E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Beqaj: Bojkoti, PS nuk është në kllapi

TIRANE-Deputeti socialist, Ilir Beqaj ka hedhur poshtë dje deklaratat e deputetit Erion Braçe se “PS-ja ka rënë në kllapi”. Beqaj deklaroi në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se “po kalojmë një situatë, ku duhet të ndjekim në dinamikë shumë të lartë një marrëdhënie të veçantë me procesin e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës”. Ai shprehet se, nëse vendimi i Kolegjit ditën e hënë, në 13 qershor do jetë negativ, kjo do të thotë se ka rënë sistemi demokratik dhe si pasojë, tha ai, “populli duhet të thërritet që të vendosë nëse do të pranojë të jetojë në diktaturë, apo rivendosja e demokracisë do të jetë çështja e vetme e shqiptarëve”.
Zoti Beqaj, kolegu juaj, Erion Braçe ka ngritur disa shqetësime në lidhje me sjelljen politike të PS-së kundrejt parlamentit. Ai shprehet se “deputetët socialistë të komisioneve të Kuvendit, Ekonomisë, Financave e Privatizimit, Veprimtarisë Prodhuese, Ligjeve, nuk e panë të udhës të mblidheshin e të diskutonin për projektligjin për ndërtimin e disa HEC-ve, por edhe për vlerësimin e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë. Çfarë mendimi keni?
Fillimisht, kërkoj mirëkuptimin tuaj, por edhe u kërkoj ndjesë lexuesve tuaj që mund të presin tjetër gjë, që në këtë intervistë nuk do të hyj në komentim të thënieve të kolegut tim Braçe. Kjo për dy arsye të thjeshta. Së pari, nuk është pjesë e etikës sime njerëzore që të komentoj rreth apo për një mik në publik. Së dyti, nuk është as pjesë e sjelljes sime politike që të komentoj në publik një koleg për çështje pune, për aq kohë sa këto komente nuk janë bërë në mjedisin e natyrshëm ku mund e duhet të bëhen. Lidhur me mbledhjen e deputetëve të PS-së të komisioneve të ndryshme për disa ligje apo çështje të caktuara, më rezulton se nuk ka pasur asnjë pengesë objektive që të mos mblidhen. Unë vetë, në cilësinë e deputetit, por edhe në cilësinë e kryetarit të komisionit përkatës të Aktiviteteve Prodhuese të Asamblesë Kombëtare, jam marrë me projektligjin për privatizimin e disa HEC-ve që ditën që u bë lajmi publik, por edhe kur u bë disponibël teksti i projektit. Kur them jam marrë, do të thotë kam diskutuar edhe me kolegë të Komisionit, por sidomos jam këshilluar edhe me bashkëpunëtorë të përhershëm të çështjeve të energjisë të komisionit. Sot, (dje) në Kuvend është miratuar edhe një ligj i ri për mjedisin, edhe ky shumë i rëndësishëm. Për të, ne kemi përgatitur vërejtjet dhe komentet e plota. Çështja e mjedisit është jetike për shqiptarët e sotëm dhe të ardhshëm, por unë vetë mendoj se këtë javë ne duhet të vazhdojmë të fokusohemi tek çështja e rezultatit të Tiranës. Besoj se Kuvendi nuk është tribuna e vetme, ku mund të shpalosen idetë dhe pikëpamjet. Aq më shumë Kuvendi i Saliut dhe Jozefinës, ku nuk zbatohet asnjë normë elementare procedurale dhe as nuk dëgjohet alternativa e kundërshtarit politik.
A duhet që PS-ja të jetë pjesë e Kuvendit dhe të mos bojkotojë institucionet për hir të interesit kombëtar?
