E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përralla në lesh dhe Hallouini midis nesh

As vetë heroi ynë kombëtar i ringjallur së vdekurish nuk do të na shpëtonte dot prej debatit mitizues dhe çmitizues - shfaqur në qiejt e mediave shqiptare me rregullsinë ritmike të një komete, sepse debati në fjalë tejkalon nivelin kombëtar dhe kokën e ka tek debati kontinental i filluar dy shekuj më parë në qendër të Evropës rreth “Jezusit mitik” dhe “Jezusi historik”. Në një artikull me titull “Shpërfytyrimi i arketipit të shpëtimtarit” (gazeta “standard”, 3 dhjetor 2006) jam munduar të shpjegoj se në kulturën shqiptare figura “Skënderbe” identifikohet me figurën arketip “Krisht” sepse të dyja figurat në fjalë kanë të njëjtin fat historik: fitimtarë megjithëse humbës, humbës të vdekur që priten me përgjërim të ringjallen e të ngadhënjejnë më në fund. Ky shkëmbim alkimik bën vaki sheshit në veprën artistike të Nolit - një humbës i madh - i cili vetidentifikohet me të dyja figurat në fjalë. Kundërshtari i tij, Zogu - siç erdhën punët një tjetër humbës-fitimtar - nuk u identifikua me Krishtin (meqë mysliman sunit dhe laik i bindur), por e shtoi dozën me tjetrin duke u vetëshpallur hapur Skënderbeu III (Konica i thuri lavde si Skënderbeu i Ri), pasi mbolli dhe rriti një dru gjenealogjik me rrënjë që arrinin deri tek Skënderbeu I.

Pra, humbësin e kemi një lloj fataliteti kombëtar. Në të gjithë veprën e tij, Kadareja dëshmon për “humbësin e madh” si më të madhin fitimtar. Më shumë dhe më saktë se Kadareja, humbës-fitimtarin e dëshmon Naim Frashëri, këndues i shkëlqyer i bëmave të heroit tonë kombëtar dhe themelues i shqiptarizmës (në bashkëpunim me vëllezërit e tij). Bektashizmi në përgjithësi (e sidomos ai i Naimit në veçanti), si sekt sinkretik me ambicie për sintezë islam-krishtërim, e konsideron Jezusin figurë qendrore providenciale (Naimi e quante Zoti Jezu), dhe njëkohësisht – meqë sekt i ndikuar rëndë prej besimit shiit - adhuron në mënyrë të veçantë imamin Hysen, figura e të drejtit, të pafajshmit, e në një farë mënyre edhe e Zotit. Shiitizmi është feja e të përndjekurve sepse të gjithë imamët janë vrarë padrejtësisht, ata që patën të drejtë për trashëgiminë e fronit të profetit humbën (Qerbelaja). Sipas botëkuptimit shiit, gjithçka duket përmbys në këtë botë gënjeshtare, humbja duket e tillë vetëm nga jashtë, ndërsa në botën e vërtetë (hë për hë të fshehtë) i vuajturi dhe humbësi është fitimtari i vërtetë. Për më tepër bektashitë, njësoj si shumica e shiitëve, besojnë se imami i dymbëdhjetë nuk ka vdekur, por vazhdon të jetojë i fshehur, dhe do të kthehet një ditë për të vendosur drejtësinë mbi tokë; me fjalë të tjera pritet njësoj si të krishterët Ardhja e Dytë, ringjallja, shpëtimi përfundimtar etj. Varianti frashërlli i qenies peng në oborr të sulltanit, implikon qenien bektashi të Skënderbeut. Dihet që trupa e jeniçerëve, formuar dhe furnizuar me djelmosha ish-të krishterë, ishte e besimit bektashi. Në qoftë është i vërtetë ky variant, ringjallja e Skënderbeut ka ndodhur “qysh në kohë të Skënderbeut”, si ringjallje kombëtare prej vdekjes perandorake në oborrin të sulltanit.

Si përfundim, shqiptarët projektojnë në figurën e Skënderbeut besimin e tyre eskatologjik, i cili ndeshet në forma të ndryshme në çdo kulturë, popull dhe vend si fund i historisë (në kuptimin pozitiv) shkaktuar prej dukjes së një personi të veçantë, të pritur me përgjërim në shekuj. Dukuria në fjalë, përveç se në traditën hebraike, krishtere dhe myslimane (shiite) ndeshet në budizëm si ardhja e Maitreya Budës, në konfucianizëm si ardhja e Konfucit të ri ose Njeriut të Vërtetë etj. Deri edhe mitologjia pagane përmban shenja mesianizmi, herë drejtpërdrejt dhe herë tërthorazi, fjala vjen biografia e Herkulit ngjan tëpkë me të Jezusit: njësoj me prejardhje hyjnore, i lindur nga një virgjëreshë, bën mrekulli që kalama, shpëto njërin e shpëto tjetrin etj. Priftërinjtë e parë katolikë që zbarkuan në Amerikën Qendrore nuk dinin si ta shpjegonin faktin që vendasit adhuronin një hero autokton mjaft të ngjashëm me Jezusin (deri edhe i masakruar në kryq, i cili është simbol i ndeshur rëndom në të gjitha kulturat dhe gjeografitë pa përjashtim) dhe i ranë shkurt: indigjenëve u ka fryrë shejtani në vesh! Meqë ra fjala, ia vlen të përmendet që në antropologji mitizuesit shpjegojnë universalitetin e miteve si pasojë e analogjisë strukturale të mendjes njerëzore, ndërsa çmitizuesit e shpjegojnë si pasojë e komunikimit fizik midis popujve primitivë.

