E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS braktis Kuvendin, Leskaj: Dosjet hapen për të mbyllur Gërdecin

Deputetët e PS-së kanë braktisur sallën ashtu siç kishte paralajmëruar kryetari i kësaj partie paraditen e djeshme. Ata nuk qëndruan për të votuar kundër ligjit për hapjen e dosjeve, por zgjodhën rrugën e bojkotit duke ikur nga Parlamenti. PS-ja e ka konsideruar këtë ligj një armë për të mbyllur dosjet e Gërdecit, çështjen "Fazlliç" dhe dosjen e hetimeve të rrugës Durrës-Kukës. Ndërkohë, kryetarja e grupit parlamentar, Valentina Leskaj, tha se modelit të Çekisë i janë shtuar 3-4 nene shqiptare dhe Haveri, Presidenti i Çekisë nuk kishte më probleme me drejtësinë kur ka bërë ligjin. “Çështjen e dosjeve ju e mbajtët më se 2 vjet në sirtar për të shumuar çështjet e mëdha që janë në hetim dhe e nxirrni tani të trembni prokurorinë që ajo të mbyllë gojën për skandalet”, - tha Leskaj.

“Ne kemi motive shumë të forta për të mos u bërë pjesë e kësaj farse. Ai ligj që ju doni të kaloni, është antikushtetues, pasi bie ndesh me Kushtetutën, me parimet e Këshillit të Evropës dhe rezolutën e këtij Kuvendi”, - vazhdoi Leskaj. Në replika me Berishën, Leskaj tha se përveç projektit të Partisë Demokratike në sirtar ekziston edhe varianti i Partisë Socialiste për ligjin e dosjeve, i cili nuk është marrë fare në konsideratë. Leskaj ka përmendur draftin e PS-së, të cilin në fakt kjo parti e tërhoqi nga Komisioni i Ligjeve me pretendimin se do të sillte një draft tjetër, gjë që nuk e bëri. Ndërsa deputeti i PS-së, Musa Ulqini, e konsideroi absurd kalimin e ligjit të dosjeve në Parlament. Sipas tij, kjo do të bëjë të mundur mbylljen e dosjes së Gërdecit përfundimisht. “Nëntë muaj pas tragjedisë së Gërdecit ende nuk vihen para përgjegjësisë fajtorët. Berisha nuk ka bërë publik asnjë raport për ngjarjen në fjalë. Ka më shumë se 8 muaj që grupi parlamentar ka depozituar një kërkesë në Parlament, që Berisha të bëjë një raport për Gërdecin, por deri tani ka vetëm heshtje”, - tha Ulqini. “Përballë heshtjes së Berishës, punëtorët e Gërdecit në qershor u futën në grevë, por me gjithë kërkesat e tyre, qeveria heshti”.

Prifti: Edhe PD, edhe PS të implikuara me komunizmin

Deputeti i LSI-së, Dritan Prifti, e ka konsideruar një demagogji miratimin e ligjit të “spiunëve”. Sipas tij, të gjithë deputetët si nga mazhoranca, ashtu edhe nga opozita, që janë të implikuar në ngjarje, janë të përjashtuar nga ky ligj. Ndërkohë ai ka kërkuar nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, që të kalojë në diskutim ligjin për statusin e minatorëve. “Janë një shtresë me shumë probleme që kontribuon në këtë vend. Ai ligj ka një faturë financiare dhe pa u miratuar nga qeveria, nuk mund të futet dot në Parlament dhe prandaj i bëj thirrje Berishës dhe Topallit që të kalojnë ligjin për minatorët sa më shpejt”, - tha Prifti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›