E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilir Kumbaro, Mediat britanike: Bosi i torturës,100 mijë sterlina

BRITANI- ‘The Daily Star Sunday’ shkruan se autoritetet britanike kanë shpenzuar rreth 100 mijë sterlina nga të ardhurat e taksapaguesve vendas, në përpjekjen për të kapur, ish punonjësin e SHIK-ut Ilir Kumbaro, i kërkuar lidhur me akuzat për rrëmbim personi dhe  torturë në Shqipëri. “Ish-bosi i shërbimit sekret tashmë është objekt i një operacioni mbarëkombëtar për gjetjen e tij pasi Scotland Yard lëshoi një apel publik për gjetjen e tij”- shkruan gazeta The Daily Star Sunday’ .

Në shkrimin me titull “Bosi i Torturës ju kushtoi 100 mijë Sterlina”, zbulohet se Kumbaro gënjente sa i takonte origjinës së tij Kosovare, ndërkohë ai arriti të merrte shtetësinë britanike me emrin Shaqa Shatri, për të udhëtuar më pas deri në Kinën e largët.

Gazeta vijon duke zbuluar se ish SHIK-asi shqiptar mori një banesë nga shteti britanik dhe për 1 dekadë merrte ndihma për paaftësi fizike dhe depresion, pasi pretendonte dhe mashtronte mjekët me preetksin se fëmijët së bashku me bashkëshorten i ishin vrarë në Kosovë, ndaj për këtë arsye ai vuante pasojat e një depresioni të fortë.

Por, kur policia bastisi shtëpinë e tij në Londër gjeti atje gruan me emrin Vjollca, e cilla dyshohet se është bashkëshortja e Ilir Kumbaros. Nga ana tjetër mendohet se ka dy djem nga kjo martesë, të cilët mendohet se jetojnë në Britani.

‘The Daily Star Sunday’ , bën me dije se mjekët jo vetëm që nuk e dinin se Kumbaro i gënjente, por ato nuk dinin edhe akuzat që rëndonin mbi të, i dyshuar për rrëmbim dhe torturë te Avdyl Loshajt, Ziso Kristopullit dhe Remzi Hoxhës.

Gazeta nxjerr në dritë faktin se djali i ish-SHIK-asit, Endriti ka humbur 10 mijë stërlinat e vëna garanci pas mosparaqitjes së tij në gjykatë. Pas kontrollit të policisë britanike në shtëpinë e Endrit në Forest Hill, në juglindje të Londrës, një grua e cila tha se ishte gruaja e Endrit u kishte thënë se burri i saj kishte shkuar në Paris dhe menjëherë pas kësaj dite ishte larguar së bashku me fëmijët e saj.

Sipas nje burimi te Agjensisë Britanike të Kufirit, cituar nga The Daily Star Sunday’ , “Kumbaro është një njeri inteligjent i cili ka luajtur me sistemin duke u ofruar të dhëna bindëse punonjësve të emigracionit si dhe duke pretenduar se ishte viktimë e torturave në Kosovë në mënyrë që të përfitonte ndihma”.

Ish-shefi i shërbimeve sekrete, akuzohet për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha në vitin 1995, ndërsa i është dhënë leje qëndrimi për në Britani që nga gushti i vitit 1996, pas pretendimeve të tij se ai ishte refugjat kosovar, duke u paraqitur me emrin e rremë ,Shaqa Shatri.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›