Gjithçka sa më sipër janë teori interesante mitike, sepse nahija jonë ka një praktikë të rëndomtë historike që e vendos shpëtimtarin e kombit mbi shpëtimtarin e botës, dukuri e bërë vaki që kur konceptimi i Shqipërisë kërkoi detyrimisht sakrificën fetare (parulla e Vaso Pashës). Me fjalë të tjera, kur projekti fetar i shpëtimit prej pushtimit të së keqes - që sa vjen e rritet si mish i huaj në një krijim i mirë në origjinë (vetëm më pas i tradhtuar prej djajve) - zëvendësohet me projektin laik të shpëtimit prej pushtuesit të huaj dhe tradhtarëve të kombit, aureola e shenjtërisë fetare i kalon kombit, fetaria sakrifikohet për politikën kombëtare, aureola e shenjtorit i kalon martirit, vertikalja sakrifikohet për horizontalen, fetaria për laiken etj. Pavarësisht se për veshët tanë të mësuar me daullet e propagandës sot tingëllon e çuditshme, nga pikëpamja e një fetari të atëhershëm, Vaso Pasha me shokë ishin çmitizues dhe dekonstruktues të mirëfilltë. Në fakt, pavarsistët dekonstruktuan mitin fetar dhe me tullat e llaçin rrënojës konstruktuan mitin kombëtar. Punën e tyre vazhduan komunistët, vetëm se në kantierët e dekonstruktimit dhe konstruktimit socialist nuk punohej me kalë, gomar dhe mushkë, por me buldozerë dhe ekskavatorë, me të cilët, mbasi “u shkulën me rrënjë e degë mbeturinat fetare dhe borgjeze”, më pas konstruktuan një bunker kombëtarist të banuar nga qenie që urrenin më tepër veten dhe bashkëpatriotët e tyre, sesa serbët, grekët, italianët, rusët, amerikanët etj. Komunizmi është niveli zero i këtij procesi degradimi ose rritjeje entropie në nivelin horizontal; ateisti Enver Hoxha nuk u identifikua haptas me Skënderbeun dhe Krishtin, sepse e mbante veten më të madh se ata dhe në fakt, u adhurua prej nënshtetasve si hero, profet, mesi, “fener ndriçues” në Evropë dhe botë etj. Kulti i Sekretarit të Parë është rezultat i një proces çmitizimi, me përfundim mitizimin spetakolar të arkitektit të bunkerit shkëmb graniti, dëshmi e pastër që mitizimi dhe çmitizimi janë dy faqe të një mësalle.

Kampioni i parë mitizues mbahet hegeliani David Strauss, i cili shkroi në vitin 1835 librin “Jeta e Jezusit” (në shembullin e mjeshtrit - Hegelit - që shkroi një biografi të Jezusit me të njëjtin titull), ku mohohet karakteri historik i ungjijve dhe jeta e Jezusit trajtohet si një mit i pajisur me vërtetësi vetëm simbolike. Vepra i kushtoi autorit humbjen e besimit, plus edhe të pozitës sociale sepse shkaktoi skandal në rrethet akademike (megjithëse sot mbahet si përurues i studimeve akademike gjermane të ungjijve). Kundërpërgjigja franceze, dhënë librit të hegelianit gjerman Strauss është libri bestseller homonim (1863) i komtianit Ernest Renan, i cili ndikoi rëndë në kulturën e kohës duke shkaktuar një uragan polemikash në mjediset akademike dhe në publikun e gjerë, por ndryshe nga sivëllai gjerman, u ngrit në detyrë (stil tipik francez). Në këtë vepër mbrohet deri në fund ekzistenca e Jezusit, vetëm se ai çmitizohet dhe humanizohet duke mohuar krejtësisht hyjninë ose mbinatyrshmërinë e tij dhe konsideruar vetëm si një njeri i veçantë, një model për t’u imituar, por që nuk mund të arrihet kurrë. Renan aplikoi në disiplinat historike-filologjike principet pozitiviste komtiane që rrekin të shpjegojnë proceset duke i reduktuar në dukuri thjeshtë empirike, pra të verifikueshme shkencërisht. Lidhur me muhabetin tonë rreth heroit kombëtar, i’a vlen të përmendet fakti që çmitizuesi Renan jo rastësisht është autori i shprehjes së famshme: “Kombi, meqë ka një fillim, pa tjetër do të ketë një fund”, e cituar shpesh prej “modernistëve” (çmitizuesit) që e konsiderojnë kombin një konstruksion artificial të shpikur në një kohë të caktuar historike, në konflikt për jetë a vdekje me “primordialistët” ose zanafillistët (mitizuesit, alias pellazgjistët) që e konsiderojnë kombin një entitet në vetvete dhe mbihistorik, një esencë ose ide platonike përtej kohë-hapësirës.

