E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Kerni: Do jap një festë të vërtetë

“Maestro Ciko më ka propozuar që këtë sezon të sjell një shfaqje baleti dhe në këto kushte unë i propozova ‘Copelia’-n”. Kjo është arsyeja që ka sjell edhe këtë vit koreografin Ilir Kerni në Shqipëri, i cili do të ngjisë në skenën e Teatrin e Operës dhe Baletit premierën me përmbajtje sentimentale dhe komike, “Copelia”.

Ilir Kerni, një prej koreografëve shqiptarë me aktivitetin e tij artistik në Zagreb, i cili do të udhëheqë një grup balerinësh që sundojnë sot për sot skenën e baletit shqiptar, si Enada Hoxha, Eno Birko, Gerdi Vaso, Manjola Hasani, Ezdalin. Gorani etj., ka hedhur idenë e parë të kësaj shfaqjeje. Një dashuri e kundërshtuar mes ëndrrës dhe realitetit, mes shpirtrash dhe fantazish, por që të lejojnë të arrihet deri në kohët e sotme, reflektohet në shfaqjen “Copelia”, e ashtuquajtura “Vajza me sy prej smeraldi”, si një histori e shkëputur nga vepra “Der Sandmann”, i E. T. A. Hoffmann. “Unë zgjodha të vija në skenë pikërisht këtë vepër, duke qenë se është një prej pjesëve më të rëndësishme të repertorit klasik botëror. Ishte mendimi im që shfaqja të rezervohej gjatë kësaj periudhe, për shkak se korrespondon mjaft mirë edhe me festat e fundvitit, pasi është një balet me ritëm, atmosferë të këndshme, muzikë të bukur dhe një gjuhë të larmishme koreografike”, - thotë Ilir Kerni. Niveli i lartë i komponentëve artistikë në këtë vepër kanë qenë motivet që kanë nxitur koreografin të vinte gishtin pikërisht mbi këtë premierë.

“’Copelia’ sjellë një nivel të lartë artistik të ekzekutimit dhe të orkestrës dhe që të dyja këto do të bëjnë që shfaqja të jetë një pikë referimi edhe për balete të tjera pasardhëse. Po ashtu një tjetër arsye që më ka shtyrë të paraqesim këtë vepër është se kjo siç dihet vjen si premierë në skenë tonë të Teatrit të Operës dhe Baletit, si dhe është një nga veprat që kërkohet dhe vihet më shpesh në vendet e tjera. Është një vepër e gëzueshme, e këndshme dhe kam përshtypjen se gjatë netëve që do të jepet shfaqja do të jetë një festë e vërtetë”, - thotë koreografi.

Vepra është një bashkëprodhim i libretëve Arthur Saint-Leon dhe dramaturgun Charles Nuitter, i cili do të ngjitet për herë të parë në TKOB nën dirigjimin e Ermir Krantjes, skenografi të Zorz Drausnik, dhe kostumografi të Ljubica Wagner.

Shfaqja operistike ka marrë një rëndësi të lartë për shkak se bashkautorët Delibes dhe Saint Leon, pasi zbuluan një botë të përshtatshme për baletin dhe lëvizjet marionetistike, duke i dhënë një dinjitet të ri vallëzimit. Ndërkohë që Çardash është një valle hungareze dhe mazurka një valle polake popullore në përkatësi të viteve 800, të cilat u përfshinë për herë të parë në këtë balet e që nga ajo kohë pjesë të valleve popullore u bënë karakteristike për baletin klasik.

“Copelia” prezanton shkëputjen nga bota e trishtuar dhe e errët, tipike e baleteve romantike (Giselle, La Sylphide), sepse përmban humor, energji si dhe vallëzime me karakter të gëzuar. Referimet ndaj shpirtrave të përjetshëm dhe të mbinatyrshëm, shumë të dashur për romantikët, në këtë balet zhduken dhe i lënë hapësirë aventurave të një kukulle mekanike. E për këtë e rëndësishme është nëse nuk i kushtojmë aq shumë vëmendje historisë së kukullës mekanike, por prototipit të perfeksionit formal që pati fatin e tij në historinë e 100 viteve të fundit të baletit dhe që u shërbeu pasardhësve për të përmirësuar kualitetin dhe për të çuar më përpara progresin e pashuar të raporteve muzikë-vallëzim.

Franz është joshur të zgjedhë mes gruas perfekte, kukullës Copelia dhe gruas natyrale Svanilda, ndërkohë që çdo personazh ka një ose më shumë tema që e karakterizojnë. Copelia është kukulla që bën të biesh në dashuri, në gabim, por vetëm Svanilda personifikon personazhin kryesorë femëror.

Baleti rezultoi i suksesshëm, por nga lufta franko-prusiane dhe rrethimi i Parisit në vitin 1871 gjatë të cilit protagonistja kryesore vdiq nga lija në ditën e shtatëmbëdhjetë vjetorit të saj. “Copelia” është balet në dy akte dhe tre tablo i vënë në skenë për herë të parë në Operën e Parisit më 25 maj 1870. Mes interpretimin e solistëve më të njohur shqiptar në shfaqje do të luajnë edhe balerinët A. Gjoni, E. Gina, O. Dishnica, E. Tusha, L. Agalliaj, E. Nallbani, J. Onuzi, E. Seraj, F. Hushi, S. Guri etj. Në bashkëpunim me orkestrën simfonike të TKOB-së baleti do të shfaqet pikërisht në datat 22, 24, 25, 26 dhjetor, ndërkohë që vetë koreografi në bën me dije se edhe tashmë gjithçka është gati dhe puna përgatitore pothuajse ka përfunduar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›