Iliq: Nikoliq do të ndjek rrugën e Putinit

Ai gazetarëve u ka thënë se “qytetarët e kanë ndjerë për detyrim që të bëjnë ndryshime”.
“Ata kanë dënuar ata që uzurpuan mediat, që nuk folën të vërtetën, ata që ua përkeqësuan jetët, shkatërruan çdo gjë pozitive, por popullin nuk e mashtron dot njeri, prandaj edhe fituam”, ka thënë Illiq, partia e të cilit në zgjedhje doli me një listë zgjedhore me atë të Nikolliqit.
Duke bërë të ditur se bisedimet për formimin e qeverisë ende nuk ka pasur, aleati i presidentit të ardhshëm serb ka thënë se “të mëdhenjtë” do ta kenë rastin të formojnë qeverinë, e nëse kjo nuk ka sukses, shansin e tyre do ta provojnë edhe të tjerët.
Hyseni: Nikolici apo Tadici, për Kosovën njësoj
Fitorja e Tomislav Nikolic, nga Partia Përparimtare Serbe në garën për president të Serbisë, nga komentet e para në Prishtinë, vlerësohet se nuk do të ndryshojë shumë politikën e këtij vendi në raport me Kosovën.
Ndërsa nga qeveria aktuale e Kosovës nuk ka ende komente, pos të Hajredin Kuqit, ish-ministri i jashtëm Skender Hyseni, thotë se nuk duhet të jetë prioritet dhe as shqetësim i Kosovës se kush është president i Serbisë.
Në raport me Kosovën, edhe presidenti i deritashëm Boris Tadic ka udhëhequr politika të mentalitetit ballkanik, pavarësisht se në opinionin ndërkombëtar mendohej se ai po luante një politikë demokratike, thotë Hyseni.
“Nuk e besoj që karshi Kosovës do të ketë ndonjë ndryshim substancial në qasje, sepse bindja ime gjithherë ka qenë që presidenti Tadic ka qenë evropian në Bruksel, por në Beograd dhe në Ballkan ka qenë ka qenë shumë ballkanas. Sidomos karshi Kosovës ka qenë po aq ballkanas sa edhe pararendësi i tij, me një dallim të vogël që ky nuk i ka përdorë armët, ndërkaq ai që ka shkuar i ka përdorur edhe armët kundër Kosovës”.
“Unë nuk dua të paragjykoj që Kosova do ta ketë shumë më vështirë me këtë apo atë president sepse se çfarë do të jenë raportet e Kosovës me Serbinë, varët në rend të parë nga vet Kosova”, tha Hyseni.
Kosova fatkeqësisht nuk po sillet si shtet, dhe kjo e bën më të lehtë që të manipulohet nga politikat e Serbisë, thotë Hyseni.
Ndonëse nuk mund të jetë indiferente, Kosova nuk duhet ta ketë prioritet udhëheqësin në Beograd, vijon Hyseni.
Ai, po ashtu thotë se në Evropë ka hezitime të shumta në lidhje me Nikoliqin.
“Ka një paragjykim të skajshëm në Evropë përgjithësisht ndaj presidentit të zgjedhur Nikoliq. Unë megjithatë, një mendje më thotë, se me këtë president edhe Evropa edhe Ballkani do t’i kenë gjërat pak më të qarta. Do ta dinë pak më qartë se ku qëndrojnë”, vlerësoi Hyseni.
Gjatë ditës mbase mund të pritet që të ketë reagime edhe nga qeveria dhe institucionet tjera të Kosovës.
Duke e shpallur fitoren në selinë e partisë së tij, Nikoliq tha se Serbia nuk do të largohet nga rruga evropiane, si dhe do ta mbrojë popullin në Kosovë. (REL)
Kuçi: Fati i Kosovës nuk varet nga zgjedhjet serbe
Kosova nuk ka pasur telashe asnjëherë me liderët e Serbisë, por ajo është ballafaquar me sovranitetin e saj karshi Kosovës, ka deklaruar zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi.
Ai ka thënë se presidenti i ri i Serbisë, Tomisllav Nikoliç, është zgjedhje e qytetarëve serb. Ndërkaq sipas tij, fati dhe pavarësia e Kosovës nuk varen nga zgjedhjet politike në Serbi.(Indeksonline)
Dacic: Tani gjërat më të ndërlikuara
Duke e komentuar fitoren e Tomisllv Nikoliqit në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Serbi, lideri i socialistëve të Serbisë, Ivica Dacic, ka thënë se tash e tutje gjërat do të jenë më të ndërlikuara.
I pyetur nëse marrëveshja e deritashme për koalicion me Partinë Demokratike të Boris Tadiqit vlen ende, Dacic ka thënë se situate e re imponon një pozicion të ri në skenën politike.
“Kjo do të thotë se mandatarin e përcakton presidenti dhe pyetja tani është se kujt do t’ia japë ai këtë mandat. Gjithsesi, gjërat do të jenë më të ndërlikuara”, ka thënë Dacic, për të përditshmen beogradase “Blic”.