Fetarë dhe laikë ndahen natyrshëm rreth figurës më qendrore të kulturës perëndimore, përkatësisht ithtarë të shkollës mitike në mbrojtje të “Jezusit të besimit” (besimi që themelet e krishtërimit mbështeten në dukurinë e përvojës së ringjalljes së Krishtit prej botës tjetër) dhe ithtarë të shkollës kritike në mbrojtje të tezës “Jezusi historik” (argumentimi që themelet në fjalë ndodhen në veprimtarinë tokësore të Jezusit). (“Muhamedi i besimit” dhe “Muhamedi historik” hë për hë është zonë e ndaluar me tela me gjemba dhe dinamit). Pra debati në fjalë reduktohet në thelb nëse ekziston ose jo bota tjetër, që në planin konkret implikon debatin nëse parimet morale-fetare janë objektive, absolute dhe me ekzistencë të pavarur nga njeriu (jashtë kohë-hapësirës historike) apo janë subjektivë, relativë dhe sajesa artificiale të krijuara prej tij në kohë-hapësirën historike? Rreth kësaj dileme koagulohet i gjithë botëkuptimi përkatësisht fetar dhe laik, që në politikën tradicionale korrespondojnë përkatësisht me “të djathtën” dhe “të majtën”, dhe për pasojë e tërë kultura, ndahet rëndom në çdo fushë të saj në dy palë ndërluftuese. Fjala vjen, sherri në SHBA midis kreacionistëve biblistë dhe evolucionistëve shkencëtaristëve - ku fut hundët rëndshëm politika - reduktohet si sherr midis përkatësisht mitizues dhe çmitizues. Ja të presim pak sa të kalojë kriza bankare dhe pastaj do të shijojmë lezetin e kacafytjes midis mitizuesve të ekonomisë virtuale dhe çmitizuesve të ekonomisë reale, e cila duhej të quhej më saktë ekonomia historike ose akoma më saktë ekonomia histerike.

Një shembull se si vepra e Renan ndikoi në letërsi është tregimi “Prokurori i Judesë” i skeptikut shembullor Anatol Frans, i cili ishte admirues i flaktë i tij, mik i ngushtë me të, madje binte edhe krushk. Në këtë tregim, të quajtur “Rrëfenja e përsosur” nga shkrimtari i njohur Leonardo Sciascia (përkthyesi në italisht i tregimit), figura e Krishtit historizohet duke u bërë skajshëm njerëzore, një rob zoti i vdekshëm si gjithë të tjerët. Në qendër të tregimit është takimi i Pilatit me një shok të armëve në termat e Vezuvit, mbasi kanë dalë në pension si veteranë lufte. Të dy sjellin ndërmend të kaluarën, dhe Pilati nuk mban mend më as për emër Jezusin (ekzekutuar me urdhër të tij) dhe Maria Magdalenën, të cilën ata e kishin frekuentuar para se ajo të braktiste zanatin për të ndjekur mjeshtrin. Pikërisht nga ky tregim frymëzohet lirisht skenari i filmit “Hetimi” (1986) i Damiano Damianit, me skenar të ngjashëm me brendinë e “Kush e solli Doruntinën” (1979), aq sa duket një plagjiaturë (referuar datave të botimit, plagjiatura i bie të jetë e skenaristit italian, pra në këtë rast i vjedhuri është albanezi). Rolin e Stresit në film e luan Tito Valerio Tauro, një funksionar ambicioz i imperatorit Tiber, i dërguar në Palestinë për të hetuar në lidhje me zhdukjen e trupit - mbas kryqëzimit - të njëfarë Jezusi, i ringjallur prej vdekjes sipas dishepujve të tij etj. Mbas një intrige ku merrnin pjesë Pilati, gruaja e tij (simpatizante e Jezusit), Maria Magdalena etj. Tauro zbulon mashtrimin e Pilatit që tregon kufomën e një personi tjetër sikur të ishte e Jezusit. Mbas disa peripecish të tjera, Tauro, i bërë sallatë nga trutë prej dyshimit (vetëkuptohet edhe spektatorët), braktis hetimin dhe kthehet në Romë.

