Bajerni humbi 1:0 në fushën e Hamburgut, ndërsa bardhezinjtë barazuan 1:1 me Bolonjën. Skuadra e Van Gal kryeson grupin me 3 pikë, pas fitores 3:0 me Makabi Haifan, ndërsa Juve e Bordo ndjekin me nga një pikë secila.

Xhixhi Bufon kërkon nga skuadra këmbëngulje deri në fund, për të arritur rezultat pozitiv. "Janë pikërisht këto ndeshje, për të cilat ia vlen të jesh futbollist. Do të jetë një luftë e vërtetë, ku nuk duhet shfaqur frikë apo mungesë vendosmërie në fushë. Është një sfidë e vështirë, por mund të dalim fitues. Në letër Bajerni është kundërshtari ynë kryesor, por në garën për kualifikim duhet llogaritur edhe Bordoja". Fabio Groso ka paralajmëruar skuadrën e Ferrarës: "Nuk duhet të përqendrohemi vetëm te Riberi, sepse në të kundërt do t‘i lejojmë shumë hapësira Robenit, një tjetër lojtar që e njeh mirë portën". Vinçenco Iakuinta, edhe pse është i vetëdijshëm se "nuk do të jetë aspak e lehtë", beson se Juventusi "e ka forcën e duhur për të zhvilluar një ndeshje të madhe". Sulmuesi shtoi: "Bajerni ka lojtarë të mëdhenj, luan përpara tifozëve të tij, por juve e mbani mend se çfarë ndodhi vitin e kaluar me Realin e Madridit? Do të futemi në fushë me mentalitet fituesi".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›