Pas zgjedhjeve parlamentare dhe rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale më 6 maj, partia e Ivica Dacicit ka arritur marrëveshje me atë të Tadiqi për të nisur bisedimet mbi formimin e qeverisë së re pas rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale. (REL)
Tadiq i uron fitoren Nikoliqit
Kryetari i Partisë Demokratike Boris Tadiq ka pranuar humbjen dhe e ka uruar presidentin e sapozgjedhur të Serbisë, Tomislav Nikoliq.
"E uroj zotin Nikoliq për fitoren korrekte dhe të merituar dhe i uroj fat në detyrën e re", ka thënë Tadiq në një konferencë për gazetarë në selinë e partisë se tij.
Ai ka theksuar se me "siguri nuk do të bëhet kryeministër".
“Përparon” Serbia
Kandidati i Partisë Përparimtare, Tomislav Nikolic, është President i ri i Republikës së Serbisë. Të dielën, ai ngadhënjeu përballë Boris Tadicit, njeriut që qëndroi tetë vjet në Presidencën e shtetit fqinj. Megjithëse Nikolic konsiderohet radikal, e Tadic demokrat, në raport me Kosovën ata janë të njëjtë.
As gjysma e elektoratit serbë nuk kishte dalë në votime kur Kryesuesi i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso ia uroj kreut të Partisë progresive serbe, Tomislav Nikolic fitoren e postit presidencial.
E, çuditërisht në fund të ditës së diel, rezultoi që serbët ndajnë të njëjtin mendim me Barroson. Ata ia besuan shtetin e tyre Nikolicit me 49.9 për qind të votave, me të cilat u mposht Boris Tadic. Por, as ky i fundit nuk hezitoi t’ia uroj fitoren kundërshtarit të tij.
“Kjo ishte një fitore fer dhe e merituar. I dëshiroj fat”, ka thënë Tadic pas publikimit të rezultateve preliminare,duke pranuar kështu disfatën e tij në garën për të rimarrë pushtetin për edhe një mandat të ri.
Serbët nuk e ndanë të dielën të njëjtën preferencë me bashkësinë europiane, duke mos e votuar Boris Tadicin për Presidentin e tyre. Po pavarësisht se ia dhanë votën, nuk besojnë se ardhja e Nikolciit në vend të Tadic do të sjellë ndryshime.
Njëri ndër këta skeptikët është edhe Zoran Stamenkovic nga Gracanica, i cili i tha Express’it se qeveria serbe dhe pushteti i deritanishëm në Beograd e ka lënë të pashpresë.
”As ne në Kosovë e as ata në Serbi nuk janë të kënaqur me pushtetin, sepse nuk po bëjnë asgjë për neve, shiko fabrikat nuk po punojnë më dhe ne jemi të papunë e madje edhe të pashpresë”, ka thënë Stamenkovic. Por, prapëseprapë votoi të dielën për të kryer, siç tha, obligimin qytetar.
“Thjeshtë e kreva obligimin tim”, ka thënë Stamenkovic.
Sikurse ky i fundit, dolën edhe bashkëkombës të tij, që sipas të dhënave të misionit të OSBE’së si lehtësues i zgjedhjeve serbe në Kosovë, kanë qenë 11 për qind të votuesve.
I njëjti mision kishte hapur 90 vendvotime në tërë Kosovën qysh në orët e hershme të mëngjesit. Ndërkohë që nuk munguan as vizitat e zyrtarëve ndërkombëtare në ato pika.
Madje, dikujt i ra ndërmend që të përcjellë edhe një mesazh tek autoritetet vendore dhe ndërkombëtare.
Ambasadori francez, Jan Fransua Fitou kërkoi që të gjendet një vizion për veriun. E për këtë tha se duhet më shumë punë e më pak fjalë nga të dyja palët, si ajo kosovare edhe nga ajo serbe.
“Mendoj se sa më shumë që flasin, aq më shumë do të rrezikojnë veç të vazhdojnë të flasim. Ajo që tha BE-ja para gjashtë muajve dhe që është shumë e rëndësishme, është se duhet të ketë një vizion për veriun dhe jo shumë biseda dhe jo fjalë, sepse të gjithë po flasin si vendoret ashtu dhe ndërkombëtarët. Unë mendoj se sa më shumë po flasim, thjeshtë po bëjmë më shumë presion në njerëz”, ka thënë Fitou gjatë vizitës së përbashkët në Gracanicë me shefin e misionit të OSBE’së, Verner Almhofer. Ky i fundit e ka cilësuar mbarëvajtjen e raundit të dytë zgjedhor për Presidentin serbë në Kosovë, si të suksesshëm dhe pa incidente. “Kam kënaqësinë të raportoj për hapjen me kohë të të gjitha vendvotimeve këtë mëngjes”, ka thënë Almhofer.
Ndryshe, raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale serbe ishte mbajtur më 6 maj të këtij viti duke nxjerrë në balotazh Boris Tadic dhe Tomislav Nikolic. Ky i fundit doli fitues me shumicën e votave elektorale.
Nikolic njihet si nacionalist radikal, dhe më pak i favorizuar nga bashkësia ndërkombëtare, por nuk ndryshon shumë karshi Kosovës.
Për më tepër në debatet publike të cilat i kishte zhvilluar me Tadic gjatë fushatës kishte thënë se nuk do ta lëshojë asnjëherë Kosovën.