Siç pohon edhe vetë Renan, që të shkruante “Jeta e Jezusit”, iu desh të humbte besimin, tamam çfarë i ndodhi kolegut Strauss, i cili braktisi krishterimin për një lloj besimi panteist. Megjithëse në një kontest tjetër dhe nga një perspektivë e ndryshme, simbolisti Strauss dhe pozitivisti Renan arrijnë në të njëjtin përfundim, që Jezusi është një person etikisht i përsosur, kampion virtyti pak a shumë si Konfuci ose Lei Feni (jo rastësisht të dy përfundojnë panteistë, mendësi që identifikon krijuesin me krijimin, shpirtin me trupin etj). Pra të dy këta kampionë të kulturës frënge dhe gjermane mohojnë njësoj origjinën hyjnore të misionit, mësimeve dhe praktikës të Jezusit real, dhe fatkeqësisht për arsye vendi nuk mund të tregoj gjerë e gjatë se si pozitivizmi frëng dhe idealizmi nemc vranë njësoj me zjarr të kryqëzuar besimin në një Zot me personalitet ose “Jezusin e besimit”, i cili ndryshe nga koncepti abstrakt “Jezusi mitik”, presupozon një person real që ndikon emocionalisht mbi besimtarët prej botës tjetër. Përthyer kjo në muhabetin tonë, do të thotë se përveç Skënderbeut mitik dhe historik, ekziston edhe Skënderbeu i besimit (ose real), i nënkuptuar prej Nolit kur dëshmon se heroi ynë kombëtar merrte një zbulesë prej botës tjetër, me fjalë të tjera, dëgjonte zëra dhe shihte vizione “sikundër kryetrimja frënge Jana e Arkës (...) me të cilën ishte vëlla nga shpirti, nga flaka patriotike dhe nga nxehtësia fetare”. Meqë empirikisht flaka duket shkaku dhe nxehtësia pasoja, parë për së holli fraza e cituar patriotizmi rezulton shkaku dhe fetaria pasoja, një lapsus që e nxjerr mirëfilli çmitizues Nolin, i cili s’ia përtoi as Janës së Arkës, megjithëse raporti midis flakës dhe nxehtësisë së saj dokumentohet i shkëmbyer përkundrazi.

Teza e besimit në botën tjetër ndriçon errësirën misterioze ku thyen hundët shkolla kritike që i tregon themelet e krishtërimit në veprimtarinë tokësore të Jezusit. Vetëm qenia e botës tjetër mund të shpjegojë misterin historik se si një zdrukthëtar i një province të humbur të perandorisë, i braktisur nga të gjithë (edhe nga dishepujt e tij), i ekzekutuar si një keqbërës çfarëdo - të gjitha dëshmi të rasti krejt të veçantë në historinë e themelimit të lëvizjeve të mëdha fetare - është shkëndija që ndezi flakadanin e pashuar në shekuj të së ashtuquajturës histori perëndimore. Turpi dhe trishtimi i kronikanit (atij perëndimor, jo të Gjirokastrës) është se në ditët tona kanë mbërritur prej kohës së Babaqemos një lumë të dhënash për filan kurtizane të fistek patrici, por asnjë e dhënë e dokumentuar për personin më qendror të historisë perëndimore. Ka vetëm disa shkrimnaja në lidhje me disa thashethemnaja për një që quhej Kreizi, i cili mbahej si shpëtimtar i botës e më pas përfundoi në kryq. Turpi dhe trishtimi i kronikanit për shkak të mospërfilljes historike të mesisë ka dyfish fuqi retroative, si vrasje ndërgjegje dhe si mundësi potenciale e realizimit të profecisë ungjillore për përsëritjen e historisë së krimit më të madh historik (Po kur do të vijë Biri i njeriut, vallë do të gjejë besim në tokë? - Llu. 18,8). Por sikur mesia të ketë ardhur përsëri pa u vënë re dhe në qendër të vëmendjes së opinionit publik mbetet çfarë tha Berisha, Berluskoni, Bushi dhe si u përgjigj Obama, i cili realizoi ëndrrën mitike të Kingut (të Luterit, jo të Kongut) nëpër hapësirat virtuale të internetit? S’do mend, besimi në një Krisht mitik ose virtual implikon automatikisht një ekonomi virtuale dhe një politikë virtuale. Ngazëllimi virtual që shkaktoi ulja e zezakut në kolltukun presidencial të superfuqisë, nuk e zhduk pikëllimin real që distanca shpirtërore dhe seksuale midis Harlemit dhe Manhatanit mbetet njësoj si e Brrakës nga Blloku. Krishti i Ardhjes së Dytë duhet t’i kërkojë Nënë Terezës dhe Janës së Arkës diçka më tepër se herën e parë, ndryshe për herë të dytë vjen si papagall.

Krishti për herë të dytë i thotë njeriut të ndërgjegjshëm: E sheh atë jevgun/jevgën e zgjebosur poshtë urës? Bukuri, nuk mjafton ta ngushëllosh, ta lash e pastrosh, ta kurosh e ta mësosh, ta bësh senator/senatore dhe president/presidente, por duhet ta marrësh edhe për burrë/grua, të bësh fëmijë me të, t’i mbash besën dhe ta duash absolutisht dhe pa kushte. Vetëm në këtë mënyrë, duke filluar nga leshtë e seksit mund të shkokolepset për së mbari leshelia mitike dhe historike e shoqërisë njerëzore, sepse leshelia fe-politikë ka në qendër problemin seksual dhe të familjes. Pastaj mund të zgjidhet edhe kriza ekonomike, e cila është pasoja më banale e krizës së institucionit të familjes, të shkuar për lesh shumë më parë se sistemi bankar. As vetë Kojeve nuk ishte i vetëdijshëm për thellësinë e intuitës së tij kur e përkufizoi fitoren e padiskutueshme të komunizmit (me stil soft, demokratik, evolucionar, eurokomunist etj.) si humbje e pozitës të Kainit, konceptuar prej tij vetëm në kuptimin teknik ekonomik si humbje e së drejtës të trashëgimisë së pronësinë prej të parëlindurit, rritjes entropike të pronësisë ose thënë më konkretisht, thërrmimi i vazhdueshëm i pronës prej trashëgimtarëve. Thënë fare troç: Bordellizimi i familjes ka për pasojë të drejtpërdrejtë bordellizimin e pronës.

