E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani-Sekui Policia diti si ti menaxhoje zgjedhjet

Ministri i Brendshëm dhe ambasadori i BE në Shqipëri, siguruan për mbështetjen dhe bashkëpunim në projektin e ri të misionit PAMECA III, e cili është shtuar edhe me një vit tjetër.

Nishani vlerësoi ndihmën e misioneve policore europiane në përmirësimin e performancës së strukturave dhe punonjësve të Policisë së Shtetit duke krijuar në këtë mënyrë një mjedis të sigurt për qytetarët shqiptarë në përputhje me standardet e vendeve të BE.

Deklarata u krye në takimin e Bordit të Palëve të Interesuara të PAMECA III, ku ministri Nishani evidentoi faktin se falë këtij projekti dhe të gjithë misioneve të tjera të asistencës policore, Policia e Shtetit ia doli mbanë të përmbushë disa detyra e të përballojë disa sfida të rëndësishme.

Sipas tij, për realizimin e ëndrrës së lëvizjes së lirë, Policia e Shtetit ka luajtur një rol të madh për të fituar besimin e vendeve partnere, si në aspektin e luftës kundër kriminalitetit, si në aspektin e kontrollit dhe menaxhimit të kufijve, ashtu dhe atë të ofrimit të dokumentave të besueshëm dhe të sigurt të udhëtimit për qytetarët shqiptarë.

Duke shprehur falenderimin për kontributin e projektit PAMECA për rritjen e shkallës së profesionalizmit të Policisë së Shtetit, ministri Nishani u ndal në veçanti edhe tek vlerësimi i rolit të policisë në zgjedhje në raportin paraprak të OSBE-ODIHR.

“Jemi krenarë që në raportin paraprak të misionit të ODIHR-it kishte vlerësime maksimale pozitive për veprimtarinë, sjelljen dhe aktivitetin e Policisë së Shtetit gjatë gjithë procesit elektoral në Shqipëri.

Kjo është një sfidë tjetër e madhe të cilën Policia e Shtetit jo vetëm diti ta menaxhojë, por të ofrojë një model dhe një standard të ri për tërë shoqërinë shqiptare, për të gjithë aktorët dhe faktorët në Shqipëri”, tha ai.

Më tej, ministri garantoi se i gjithë kontributi i dhënë nga BE dhe taksapaguesit e vendeve europiane përmes financimit të projekteve të tilla, përmes financimit të asistencës së tyre, përmes financimit e ofrimit të eksperiencës së institucioneve tuaja për institucionet shqiptare, për anëtarët e Policisë së Shtetit në Shqipëri, ka rezultuar një sukses i vërtetë.

Nga ana e tij, kreu i Delegacionit të BE në Tiranë, Etore Sequi, vlerësoi në fjalën e tij arritjet e policisë shqiptare dhe përballimin e sfidave të sigurisë duke përmbushur hap pas hapi standardet e Bashkimit Europian.

Duke nënvizuar se deri më tani BE e ka financuar projektin me rreth 7 milionë euro, ambasadori Sequi u shpreh se me zgjatjen edhe me një vit të projektit PAMECA III, synohet të konsolidohet veprimtaria e Policisë së Shtetit në disa fusha si parandalimi dhe zbulimi i krimit në të gjitha nivelet, rritja e kapaciteve të hetimit të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, përafrimin i mëtejshëm i procedurave të Policisë Kufitare dhe Migracionit me ato të BE dhe praktikat e mira ndërkombëtare dhe së fundi rritjen e bashkëpunimit mes strukturave policore dhe atyre të prokurorisë për një përdorimin racional dhe menaxhimin e informacionit.

Bordi i Palëve të Interesuara të Projektit PAMECA III pasi analizoi të gjithë veprimtarinë e zhvilluar deri më tani, miratoi në këtë mbledhje planin e punës edhe për një vit tjetër shtesë të këtij projekti, tej afatit të parashikuar 2008-2011.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›