Kemi një vendim të grupit parlamentar, që deri në përfundimin e procesit zgjedhor në Tiranë të mos bëjmë jetë aktive parlamentare. Ka qenë një vendim i marrë me konsensus të plotë të kolegëve pjesëmarrës në atë mbledhje. Jo vetëm deklarimi ynë, por edhe sjellja jonë ka dëshmuar se për hir të interesave të kombit jemi prezentë të Kuvend. Madje, për hir të interesave kombëtare ne kemi shkuar deri në Gjykatën Kushtetuese (kujtoj marrëveshjen detare me Greqinë).
Zoti Beqaj, PS-ja nuk ka mbledhur asnjë nga forumet e saj që nga kryesia, Asambleja Kombëtare e për më tepër këtë javë, as grupi parlamentar për të diskutuar në lidhje me veprimtarinë politike. Si e shihni ju këtë situatë, si një prej deputetëve të grupit parlamentar? A ka rënë PS-ja në kllapi, siç shprehet edhe z. Braçe?
Për mendimin tim, PS-ja nuk është në kllapi. Por, po kalojmë një situatë kur duhet të ndjekim në dinamikë shumë të lartë një marrëdhënie të veçantë me procesin e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës. Dinamikë, e cila kërkon vëmendje dhe intensitet të lartë reagimi. Nëse për çështjen e rezultatit të Tiranës, flasin dhe riflasin Ashton, Fyle, Kantrimen, Kukan, më duket më shumë se normale se e gjithë PS-ja duhet të flasë për këtë gjë. Përveçse çështje juridike, ku janë të angazhuar më shumë kolegët tanë të komisionit të Ligjeve, kjo është edhe çështje politike dhe publike. Për këtë duhet të angazhohemi me gjithë burimet tona të gjithë.
Çështja e rezultatit zgjedhor në Tiranë nuk është çështje e karriges së një kryetari bashkie, as çështje personale e kryetarit të PS-së. Edhe nëse ka zëra që thonë se, në fund të fundit, pak rëndësi ka rezultati, besoj se të gjithë bien dakord se është thelbësisht e rëndësishme, madje ekzistenciale mënyra se si del çdo rezultat. Kemi parë që jo vetëm tentohet të vendosen rregulla të reja në fund të procesit, por ç’është më e dëmshmja, edhe rregullat e reja vendosen përmes një procedure të parregullt dhe të pambështetur në Kodin Zgjedhor. Dhe si për të vënë kapakun, shkohet deri në absurd sa të sajohet një sistem i ri logjiko-formal që hedh poshtë dy mijë vjet zhvillime shkencore të matematikës, duke filluar nga “një edhe një nuk bëjnë më detyrimisht dy”, e përfunduar tek hedhja poshtë e asaj çfarë mësohet në shkollë “për teoremën qendrore limite”. Është çështje e së drejtës themelore të votës, për sot por edhe për ata që nuk kanë lindur ende në këtë tokë. Nëse ne si PS lejojmë që të vritet shteti i së drejtës në Shqipëri, siç janë përpjekjet e Sali Berishës, apo të paktën nuk bëjmë përpjekje për ta penguar këtë gjë, në Shqipëri do të jetë praktikisht e pamundur të mbrohet prona publike apo private, shëndeti, arsimi, mjedisi, integrimi etj. Kështu dalim edhe nga thelbi i të qenurit parti politike.
Çfarë mendoni se duhet të bëjë PS-ja në rast se Kolegji del me një vendim negativ edhe ditën e hënë, pra në 13 qershor? A janë një zgjidhje revoltat popullore?
Nëse Kolegji jep një vendim negativ ditën e hënë, praktikisht në
Shqipëri rrëzohet sistemi demokratik, i cili ka në themel ndryshimin e qeverisjes me anë të votës së lirë. Në një mjedis ku nuk ka sistem, çdo veprim bëhet i ligjshëm dhe çdo mjet i përligjur. Populli duhet të thërritet që të vendosë nëse do të pranojë të jetojë në diktaturë, apo rivendosja e demokracisë do të jetë çështja e vetme e shqiptarëve.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›