Pra, konflikti historik reduktohet në esencë si konflikt familjar Abel-Kain, midis të zgjedhurit të Zotit (fetarit) dhe të përbuzurit prej Tij (laikut). Prej këtej mund të kuptohet se vëllezërit në sherr mitizues dhe çmitizues, alias “të djathtët” dhe “të majtët” duke kacafytur midis tyre si gjela deti në qendër të Evropës (një konstante historike që prej kohës së Roma Përtomës), përgatitën kushtet fillestare për Ardhjen e Dytë të Krishtit me mustakë në rrëzë të hundës dhe për ardhjen e kokëçarjeve pa fund për të ndarë shapin e “Hitlerit mitik” prej sheqerit të “Hitlerit historik”. Shkurt muhabeti, debatuesit gjetën më në fund Krishtin që meritonin, sipas festes kokën. Të tjerët që nuk e pëlqyen ose ndoshta nuk u pëlqeu Fyhreri i parë, e gjetën në stepat e Azisë, akoma më të madhështor dhe më shpëtimtar, akoma më mitik dhe më historik, e me mustaqe akoma më përtej flegrave të hundës. Nuk bëhet fjalë vetëm për mitizimin historik të propagandistit kaps, por edhe për çmitizimin mitik të artistit shijehollë mistik: poeti simbolist Blok në poemën “Të dymbëdhjetët” e përshkroi simbolikisht revolucionin rus si një ngjarje me rëndësi kozmike e udhëhequr nga një Krisht mitik i padukshëm (vijnë vërdallë vetëm 12 apostuj proletarë dhe muzhikë që vrasin e presin djajtë borgjezë), ndërsa miku i tij i armëve Andrei Belyj, në poemthin “Krishti u ngjall”, interpretoi revolucionin në fjalë si ngjarje apokaliptike dhe eskatologjike, të njëjtën gjë bëri edhe sentimentali Esenin në poemën “Inonia” (tëhuajzim).

Theksoj se problemi nuk është tek mitizimi dhe çmitizimi në vetvete, dy metoda legjitime dhe të vyera për të njohur personin real, më konkretisht Jezusin real (të cilin as kisha tradicionale nuk e njeh, por vetëm konservon vizionin e lashtë të këshillit të Nicea-s) ose në rastin tonë Skënerbeun real, por tek motivacioni që shtyn studiuesit dhe romancierët për ta reduktuar mesinë sipas rastit: ose në një simbol që davaritet në hava, ose në një copë mishi me dy sy e me një dërrasë mangut. Njësoj si vlerat koordinative X dhe Y (abshisa dhe ordinata) janë projeksione ose funksione të një trajektoreje reale, fetar dhe laik janë projeksione të reduktuara ose funksion i qenies reale, dhe jo anasjelltas, siç besohet me arrogancë nga iks laik dhe ipsilon fetar. Vlera e koordinatës përputhet me realen vetëm nëse bashkëshortja komplementare bëhet e barabartë me zero, prandaj fetarë dhe laikë të zellshëm ia bëjnë njësoj hyzmetin barazimit me zero të kundërshtarit (më saktë zhdukjes nga faqja e dheut me kuç e me maç), e kështu të mbeten si i vetmi realitet ose univers botëkuptimor, për ironi univers i mjerë që i burgos banorët e tij në një dimension të vetëm.

Dale se nuk mbaron me kaq, ka dhe më, sepse krahas X dhe Y ekziston edhe dimensioni Z, i cili në shembull personifikon organizimin e botës në nivele vertikale të mbivendosur në hierarki: individual, familjar, fisnor, kombëtar, planetar, kozmik. Vetëkuptohet që shpëtimi ose heroizmi duhet kryer në të gjitha këto nivele, për pasojë edhe vlerësimi i heroit: një person që sakrifikon në shërbim të kombit njihet si hero ose shenjt kombëtar vetëm brenda kufijve të kombit, i cili në shenjë nderimi i ngre një muze, ndërsa personi që sakrifikon në emër të njerëzimit (nivel ndërkombëtar) adhurohet si shenjtor fetar edhe jashtë kufijve të vendlindjes, fjala vjen hebreu Sauli i kushtohet objekt kulti edhe në Kinë si shën Pauli, gjithashtu Nënë Terezës në Kalkutë etj. Pra, sipas festes kokën, shpërblimi jepet natyrshëm në të njëjtin nivel që kryhet sakrifikimi, fotografia e prindërve varet në mur të shtëpisë në shenjë nderimi për sakrificat që kanë bërë për fëmijët, ndërsa komshiu var të vetët e nuk i bëhet vonë për prindërit e të tjerëve, me të cilët “kishte vetëm një mirmjes, e një mirmroma”. Ndërsa ai që sakrifikon vetëm për veten ose mesia i vetes, sheh fotografinë e vet në pasqyrë si Narcisi.

Si përfundim, pikëpamja kulturore globale, fjalë tashmë mjaft në modë, presupozon të gjitha planet dhe nivelet të lidhur ndërsjelltas, ndryshe bota banohet nga skizofrenë të burgosur në planet dhe nivelet përkatëse, të cilët marrin për realitet çfarë përjetojnë, njësoj si në tregimin fantastik “Flatlandia” të Abbott-it. Në këtë tregim tejet sarkastik përshkruhet një botë fantastike me dy dimensione, të populluar nga banorë të lindur dhe rritur në një plan (katrorë, trekëndësha, drejtkëndësha), të cilët nuk kanë as idenë e ekzistencës së një dimensioni të tretë vëllimor. Një ditë prej ditësh në Flatlandia (vendi i planit) katapultohet nga Spacelandia një trup vëllimor me tre dimensione (konkretisht një sferë), për të dhënë lajmin e mirë të qenies së dimensionit të tretë (lartësisë), por asnjë prej banorëve dypërmasorë nuk pranon kurrsesi një dimension që nuk mund ta perceptojnë shqisat e tyre. Situata mohuese dhe mosbesuese përsëritet edhe gjatë bredhjes në botë të tjera me një dimension (Linelandia), lëre mos e pyet në botën e pikës pa asnjë dimension (Pointlandia) ku arrihet kulmi i gallatës: kur i flitej pikës, ajo i dëgjonte fjalët e tjetrit sikur ishin të sajat, sepse nuk kishte asnjë lloj nocioni tjetër përveç vetes. Me fjalë të tjera saktë gjendja rëndom e individualistit fanatik që mbretëron në vendin e pikës (që i raftë ishalla!).

Duke i huazuar gjeometrizmin moralist të Abbott-it, nëse individi do të ishte pika (që s’i bie, se nga gratë rrojnë), familja do të ishte drejtëza (dy dimensione), shoqëria do të ishte vëllimi (tre dimensione), ndërsa Zoti ose bota tjetër duhet kërkuar në dimensionin e katërt misterioz të kohës. Në një shoqëri ideale nivelet në fjalë lidhen me hallka sakrifikimi nga më i ulëti deri në më të lartin: individi sakrifikon për familjen, familja për fisin ose komunitetin, komuniteti për kombin, kombi sakrifikon për gjithë njerëzimin dhe së fundi njerëzimi sakrifikon për Zotin, i cili mbyll ciklin, duke sakrifikuar për të gjithë krijimin mbarë.

Përfundimisht, thirrja e shenjtë e kombit - kushtrimi i të parëve - që ndien Mira Meksi është po aq legjitime sa thirrja e shenjtë e entitetit suprem që ndien Eleonora Bregu dhe thirrja e shenjtë e individit që ndjen Elsa Ballauri. Po njësoj legjitime është edhe thirrja e shenjtë që ndiejnë animalistët (megjithëse në horizontet tona akoma nuk duket “mjelësja e dalluar” që nuk lejon të ngordhësh në dru qenin, gomarin dhe mushkën), e pse jo, po aq legjitime dhe e shenjtë është edhe thirrja e materies, e cila nuk është inerte dhe pashpirt për vegimtarët e panpsikizmit, si fjala vjen fizikani i famshëm Freeman Dyson që shkruan në librin e tij “Trazim i universit”: “Mendja është një karakteristikë e përbrendshme e çdo elektroni dhe procesi i ndërgjegjes njerëzore dallon vetëm si shkallë, por jo si cilësi, nga procesi i zgjedhjes midis gjendjeve kuantike që ne e quajmë “rast” kur kryhet nga elektronet”. Mikelanxhelo që qëndronte ditë të tëra si somnambul para një blloku mermeri (zgjedhur dhe shkulur prej shkëmbit në Carrara prej vetë tij) dhe që thoshte se ishte minerali që i diktonte kompozimin e veprës, ose Leonardo që frymëzohej artistikisht duke vështruar me orë të tëra njollat e lagështisë në mure, ishin panpsikikë që komunikonin shpirtërisht me lëndën, dhe jo panpsikopatë siç mund të duket rëndom. Një person çfarëdo përballë nesh nuk përfaqëson vetëm historinë e tij personale, familjes, fisit, kombit, etnisë dhe stërgjyshërve të tij deri tek paramajmuni, por përfaqëson tërë historinë e universit deri tek Big Bang-u e më tej deri tek Krijuesi, nuk është vetëm shpirt njerëzor dhe trup kafshor, por edhe bimë, edhe paramec, edhe amebë, edhe pluhur yjesh, edhe flatra engjëjsh, edhe Zoti vetë. Prandaj njeriu është në gjendje (potencialisht) të kuptojë gjithçka dhe të deshifrojë misteret e krijimit dhe krijuesit.

Harmonia e botës luhet me shumë tastiera, tjetër punë se nga anët tona i mëshohet me tërbim vetëm tastierës së kombit të mbetur “kantato” tek himni i shtet-kombit. Ekziston një mungesë koherence e pavënë re: nuk lejohet kurrsesi të skalfitet sadopak shenjtëria e heroit kombëtar, thirrja e shenjtë e kombit, patriotizmi etj., ndërsa jepet leja me pash, madje nxitet, që arti ta nxjerrë individin si koqe kandari ose pervers (si rëndom heroi modern), institucionin e familjes si një bordello, ndërsa shpëtimtarin e botës si delenxhi që argaliset me prostituta dhe teori komploti Dan Brown. Si zakonisht, opinioni publik “nuk mban mend se çfarë ka ngrënë mbrëmë”, sepse zallamahia e paradokohshme që shkaktoi “Kodi da Vinçi” i Dan Brown - një përzierje simbolesh kriptike, seksi providencial dhe teorie komploti (d.m.th. një lesheli kaçurrel i gjenit Strauss-Renan) - është një konstante historike në shekullin që shkoi. Mbahet mend disi vetëm skandali i romanit “Tundimi i fundit” (1954) të nobelistit Nikos Kazantzakis (bërë film prej Martin Scorsese), ndërsa janë harruar krejt skandalet analogë të romanit “The Brook Kerith” (1916) i George Moore, “King Jesus” (1946) i Robert Graves, eseja bestseller “The Passover Plot” (1963) e Hugh Schonfield etj.

Ja disa lajme taze që tregojnë arritjet e fundit në këtë drejtim që kanë bërë bujë në opinionin e gjerë publik: në verë të vitit 2007 u lajmërua në Bolonjë hapja e ekspozitës “Madona qan spermë”, gjykuar nga titulli, një provokim sheshit bërë kultit popullor italian të madonave që qajnë gjak. Ekspozita u anulua pa u hapur për shkak të reagimit të fortë të opinionit publik. Në vjeshtë të këtij viti, në hyrjen ballore të Muzeut të Artit Modern dhe bashkëkohor të Bolcano-s varet vepra e Martin Kippenberger me titull “Bretkosa e kryqëzuar”, që paraqet një bretkosë në pozën e shpëtimtarit në kryq, 1 metër e lartë, ngjyrë jeshile kërcitëse e pështirë, llapën nxjerrë jashtë, në njërën putër të gozhduar mban një krikëll birrë dhe në tjetrën një vezë (përkatësisht simbol i hipokrizisë besimtare dhe ezoterizmit); çmimi i veprës 30 milionë euro. Reagim i fortë i Alleanza Nazionale, i klerit dhe papës që shkroi një letër ankesë presidentit të këshillit krahinor. Por kjo punë e pat, sepse, si rëndom kur vepron censura, bretkosa u bë ikonë pop e përdorur deri si tatuazh nga rinia revolucionare e krahinës. Jo rastësisht dy vjet më parë në të njëjtën ekspozitë të këtij qyteti kufitar me tensione të forta me ngjyra etnike italik-gjermanik dhe bojëra politike majtas-djathtas (tip Himare), bëri bujë instalacioni muzikor ku himni kombëtar italian shoqërohej në sfond nga zhurma e ujit që shpëlan WC-në.

Duke u ngjitur pak më lart drejt Veriut (të Evropës, jo të Flatlandias), në pranverë të këtij viti piktor-skulptori i famshëm austriak Alfred Hrdlicka, në hyrje të ekspozitës së tij retrospektivë - mbajtur në muzeun e katedrales katolike të Vjenës - vari kuadrin me titull “Darka e Fundit e Leonardos e restauruar nga Pier Paolo Pasolini”, në të cilin paraqitej Darka e Fundit si një orgji homoseksuale ku apostujt masturbohen me njëri-tjetrin. Kur e pyetën autorin se përse i paraqet dishepujt si homoseksualë, përgjigjet: “Nuk kishin gra rreth e qark” (veprës së Leonardos). (Në fakt platforma ideologjike për këtë tezë i takon shumë të famshmit dhe të kundërshtuarit historian të kishës Morton Smith, docent në Columbia University në New York, sipas të cilit Jezusi ishte kryetar i një sekti ezoterik në të cilin bëhej pjesë mbas një rituali inicimi sekret me natyrë homoseksuale). Drejtori i muzeut, person me lidhje të forta me kishën, deklaroi se Hrdlicka i kishte kartat në rregull për ta bërë këtë punë (siç duket meqë shumë i famshëm, i njohur edhe jashtë vendit dhe mësues arti në disa akademi). Kardinali dhe kryepeshkopi i Vjenës u justifikua se u gjend para një fakti të kryer, megjithatë ndërhyri për ta hequr veprën vetëm mbas tetë ditësh, ndërsa nuk preku një tjetër vepër skandal, e cila paraqet fshikullimin e Krishtit prej xhelatit që i shkul organin gjenital.

Siç shihet, kishës vjeneze, gjithnjë në cic-mice me Vatikanin që prej kohës së Perandorisë së Shenjtë, i ka dalë bombazh konserva e versionit të lashtë të jetës të Jezusit. Po të shihen me kujdes rastet e mësipërme, duket se si dikotomia e shpërfytyruar çmitizues-mitizues farfurit me përshkënditjen e dikotomive simbolike veri-jug, gjermanik-italik, mashkullore-femërore, moral-amoral, gjak-spermë, papë-perandor, kishë-shtet, fetar-laik etj.

Nuk mund të lihet pa përmendur këtu rasti i super të famshmit Hermann Nitsch, kryetar i grupit të body-artistëve vjenezë, themelues i Aktion’s Theater (Teatri i Aksionit), organizues i “Teatri i Orgjive dhe Mistereve” (1957), një lloj arti total që përfshin të gjitha shqisat njerëzore, e që nuk ka nevojë për koment sepse flasin vetë temat e shkruara në program: 1) Tepria thelbësore sadomazo 2) Vrasja e kafshës-totem dhe ngrënia e saj rituale 3) Mbretvrasja rituale 4) Tredhja e Attisit 5) Vrasja e Adonit 6) Vrasja e Orfeut 7) Tredhja rituale 8) Qorrimi i Edipit 9) Shqyerja e Dionizit 10) Kryqëzimi i Krishtit 11) Kungata (eukarestia). Në këtë teatër në qiell të hapur theren kafshë, më pas kryqëzohen dhe pastaj shqyhen në një show ritual. Së fundi, gra dhe burra lakuriq bëjnë një sërë aksionesh - ndonjëherë edhe seksuale - në gjak dhe zorrët e kafshëve të shoqëruar nga një këngë korale që ngjajnë me litanitë e murgjve ortodoksë. Karakteri fetar theksohet nga fakti që veshje dhe pajisje ceremonish liturgjike si kryqe, mitra kardinalësh, ostembajtëse etj, përzihen bashkë me mish viçash dhe delesh të therura, gjak dhe urinë, ndërsa kërma e therur paraqitet gjithnjë në pozën e të kryqëzuarit; ndonjëherë rrethuar nga dy nudo femërore (bashkëshortësia eros dhe thanatos), të cilat zëvendësojnë dy hajdutët e ikonës klasike. Edhe bufi e kupton se gjithë kjo është një parodi të kryqëzimit, sakrificës dhe shpëtimit të krishterë. Në disa fotografi duket autori i llangosur në gjak deri në bërryla, me duar gjysmë të ngritura në pozën e shpëtimtarit në kryq, në mes një kasaphane me dysheme dhe mure të përgjakura. Nga ana tjetër, ai identifikohet me vetëdije me shpëtimtarin, sepse vazhdimisht ka shpallur hapur se arti i tij ka qëllim katarsi, d.m.th. të asgjësojë agresivitetin e fshehur dhe të shtypur në thellësi të subkoshientit.

Dishepujt e tij shkojnë akoma më larg nga mania e zakonshme për t’ia kaluar mjeshtrit. Piktori Rudolph Schwartzkogler mori pjesë në “aksionet” e Nitsch me vepra të titulluara “nudo artistike - si kërma” në të cilën vetëplagosej dhe si rezultat i këtij lloj arti i dha fund jetës me vetëvrasje (1969). Për vetëvrasjen e tij ka shumë thashetheme. Më e përhapura është se ai - i bindur se çfarë ka vlerë nuk është piktura në vetvete, por heqja e mishit të tepërt - preu centimetër mbas centimetri organin e tij seksual derisa vdiq prej hemorragjisë (fotografitë e këtij “aksioni”, që ka pararendës veshprerjen e Van Gogut, janë ekspozuar në Documenta V të Kassel). Dishepulli tjetër, Gunter Brus, në ekspozicionin “Arti dhe Revolucioni” (1968) u zhvesh lakuriq në mes të publikut, preu me brisk gjoksin dhe kofshët, urinoi në një gotë, e piu atë me fund, pastaj hodhi mbi vete jashtëqitje ngjyrë kafe dhe së fundi masturboi duke kënduar himnin kombëtar austriak.

Ironia më e madhe është se Nitsch mbahet për besimtar. Ja se ç’thotë: “Gjithë arti im është një lutje. Jo vetëm Zotit, por natyrës, qenies, tërë kozmosit. Jam thellësisht fetar, edhe pse nuk jam i lidhur me asnjë fe të veçantë” (gjithë inati është kundër Zotit me personalitet). Për idetë e tij Nitsch ka luftuar, vuajtur dhe është persekutuar; përgjatë viteve 60-të kushedi sa herë i janë hapur procese gjyqësore, tri herë e kanë futur në burg, është kërcënuar me vdekje nga animalistët etj. Por më në fund i erdhi edhe shpërblimi: njohja zyrtare si gjeni dhe hero shpëtimtar. Në një qytet (Mistelbach) në veri të Vjenës bashkëpatriotët i kanë kushtuar një muzeum (Hermann Nitsch Muzeum) që ka kushtuar rrumbullak 3 milionë euro dhe është muzeu më i madh i ndërtuar ndonjëherë për një artist të gjallë. Gjatë përurimit të muzeumit në fjalë (maj të vitit 2007), gjeniu u ngrit në qiell nga gjithfarëlloj personalitetesh, folën me përmallim historianë arti, guvernatori i landit, kryepeshkopë dhe priftërinj të krahinës, kryetari i bashkisë së qytetit etj. Në fund të ceremonisë u këndua himni i landit (krahinës), por nuk u pa ndonjë artist gjenial të masturbojë ex cattedra sipas ritmit muzikor të himnit për të përuruar procesin e çmitizimit të komblandit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›